Erjola Keçi

Erjola Keci, Lindur në Tiranë, Shqipëri, është profesore e asociuar pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Shqipëri; Fakulteti i Studimeve Profesionale; Ajo është lektore e Lëndëve Biologji dhe Mbrojtja e Detit e Mjedisit Detar pranë Departamentit të Shkencave Natyrore dhe të Aplikuara, Fakulteti i Studimeve Profesionale. Prof. As. Keci zotëron diplomë 5-vjecare – Bachelor në Biologji pranë Departamentit të Biologjisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës. Ajo zotëron gjithashtu gradën Master Shkencor i nivelit të dytë, pranë Departamentit të Biologjisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore; Universiteti i Tiranës. Në vitin 2014 Prof. As. KEÇI përfundoi studimet e ciklit të Doktoraturës në Biologji duke përftuar Gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”. Menjëherë pas përftimit të gradës “Doktor i Shkencave”, Znj. Keçi fitoi të drejtën ndërkombëtare për kualifikim pranë CNR (Centro Nazionale delle Ricerche, Italia) – Qëndrës Kërkimore Kombëtare në Itali dhe Universitetit të Palermos (Laboratori i taksonomisë molekulare dhe ai i Gjenetikës së popullatave dhe Evolucionit), për një periudhë prej gjashtë muaj. Prej Dhjetorit 2021, Znj. Keçi mban titullin akademik “Profesore e Asociuar” përftuar pranë Universitetit të Tiranës. Përveç edukimit të mësipërm, Prof. As. KEÇI ka kryer edhe një sërë specializimesh afatshkurtëra brenda dhe jashtë vendit. Prof. As. Dr. KEÇI ka eksperiencë akademike prej më tepër se 18 vjet.
Prof. As. Dr. KEÇI është angazhuar në Projekte Ndërkombëtare lidhur me politikat e ruajtes/mbrojtjes së natyrës/ujërave, menaxhimin e integruar të burimeve natyrore/ujore, programet e monitorimit të cilësisë së ujërave, për më tepër se 19 vjet. Ajo ka njohuri të avancuara të lidhur me kuadrin ligjor të BE për mjedisin dhe ujërat, të tilla si Direktiva Evropiane Kuadër e Ujit, Direktiva Kuadër e Strategjisë Detare, Direktiva e Habitateve, Direktiva e Trajtimit të Ujërave të Ndotur Urbane si edhe Direktiva të tjera Evropiane lidhur me mjedisin, ndotjen, ujërat. Praktika e saj e punës përfshin kryesisht:
- Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore dhe përgatitjen e Planeve të Menaxhimit të Baseneve Ujore, përgatitjen e Raporteve të Vlerësimit dhe Planeve të Veprimit në Ballkanin Perëndimor;
- Zbatimin e Direktivës Evropiane Kuadër të Ujit;
- Përgatitjen dhe zbatimin e Planeve Strategjikë të Veprimit për Basenet Ujore dhe Zonat e Mbrojtura;
- Menaxhimin e zonave të Mbrojtura dhe zhvillimin lokal;
- Vlerësimin biologjik të cilësisë së ujit; kampionimin dhe monitorimin e makroinvertebrorëve bentikë;
- Zhvillimin dhe zbatimin e programeve dhe planeve të monitorimit;
- Organizimin dhe zhvillimin e trajnimeve mjedisore;
- Mbledhjen e të dhënave dhe vlerësimin – identifikimin e problematikave, konsultimin, identifikimin e rreziqeve dhe mundësive;
- Qasjen dhe planifikimin gjithëpërfshirës për aktivitetet zhvilluese rurale, kombëtare dhe rajonale.
- Eksperiencë në aplikimin e barazisë gjinore në aktivitetet e sektorit të burimeve ujore.
Zj. Keci është familjarizuar me zhvillimin e kapaciteteve institucionale në sektorin e burimeve ujore, trajnimet dhe trajnimet në punë.
Prof. As. Dr. Keci është autore e tekstit të Biologjisë, tekst për studentët e shkencave mjekësore, autore dhe bashkë-autore e raporteve teknikë kombëtare e ndërkombëtare, monografive dhe shumë publikimeve në revista shkencore dhe konferenca rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare.