NJOFTIM PËR SHTYP
Për përmbushjen e detyrimeve parlamentare dhe rikthimin e mbrojtjes së Zonave të Mbrojtura
PPNEA u drejtohet secilit deputet të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë: Mbrojtja e Zonave të Mbrojtura është një detyrim që Parlamenti nuk mund ta shtyjë më!
Tiranë, 8 Shtator 2026 – Në nisje të sezonit të ri politik, PPNEA i është drejtuar me një letër të hapur të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar përmbushjen e përgjegjësive të tyre parlamentare dhe ndërmarrjen e menjëhershme të hapave për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura” dhe rikthimin e kuadrit ligjor të ligjit nr. 81/2017.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur, pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe qytetarëve, si dhe detyrimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kuadri ligjor që dobësoi mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura mbetet ende në fuqi.
Në letrën drejtuar 140 deputetëve, organizata thekson se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura duhet të shfuqizohen jo vetëm për shkak të shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga qytetarët dhe ekspertt e mjedisit, por edhe në përputhje me Pozicionin e Përbashkët Negociues të Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Rikthimi i ligjit nr. 81/2017 është një hap i domosdoshëm për të rivendosur standardet e mbrojtjes së natyrës dhe për të garantuar përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me acquis evropian, veçanërisht me kërkesat e Direktivës së Shpendëve dhe Direktivës së Habitateve.
Përgjatë muajit maj, vendi ynë u përball me një situatë të turpshme ku makineri të rënda mësynë brenda njërës prej zonave të mbrojtura më të rëndësishme, Pishë Poro-Nartë, dhe punuan pa një leje ndërtimi për një periudhe prej 26 ditësh duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në habitatet e mbrojtura.
Pas kësaj ngjarjeje, edhe Parlamenti Evropian reagoi duke votuar masivisht amendimin 17 i cili krahas shfuqizimit të amendimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, kërkoi vendosjen e një moratorium urgjent për ndërtimet dhe lejet e reja brenda zonave të mbrojtura.
Megjithatë, vërejmë me shqetësim se Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për adresimin e këtyre kërkesave.
Për këtë arsye, përmes letrës së hapur, i kërkojmë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që:
- të iniciojnë urgjentisht diskutimin dhe procedurat parlamentare për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”;
-
të rikthejnë në fuqi ligjin nr. 81/2017, si një kuadër ligjor më i përafruar me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës;
-
të adresojnë kërkesën për një moratorium urgjent mbi ndërtimet dhe lejet e reja brenda zonave të mbrojtura;
-
dhe të përmbushin përgjegjësinë e tyre për të garantuar që vendimmarrja publike dhe zhvillimi ekonomik të mos vendosen në kurriz të trashëgimisë natyrore të vendit.
Mbrojtja e Zonave të Mbrojtura nuk mund të mbetet një çështje e shtyrë nga një sesion parlamentar në tjetrin. Rikthimi i një kuadri të fortë ligjor për mbrojtjen e natyrës është njëkohësisht një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj pasurisë natyrore të Shqipërisë dhe ndaj angazhimeve të vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në përfundim të letrës, u bëjmë thirrje deputetëve për reagim dhe angazhim konkret në Kuvendin e Shqipërisë, duke pritur që kjo çështje të marrë vëmendjen dhe veprimin institucional që kërkon urgjenca e situatës.
Letra e plotë drejtuar deputetëve gjendet këtu: Letër drejtuar deputetëve

Fotografia Roland Lleshi



