PPNEA në bashkëpunim me WWF Adria zhvilluan një trajnim 5 ditor në Parkun Kombëtar Shebenik, me pjesëmarrës specialistët e edukimit të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura nga Shqipëria dhe Drejtorive të Parqeve Kombëtarë, Parku Nacional Sharri dhe Bjeshkët e Nemuna nga Kosova.
Duke sjellë së bashku këta përfaqësues, ky program edukimi synon rritjen e njohurive në zbatimin në mënyrë të pavarur të aktiviteteve në fushën e edukimit natyror, mbi ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës, me nxënësit e shkollave.
Edukimi në natyrë është i një rëndësie themelore për zhvillimin e personalitetit të fëmijëve, pasi I ndihmon ata në krijimin e lidhjeve me natyrën, që në moshë të hershme.
Edukuesit kanë në një rol të shumëfishtë, pasi njëkohësisht janë dhe mentorët e fëmijëve për t’i afruar ata me botën natyrore dhe për të krijuar qytetarë të përgjegjshëm për të ardhmen.
Nëpërmjet aktiviteteve edukuese nga përvoja e drejtpërdrejtë me natyrën si dhe zhvillimit të lojërave, pjesëmarrësit simuluan perceptimet apo ndjesitë e tyre, njësoj siç nxënësit do t’i përjetonin aktivitetet, ne seanca të tilla edukimi.
Përgjatë trajnimit, eksplorimi i natyrës dhe identifikimi i llojeve, duke përdorur mjete të ndryshme por të thjeshta, apo edhe kundrimi i shpendëve që gjenden më së shumti në zonë, ishin shembuj aktivitetesh që ndihmojnë në shtimin e njohurive mbi ekosistemet dhe zinxhirin ushqimor.
Një vend të rëndësishëm patën edhe lojërat edukuese mbi zonat e mbrojtura, kriteret për shpalljen e parqeve kombëtare, rolet e një përdoruesi apo drejtuesi të zonave të mbrojtura.
Në këtë mënyrë mund të përgatiten nxënësit për të kontribuar në mënyrë aktive për ruajtjen e natyrës dhe për t’u sjellë në mënyrë të përgjegjshme me të.
Kjo eksperiencë e bukur, u përmbyll me një ekspeditë të grupit pjesmarrës në Shpellën e Akullit, mes terrenit magjik të Parkut Kombëtar Shebenik.
Falenderojmë të gjithë bashkëpunuesit, në veçanti stafin e ADZM Elbasan, për zhvillimin me sukses të këtij eventi.