PPNEA, në kuadër të inventarizimit të shpendëve folezues në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë, realizoi dy herë gjatë sezonit të folezimit censusin e flamingove në këtë zonë. Herën e parë censusi u realizua në datën 7 maj 2020, ndërsa herën e dytë në datën 9 qershor.

Në censusin e parë u numëruan 1890 individë të flamingos, ndërsa në të dytin u identifikua një numër prej 2005 individësh. Flamingot, megjithëse janë një lloj i përhershëm në vendin tonë, ende nuk janë folezues, pavarësisht tentativave në zonën e kripores që prej vitit 2013.

Në sezonin e shtegtimit, PPNEA së bashku me Shpendët e Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, janë duke planifikuar realizimin e censusit kombëtar të flamingove. Ky aktivitet do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të shikojnë flamingot e të ndihmojnë në numërimin e tyre.
