NJOFTIM PËR SHTYP
ALARM NË PUKË: ZJARRI KËRCËNON FAMILJET, SHTËPITË DHE KURORËN E TËRBUNIT
Pukë, 21 gusht 2026 — Situata e zjarreve në Kurorën e Tërbunit dhe zonat përreth në Pukë mbetet alarmante. Flakët vijojnë të jenë aktive në zonën Gojan i Madh, Gojan i Vogël, Gjegjan. Raportimet e identifikojnë Gojanin e Vogël si një nga zonat më problematike, për shkak të afërsisë së flakëve me zonat e banuara.
Kjo është një katastrofë mjedisore, një emergjencë njerëzore.
Flakët kanë rrezikuar dhe kanë detyruar banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Në Gojanin e Madh, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve për shkak të rrezikut nga zjarri.
Pas ditësh zjarresh, komuniteti po përballet me frikën se flakët kanë mbërritur te shtëpitë dhe stanet e tyre. Banorët dhe ekipet në terren po luftojnë kundër një zjarri që po përparon në një terren të vështirë, ndërsa sipërfaqe të mëdha pyjore janë tashmë të djegura. Raportimet flasin për qindra hektarë të përfshirë nga zjarri në zonën e Pukës.
NJERËZIT DHE FAMILJET DUHET TË JENË PRIORITET!
Sot, në Kurorën e Tërbunit dhe në fshatrat përreth, njerëzit po përballen me një situatë që nuk mund ta përballojnë të vetëm. Shtëpitë janë në rrezik. Familjet janë në rrezik. Jeta e njerëzve është në rrezik.
PPNEA u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të mobilizojnë të gjitha mjetet, forcat dhe kapacitetet e nevojshme, pa humbur më kohë.
Kërkojmë:
- forcim të menjëhershëm të kapaciteteve në terren;
- më shumë mjete zjarrfikëse dhe pajisje të përshtatshme për terrenin malor;
- vijimin dhe forcimin e ndërhyrjes nga ajri në zonat ku mjetet tokësore nuk mund të depërtojnë;
- mbrojtje dhe evakuim të menjëhershëm të familjeve në çdo rast rreziku;
- koordinim të plotë ndërmjet institucioneve qendrore, Bashkisë Pukë, strukturave të emergjencave, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe komunitetit.
Vështirësia e terrenit dhe përhapja e vatrave kërkojnë kapacitete të vazhdueshme dhe ndërhyrje të koordinuar.
PO HUMBET EDHE NJË PASURI E PAKTHYESHME NATYRORE
Zjarri po shkatërron pyje dhe habitate të rëndësishme të Kurorës së Tërbunit dhe zonave përreth. Po digjet një sipërfaqe pyjore. Janë habitate, pemë të vjetra, strehë dhe burime ushqimi për dhjetëra lloje të jetës së egër, një ekosistem i tërë që do të kërkojë vite për t’u rikuperuar. Çdo orë që kalon pa ndërhyrje të mjaftueshme rrit rrezikun për shtëpitë, familjet, pyjet dhe jetën e egër.
Kurora e Tërbunit dhe komunitetet e Pukës kanë nevojë për ndihmë tani.



