NABU dhe NNA në një vizitë studimore në Shqipëri

NABU dhe NNA në një vizitë studimore në Shqipëri

Shkëmbimi i përvojave, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe vizita në Vjosë-Nartë në fokus të takimeve me partnerët gjermanë.

Në kuadër të projektit “Rinia aktive për Ruajtjen e Natyrës – Fuqizimi i Advokuesve për një të Ardhme të Qëndrueshme”, PPNEA mirëpriti në Shqipëri përfaqësues të Akademisë Alfred Toepfer për Ruajtjen e Natyrës (NNA), NABU – Shoqata Gjermane për Ruajtjen e Natyrës dhe Fondacionit Gjerman për Mjedisin (DBU), në një vizitë studimore të zhvilluar nga 30 gushti deri më 5 shtator 2026.

Vizita shërbeu si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin mes organizatave, për të shkëmbyer përvoja dhe praktika, si dhe për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me forcimin e shoqërisë civile dhe advokimit për mbrojtjen e natyrës.

Një nga momentet më të veçanta të vizitës ishte udhëtimi drejt Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, një prej zonave ligatinore me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike në Mesdhe dhe një pikë kyçe përgjatë rrugës së shtegtimit të shpendëve në Adriatik.

Laguna dhe habitatet përreth saj përmbushin funksione jetike për biodiversitetin: ofrojnë strehim për lloje të rrezikuara, shërbejnë si vendpushim për shpendët shtegtarë dhe si habitat dimërimi për mijëra individë. Mbi 200 lloje shpendësh janë regjistruar në lagunë dhe në zonat përreth saj, ndërsa çdo vit të paktën 34,800 shpendë ujorë e përdorin këtë territor për të kaluar dimrin.

Megjithatë, këto vlera natyrore po përballen me presione të konsiderueshme nga projektet e mëdha turistike dhe ndërhyrjet infrastrukturore të planifikuara në zonë. Prej muajit maj dhe gjatë muajit qershor 2026, nisën protesta të vazhdueshme nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, në përgjigje të punimeve dhe rrethimit të hapësirave bregdetare në zonën Pishë Poro–Nartë, në funksion të projekteve turistike.

Gjatë vizitës në terren, partnerët patën mundësinë të njiheshin nga afër me situatën dhe pasojat e ndërhyrjeve të kryera në këtë territor. Ata vizituan zonën ku ishte vendosur rrethimi për projektin e resortit turistik, i cili u hoq pas protestave dhe reagimit të komunitetit lokal. Megjithatë, gjurmët e ndërhyrjes mbeten ende të dukshme, duke rikujtuar se mbrojtja e zonave natyrore kërkon vigjilencë, angazhim qytetar dhe përgjegjshmëri institucionale.

Kjo vizitë solli në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes së Vjosë-Nartës jo vetëm si një pasuri natyrore me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e komuniteteve për një mjedis të shëndetshëm dhe me nevojën për procese vendimmarrëse transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Përtej shkëmbimit institucional dhe vizitave në terren, kjo vizitë studimore lidhet ngushtë me synimin kryesor të projektit: fuqizimin e një brezi të ri advokuesish që janë të informuar, aktivë dhe të aftë të mbrojnë natyrën dhe të drejtat mjedisore.

Përvoja e Vjosë-Nartës është një shembull konkret i rëndësisë që ka angazhimi qytetar dhe bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm për mbrojtjen e natyrës. Ajo dëshmon se ruajtja e biodiversitetit kërkon një shoqëri civile aktive, qytetarë të informuar dhe zëra të rinj që kërkojnë transparencë dhe përgjegjshmëri.

Bashkëpunimi me NNA dhe NABU, me mbështetjen e DBU-së, përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të ndërtuar ura komunikimi dhe shkëmbimi përvojash përtej kufijve, duke forcuar kapacitetet e organizatave.

Projekti “Rinia aktive për Ruajtjen e Natyrës – Fuqizimi i Advokuesve për një të Ardhme të Qëndrueshme” zbatohet nga PPNEA në partneritet me Akademinë Alfred Toepfer për Ruajtjen e Natyrës (NNA), gjatë periudhës janar 2025 – dhjetor 2026, me mbështetjen financiare të Fondacionit Gjerman për Mjedisin (DBU).

 



 

Postime të ngjashme