Projekti përfshin tetë shtete të përfshirë në rajonin Adriatiko-Jonian, nga Italia deri në Greqi. Aksionet e parashikuara fokusohen në forcimin e monitorimit ndërkufitar të specieve, parandalimin dhe reduktimin e dëmeve, bashkëkrijimin e një komuniteti aktiv aktorësh për të nxitur pjesëmarrjen dhe iniciativat inovative për bashkëjetesën.
Udine, 19 Dhjetor 2024 – Qëllimi i projektit Evropian, i udhëhequr nga Universiteti i Udines (Itali), është përmirësimi i bashkëjetesës mes njeriut dhe mishngrënësve të mëdhenj (rrëqebulli, ujku, ariu, çakalli) si dhe forcimi i mbrojtjes së tyre, si një element kyç për ruajtjen e biodiversitetit në ekosistemet ku këto specie luajnë një rol të rëndësishëm. Partneriteti përveç partnerit drejtues, përfshin edhe nëntë partnerë të tjerë nga tetë vende të rajonit Adriatiko-Jonian: Italinë, Shqipërinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Slloveninë.
Aktivitetet do të zhvillohen në disa zona natyrore të rëndësishme të Alpeve Verilindore, Alpeve Dinarike dhe Pindus, ku ka prezencë të gjitarëve të mëdhenj. Gjithsej, në këto zona banojnë mbi 4,000 ujqër dhe arinj, dhe mbi 200 rrëqebuj.
Për të arritur rezultatet e pritshme, projekti do të fokusohet në forcimin e monitorimit dhe grumbullimin e të dhënave të përbashkëta në nivel ndërkufitar, forcimin e strategjive dhe masave për parandalimin dhe zbutjen e dëmeve nga kafshët, përfshirjen aktive të komuniteteve lokale dhe palëve të interesit (fermerëve, blegtorëve, gjuetarëve) si dhe bashkëkrijimin e praktikave dhe nismave inovative për menaxhimin e tokës dhe nxitjen e bashkëjetesës midis njerëzve dhe mishngrënësve të mëdhenj.
Objektivi: Kjo nismë është krijuar për të përmirësuar bashkëpunimin në fushën e ruajtjes së natyrës, me fokus të veçantë në aspektet e bashkëjetesës mes njerëzve dhe mishngrënësve të mëdhenj, si dhe faunës në përgjithësi. Gjithashtu, projekti synon të përmirësojë lidhjet ekologjike, të forcojë rrjetin e infrastrukturave të gjelbra, si urat ekologjike ose kalimet nën autostrada, dhe të sigurojë kalimet e sigurta mbi kanalet ujitëse.
Përfitimet: Projekti ofron një mundësi për të zbatuar strategji inovative në menaxhimin dhe ruajtjen e natyrës. Ai do të mundësojë forcimin e sistemeve të monitorimit për mishngrënësit e mëdhenj dhe identifikimin e strategjive për përmirësimin e bashkëjetesës me njerëzit. Një avantazh shtesë do të jetë zbutja dhe parandalimi i rreziqeve apo dëmeve që rezultojnë nga ndërveprimet negative me kafshët shtëpiake.
Aktivitetet : Për zbatimin e projektit, do të zhvillohen tre aktivitete kryesore.
Së pari, do të forcohet bashkëpunimi për të harmonizuar procedurat dhe teknikat e monitorimit të popullatave të mishngrënësve. Për më tepër, do të rritet transparenca në mbledhjen dhe interpretimin e të dhënave, duke synuar përmirësimin e njohurive mbi shpërndarjen dhe rolin ekologjik të mishngrënësve të mëdhenj. Kjo do të realizohet edhe përmes një platforme digjitale dhe një baze të dhënash të përbashkët që do të promovojë mbrojtjen e mishngrënësve të mëdhenj dhe ruajtjen e habitateve të tyre. Së dyti, do të promovohet adoptimi i proceseve më efektive pjesëmarrëse për të mbështetur menaxhimin inovativ të habitateve të mishngrënësve të mëdhenj. Një fokus i rëndësishëm do të jetë nxitja e kërkimit aktiv për zgjidhje ndaj sfidave në rritje, që lidhen me konfliktet sociale në zonat e bashkëjetesës, si dhe ndikimet kulturore dhe mjedisore në habitate. Së treti, aktivitetet do të përqendrohen në krijimin e mundësive për komunitetet lokale, siç është rrjeti i laboratorëve (Living Labs). Këta janë laboratorë të hapur ku komunitetet dhe palët e interesit marrin pjesë aktive në kërkime dhe aktivitete menaxheriale. Këto aktivitete do të kontribuojnë në zgjerimin e njohurive mbi mishngrënësit e mëdhenj, bashkë-krijimin e mundësive për rikuperimin e infrastrukturave të gjelbra dhe korridoreve ekologjike, si dhe në përcaktimin e strategjive të përbashkëta për bashkëjetesën.
Projekti: Projekti i titulluar “Forcimi i bashkëpunimit për adresimin e sfidave socio-mjedisore të nismës kryesore EUSAIR PET HAB ECO” (akronim 4PETHABECO) zbatohet në kuadër të programit Interreg IPA ADRION. Ky projekt synon ruajtjen e popullatave të mishngrënësve të mëdhenj duke testuar zgjidhje inovatore për mbrojtjen dhe rikuperimin e habitateve të tyre, përmes forcimit të infrastrukturave të gjelbra, reduktimit të konflikteve në bashkëjetesë dhe përmirësimit të lidhjes ekologjike. Efektet afatgjata të projektit do të sigurohen përmes bashkë-krijimit të strategjive dhe planeve të veprimit të përbashkëta për menaxhimin e popullatave të mishngrënësve të mëdhenj në rajonin Adriatiko-Jonian, mbrojtjen dhe forcimin e habitateve të tyre tokësore dhe lidhjes midis tyre. Ky projekt gjithashtu do të mundësojë zbatimin e objektivave strategjike të EUSAIR, në kuadër të nismës ndërkufitare kryesore PET HAB ECO. Partneri kryesor i projektit është Universiteti i Udines (Itali). Partneriteti përfshin gjithashtu nëntë institucione të tjera partnere: Institutin Mesdhetar për Studime Mjedisore të Qendrës për Shkencë dhe Kërkime Koper, Shoqatën e Gjuetarëve të Sllovenisë, Universitetin e Beogradit (Serbi), OIKON (Kroaci), Arcturos (Greqi), Venetian Cluster (Itali), CZIP – Qendra për Mbrojtjen dhe Kërkimin e Shpendëve (Mali i Zi), Igea MAK (Maqedonia e Veriut) dhe PPNEA (Shqipëri), si dhe shtatë partnerë të asociuar. Projekti ka nisur në vitin 2024 dhe do të zgjasë tre vjet.
Për më shumë informacion:
Dr. Aleksandër Trajçe
Director, PPNEA
a.trajç[email protected]