100 ditë të “Protestave të Flamingove”: Një provë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë
Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti lokal është shndërruar në një provë për të ardhmen e Shqipërisë. A mund të përballojnë mbrojtja e mjedisit, pjesëmarrja e publikut dhe shteti i së drejtës presionin e turizmit luksoz dhe projekteve të zhvillimit në shkallë të gjerë?Si nisi
Debati nisi në fillim të majit, kur makineritë e rënda hynë në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në grykëderdhjen e Vjosës. Kjo zonë bregdetare është habitat për më shumë se 200 lloje shpendësh dhe mbi 70 lloje të rrezikuara, si dhe ndodhet përgjatë një rruge shtegtimi për shpendët që lëvizin midis Afrikës dhe Evropës. Është një nga vijat e fundit bregdetare të egra që i kanë mbetur Mesdheut. Qeveria e cilësoi ndërhyrjen si një studim teknik paraprak përpara një vlerësimi mjedisor, por faktet në terren tregonin diçka tjetër. Për ditë me radhë, kanali që lidh Lagunën e Nartës me detin u bllokua plotësisht. Buldozerët që punonin brenda një peizazhi të mbrojtur, pa lejet përkatëse, ndërprenë qarkullimin e ujit që siguron oksigjenimin e lagunës, ruan ekuilibrin e kripës dhe mban gjallë zinxhirin ushqimor nga i cili varen flamingot, pelikani kaçurrel dhe breshkat e detit që folezojnë në këtë zonë. Shkencëtarët paralajmëruan më pas se vazhdimi i punimeve mund të kishte shkaktuar një kolaps ekologjik. Pjesa më e madhe e asaj që u shkatërrua, ligatinat, dunat, pyjet dhe tre tipe habitatesh të klasifikuara nga BE-ja si “prioritare”, nuk mund të rikthehet pa vite restaurimi. Kjo ngjante shumë pak me një vlerësim të mirëfilltë mjedisor. Hendeku midis asaj që deklaronte qeveria dhe asaj që po ndodhte në terren dëmtoi besimin te autoritetet që mbronin një projekt me pasoja kaq të mëdha për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë. Njëkohësisht, ai nxori në pah një pyetje edhe më të madhe: Kush ka të drejtë të përcaktojë të ardhmen e zhvillimit të Shqipërisë? Kur banorët e zonës u përpoqën të ndalonin punimet, u përballën me forcat e sigurisë private dhe tela me gjemba, ndërsa pamjet e përplasjes u përhapën në mediat ndërkombëtare. Në fund të majit, në Tiranë nisën protestat e përnatshme. Dhe ato nuk janë ndalur që atëherë.Të hapim një resort apo të bashkohemi me BE-në?
Në qendër të kësaj përplasjeje qëndron një ligj i vitit 2024, i cili hapi zonat e mbrojtura ndaj projekteve të turizmit luksoz dhe infrastrukturës, një ndryshim që e vendos vendin drejtpërdrejt në kundërshtim me legjislacionin mjedisor të BE-së. BE-ja e kundërshtoi këtë ndryshim që në fillim dhe shfuqizimi i këtij ligji është bërë ndërkohë një nga kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit. Më 17 qershor, Parlamenti Evropian u vendos në mbështetje të protestuesve, duke bërë thirrje për një moratorium të menjëhershëm mbi lejet e reja dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura, deri në shfuqizimin e ligjit. Vjosë–Narta është shndërruar në testin më të qartë deri më tani për mënyrën se si një vend kandidat për anëtarësim zbaton legjislacionin e BE-së kur përballë tij qëndron një investim i fuqishëm.Çfarë rrezikon të humbasë Shqipëria, ose të dëshmojë
Njëqind ditë më pas, qeveria nuk e ka shfuqizuar ligjin dhe as nuk e ka braktisur projektin. Protestuesit e kanë shndërruar një konflikt lokal mjedisor në një çështje parimore kombëtare: çfarë lloj vendi dëshiron të jetë Shqipëria? Zgjedhja është e qartë. Të forcohet një model qeverisjeje që anashkalon legjislacionin mjedisor dhe pjesëmarrjen e publikut, apo të dëshmohet se mbrojtja e mjedisit, pjesëmarrja e vërtetë e publikut dhe zhvillimi ekonomik mund të bashkëjetojnë, ashtu siç duhet të ndodhë në një demokraci moderne. Shqipëria nuk ka pse të përsërisë gabimet që kanë bërë tashmë brigje të tjera të Mesdheut. Për një vend që e mbështet të ardhmen e tij te turizmi, një lagunë e egër nuk është pengesë për mirëqënien; është një nga pasuritë e pakta që, pasi të humbasë, nuk mund të rindërtohet. Grykëderdhja e lagunës u rihap, të paktën për momentin. Flamingot janë ende aty, të paktën për momentin. Nëse do të jenë ende aty në ditën e 200-të, varet nga një zgjedhje që qeveria ende nuk e ka bërë. Nga Anouk Puymartin Fotografia: Flamingot, Yves Adams



