GRUPIMI MJEDISOR RISJELL ÇËSHTJEN E ZONAVE TË MBROJTURA NË TRYEZËN E MINISTRIT TË RI TË MJEDISIT DHE TURIZMIT

GRUPIMI MJEDISOR RISJELL ÇËSHTJEN E ZONAVE TË MBROJTURA NË TRYEZËN E MINISTRIT TË RI TË MJEDISIT DHE TURIZMIT
Një numër Organizatash të Shoqërisë Civile, aktive në fushën e mbrojtjes së natyrës, ditën e premte, 29 Tetor 2021, realizuan një takim me Znj. Kumbaro, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit. Takimi u kërkua nga rreth 50 organizata pjesë e grupimit për kauzën e ruajtjes së zonave të mbrojtura (ZM) nga proçesi jo i drejtë i rishikimit të kufijve, nisur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që prej vitit 2019. Sikurse në këto dy vitet e fundit, grupimi i OJF-ve ishte tejet kritik si ndaj proçesit të ndjekur nga Ministria si dhe për ndikimin e këtij proçesi sidomos në zonat ligatinore bregdetare që janë njëkohësisht dhe epiqendra e larmisë biologjike të Shqipërisë.   OJF-të ritheksuan se:
  1. Proçesi i ndjekur deri më sot nga Ministria është në kundërshtim me legjislacionin për Zonat e Mbrojtura dhe me gjithë kuadrin ligjor për këshillimin publik që garanton transparencën në vendimarrje;
  2. Pasojat e rivlerësimit të nxituar, jo konform ligjeve dhe të pa bazuara shkencërisht në Zonat e Mbrojtura janë tejet negative për larminë biologjike kombëtare e sidomos për ZM-të ligatinore që janë njëherazi ZM ndërkombëtare (Ramsar, IBA, KBA, Emerald dhe Natura 2000)
  Thuajse i njëjti qëndrim mbahet dhe nga institucionet ndërkombëtare:
  1. Duke trajtuar ngjarjen me hollësi, Delegacioni i BE-së në Shqipëri thekson në raport progresin e fundit (2021) se Këshilli Kombëtar i Territorit ka aprovuar pa këshillim publik hartën e rishikuar të ZM-ve duke i fragmentarizuar dhe reduktuar ato dhe duke cënuar funksionalitetin ekologjik të ZM-ve. BE i kërkon Shqipërisë të dëgjojë komunitetin shkencor dhe palët e tjera të interesit në vend.
  2. Gjithashtu, donatorët kryesorë në fushën e mjedisit e shohin procesin dhe planet me ndikim të fortë në biodiversitet dhe jo transparent.
  Mbështetur në sa më lartë ne e ricilësuam proçesin jo të ligjshëm dhe përmbajtjen e tij shumë të gabuar. Ndaj, i kërkuam Ministrisë të mos nxitojë me proçesin e rishikimit të Zonave të Mbrojtura. Po kështu, ne i ofruam Ministrisë mendimet tona si më poshtë:
  1. Të hartojë paraprakisht Planin Specifik të ZM-ve në përputhje me ligjin per Zonat e Mbrojtura. Ky plan duhet të hartohet në bashkëpunim me shoqërinë civile. Plani duhet të tregojë dhe nevojën e ndryshimit, heqjes dhe shtimit të zonave të mbrojtura.
  2. Të rikryejë studimin për rishikimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura. Për çdo ZM duhet të ketë një grup specifik ekspertësh që të japin kontribut me të dhëna dhe të japin komente për sipërfaqen, habitatet, speciet dhe zonimin e brendshëm të çdo zone të mbrojtur.
  3. Të mos cënojë ndërkaq asnjë sipërfaqe të çfarëdo zone të mbrojtur përpara kryerjes së Planit dhe rikryerjes së proçesit të rishikimit të sipërfaqes.
  Ne falenderojmë Ministrin Kumbaro për mundësinë e këtij takimi që u konsiderua prej saj si vetëm një hap i parë bashkëpunimi me këtë pjesë të shoqërisë civile. E vlerësojmë shumë gjithashtu dëshirën e saj për takime të tjera tematike. Por, vizita jonë sot dhe kërkesat tona që prej më shumë se dy vitesh lidhen me moscënimin e zonave të mbrojtura e sidomos të zonave të mbrojtura ligatinore bregdetare.   Për fat të keq, Ministri Kumbaro nuk tregoi se ishte e gatshme të niste rishikimin e vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) të Dhjetorit 2020 që redukton, fragmentarizon zonat e mbrojtura dhe çon në degradim të larmisë biologjike. Për fat të mirë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ende në dorë mosligjërimin e vendimit të gabuar të KKT-së. Ne i treguam sot Ministrisë se cila është rruga që ne presim të ndiqet nga ky institucion publik. Mjafton të ndiqen mendimet dhe kërkesat tona më lart!   Nëse ky vullnet nuk ekziston atëherë OJF-të do të ndjekin misionin e tyre në mbrojtje të së mirës publike nëpërmjet fushatës aktive për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe përdorimit të të gjitha formave të ankimimit administrativ dhe ligjor. 
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *