BIRDON NË KUNE-VAIN-TALE

BIRDON NË KUNE-VAIN-TALE
Fundjavën e kaluar BirdOn u zhvendos në Parkun Natyror Kune-Vain-Tale. Ky park, me shpalljen si rezervat gjuetie në vitin 1940, përfaqëson zanafillën e krijimit të rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura. I konsideruar si ligatina e tretë më e rëndësishme për shpendët e egër në Shqipëri, Kune-Vain-Tale renditet pas Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Fatkeqësisht, aktivitetet e paligjshme janë të pranishme edhe këtu, të përfaqësuara nga praktika vrasëse e gjuetisë së paligjshme.
Në këtë sesion, i cili përkoi me ditën e flamurit, pjesëmarrësit e kursit BirdOn patën mundësi të vëzhgonin një numër total prej 1756 individësh nga 40 lloje të ndryshme shpendësh. Lloji më i shpeshtë ishte bajza (Fulica atra) me 790 individë, i ndjekur nga çafka e bardhë e madhe (Ardea alba) me 175 individë dhe sqepluga (Mareca clypeata) me 139 individë. Gjithashtu, u vrojtua një individ i pulëbardhës së vogël (Hydrocoloeus minutus) që haset relativisht rrallë dhe në numër të vogël në vendin tonë.
Aftësitë e pjesëmarrësve në kundrimin e shpendëve janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Ne jemi krenarë për këtë brez të ri shpendkundruesish, i cili do të vazhdojë më tej këtë praktikë, duke edukuar miq e të afërm me dashuri kundrejt natyrës dhe jetës së egër.
© PPNEA
© PPNEA
© PPNEA
Postime të ngjashme