Ballkani Perëndimor: Shumica e fondeve të paketës së BE-së për krizën energjetike nuk mund të gjurmohen, tregon raporti i ri

Ballkani Perëndimor: Shumica e fondeve të paketës së BE-së për krizën energjetike nuk mund të gjurmohen, tregon raporti i ri

Njoftim për shtyp

23 korrik 2025

Vetëm 163 milionë euro nga fondi emergjent prej 1 miliard eurosh i Komisionit Evropian mund të provohen se kanë kontribuar për të trajtuar shkaqet rrënjësore të krizës energjetike dhe për të avancuar Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, sipas një raporti të ri të publikuar sot nga CEE Bankwatch Network (1). Më shumë se dy vjet pasi pjesa më e madhe e fondeve u shpërndanë, shumica e shpenzimeve dhe rezultateve ende nuk mund të gjurmohen duke përdorur burime publike.

E shpallur në nëntor 2022, Paketa e Mbështetjes për Energjinë për Ballkanin Perëndimor e BE-së synonte të lehtësonte efektet e menjëhershme të krizës energjetike dhe të përshpejtonte tranzicionin energjetik. 500 milionë euro do të disbursoheshin nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)(2), dhe gjysma tjetër konsistonte në mbështetje buxhetore për të ndihmuar familjet vulnerabël dhe bizneset e vogla.

90 për qind e fondeve të mbështetjes buxhetore u transferuan midis shkurtit dhe majit 2023, me pjesën e mbetur që do të disbursohej pas përfundimit të Planeve të Veprimit. Gjurmimi i shpenzimeve duhej të bazohej në tregues dhe jo në raportim të detajuar të shpenzimeve (3). Komisioni publikoi plane “indikuese” në vitin 2022, por versionet përfundimtare për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nuk duken të disponueshme online.

Subvencionet afatshkurtra për faturat e energjisë dominuan planet paraprake, me rezultate të paqarta. Në Shqipëri, mbështetja mbuloi vetëm skemat ekzistuese, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia ofruan pagesa të njëhershme pa efekt afatgjatë. Maqedonia e Veriut subvencionoi të gjitha faturat e energjisë elektrike për familjet përmes transfertave tek ndërmarrja shtetërore ESM, në vend që të targetonte konsumatorët më të cenueshëm.

Mali i Zi dhe Serbia përfshinë gjithashtu masa për “sigurinë energjetike” në Planet e tyre të Veprimit, duke përfshirë subvencione direkte për lëndë djegëse fosile përmes blerjes së rezervave të naftës.

Të gjitha vendet planifikuan stimuj për izolim termik, pajisje ngrohjeje efikase dhe/ose instalime të vogla të burimeve të rinovueshme, por vetëm Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova publikuan informacion të rëndësishëm mbi progresin e tyre. Nga 500 milionë euro të mbështetjes buxhetore, Bankwatch arriti të konfirmojë vetëm 41.1 milionë euro si kontribut në një tranzicion energjetik të qëndrueshëm.

Pippa Gallop, oficere për politikat energjetike në Evropën Juglindore në Bankwatch – ‘Mungesa e informacionit publik mbi paketën e krizës energjetike të BE-së për Ballkanin Perëndimor është e pakuptueshme. Fondet e bazuara mbi tregues të ngritura me nxitim po bëhen modus operandi (praktika e zakonshme) e Komisionit në rajon, por pa plane të qarta shpenzimi, konsultime publike, përditësime të rregullta dhe llogaridhënie, miliarda euro fonde publike rrezikojnë të shpërdorohen.’

Davor Pehchevski, koordinator për energjinë në Ballkan në Bankwatch – “Kriza kryesore energjetike ka kaluar prej kohësh, ndaj është koha që qeveritë dhe Komisioni Evropian t’i përgjigjen pyetjes miliarda-euro: çfarë është bërë dhe çfarë është arritur? Në një rajon të njohur për nepotizëm dhe korrupsion, është e pabesueshme që u shpërndanë kaq shumë para paraprakisht me kaq pak kushte. Ne presim që një vlerësim i plotë i Paketës të realizohet sa më shpejt, duke përfshirë të gjithë aktorët relevantë, dhe rezultatet të bëhen publike.”

Kontakt

[email protected]

Shënime për redaktorët

(1) Raporti është i disponueshëm këtu: LINK

(2) Komponenti i WBIF përbëhej nga:

  • 123 milionë euro grante për projekte infrastrukturore energjetike si panele diellore dhe me erë, të cilat Bankwatch i vlerësoi si relevante për avancimin e tranzicionit energjetik;
  • 52 milionë euro linja kredie, që me shumë mundësi mbështetën projekte me vlerë por mungon informacion publik mbi përfituesit dhe rezultatet;
  • 100 milionë euro për Programin Rajonal të Efiçiencës së Energjisë, që kryesisht mbështet projekte të dobishme por pa informacion publik për kohën dhe rezultatet;
  • 230 milionë euro për garanci EFSD+, të cilat janë të vështira për t’u gjurmuar dhe ndoshta ende nuk janë dhënë të gjitha.
 

(3) Deri në mesin e korrikut 2025, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrë këstin final prej 10% (në nëntor 2024 dhe dhjetor 2023); Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina e kanë kërkuar atë; ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia ende jo.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Green Agenda Navigator”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Projekti implementohet nga Belgrade Open School, në bashkëpunim me gjashtë partnerë rajonalë: Aarhus Centre Association, organizata Eco-Team, organizata Eco-Z, Center for Environmental Research and Information Eko-Svest, organizata Protection and Preservation of Natural Environment in Albania dhe CEE Bankwatch Network.

Postime të ngjashme