Pranverën e shkuar, Dorian Nasi, një prej rojeve të administratës së zonave të mbrojtura që po kryente kontrollin ditor në shtigjet e ngushta natyrore të Parkut Kombëtar Divjakë Karavasta, vuri re praninë e pazakontë të makinave të ngarkuara me materiale ndërtimi, të cilat lëviznin përgjatë bregut jugor të Lagunës. Pa u vonuar, ai sinjalizoi menjëherë administratën dhe brenda një ore, një ekip prej katër rejnxhërsash u drejtuan me të shpejtë, në ndjekje të aktivitetit të dyshimtë.
“Në afërsi të Sektorit të Ri, jo më shumë se një kilometër larg Lagunës, ne dalluam një grumbull dheu me ngjyrë të bardhë…”, – tregon Doriani. “U afruam dhe vumë re praninë e një kanali të sapo-hapur, dhjetëra metra të gjatë, të cilin e kishin mbushur me gurë dhe me beton. Ishte e dukshme se bëhej fjalë për hedhjen e themeleve të një ndërtimi, ende i panjohur për ne. Ajo çka na befasoi edhe më shumë, ishte intensiteti i lartë me të cilin kishin punuar… Kisha qënë në të njëjtin vend, përpara 48 orësh, ku çdo gjë dukej e patrazuar, por gjithçka kishte ndryshuar brenda kësaj kohe fare të shkurtër”, – përfundon, jo pak i habitur, roja.
Kamionët ishin parkuar pa kujdes në një prej parcelave të shumta, anës një rruge të re, e sapo shtruar me çakull “të freskët”, e zgjeruar dukshëm mbi një prej shtigjeve të vjetra ekzistuese. Ndërhyrësit, disa prej të cilëve u prezantuan si inxhinierë spanjollë, ishin pak më shumë se dhjetë. Astrit Xhebrahimi, administratori i shoqërisë “Agro Fish Hoti” mori përsipër kryerjen e punimeve, në emër të shoqërisë. Ai nuk dorëzoi asnjë dokument, apo ndonjë leje konkrete punimesh, por informoi rejnxhërsat se bëhej fjalë për ndërtimin e një kompleksi serash diellore, të drejtën e së cilës e kishte marrë nga Ministria e Bujqësisë.
“Ne konstatuam shkeljen dhe përpiluam aty për aty një procesverbal, të cilin ia kaluam dy inspektoriateve, atij vendor (IVMT) pranë Bashkisë së Divjakës dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Mjedisit (IKMT)”, – shpjegon Doriani.
Territori mbi të cilën ishte ngritur kantieri i përkiste rrjetit të Zonave të Mbrojtura të Republikës, pjesë e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, një prej hapësirave ligatinore më të rëndësishme për shpendët e ujit në vend dhe njëkohësisht, një ekosistem natyror delikat, jashtëzakonisht i rrezikuar në ditët e sotme. I tërë territori i Parkut paraqet rëndësi ndërkombëtare pasi klasifikohet si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA).
Por asnjë prej atributeve të mësipërme nuk e pengoi shoqërinë “Agro Fish Hoti”, e cila pa asnjë dokument, leje mjedisore apo leje ndërtimi, të ngutej e të ngrinte kantierin në këtë zonë të mbrojtur dhe kaq shumë të kontrolluar. Madje, shoqëria kishte zgjeruar, dhunshëm, rrugën hyrëse, rreth 800 m të gjatë, duke hedhur inerte mbi shpinën e saj, njësoj sikur ta kishte në pronësi.
Falë ekspozimit, inspektoriati pranë bashkisë u vu në lëvizje, duke njoftuar gjobitjen e shoqërisë, por vetëm me 50,000 lekë.
Vetëm pas gjobitjes, shoqëria kërkoi të drejtën për kryerjen e punimeve (ndonëse të filluara). Pa kaluar 24 orë, bashkia ia dha të drejtën, mbështetur në kërkesën “për ngritjen e një sere diellore me themele të pavazhduara”. Por këtu kishte një tjetër problem. Nëse i përmbahemi togfjalëshit “me themele të pavazhduara”, ai binte ndesh me zhvillimin e punimeve reale ne terren, ku rejnxhërsat kishin konstatuar të kundërtën: vazhdimin e themeleve. Madje, në procesverbal ishin pohuar një numër shkeljesh të tjera, si hedhje betoni, mbushje me inerte; zgjerimi i rrugës me çakull. Me një fjalë, situata kërkonte që shoqëria të pajisej me Leje Ndërtimi, përpara se të fillonte punën. Procedura për marrjen e lejes, si dhe llojin që i përshtatet punimit, detajohen në Ligjin “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.
Por bashkia shpërfilli gjithçka, duke nxitur vazhdimin e punimeve, përmes miratimit të një lloji tjetër dokumenti, të së ashtuquajturës Deklarata Paraprake për Kryerjen e Punimeve, e cila mbështetej në projektin e shkruar në letër e jo mbi atë që zbatohej në terren. Në këto rrethana, dokumenti i duhur për vazhdimin e punimeve, duhej që të kishte qënë Leja e Ndërtimit, jo Deklarata Paraprake e Punimeve.
Legjislacioni planifikues (ndryshimet e 2020-s, neni 52), specifikonte edhe shkeljet. Kësisoj, meqënëse ishte ndërhyrë brenda një territori të mbrojtur, gjoba duhet të ishte në përputhje me klauzolën e përcaktuar në legjislacion. Ndryshimet e 2020-s, kërkonin vendosjen e një gjobe prej 5,000,000 lekësh. Akoma më shumë, sipas këtij legjislacioni, lejet apo deklaratat paraprake të punimit, të dhëna nga pushteti vendor, në këtë rast, nga Bashkia e Divjakës, të miratuara brenda Zonave të Mbrojtura, ishin akte absolutisht të pavlefshme, nëse nuk kishin marrë, paraprakisht, aktin e konfirmimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Sipas legjislacionit, shkelja e këtij rregulli nga autoritetet vendore dënohet me 2,000,000 lekë gjobë.
Ndërkohë, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), megjithëse u njoftua për aktivitetin e paligjshëm, u mjaftua me shkëmbimin e komunikimeve shkresore me Bashkinë e Divjakës dhe nuk e inspektoi shoqërinë në terren.
Ç‘është edhe më e dhimbshme, nëntë ditë pas hedhjes së themeleve dhe betonit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) njoftoi administratën në bazë që të lejonte shoqërinë të vazhdonte aktivitetin. Me këtë qëndrim, Agjencia reflektoi papërgjegjshmëri të theksuar, ndaj një shoqërie e cila, jo vetëm që kishte vepruar në kundërshtim me ligjin brenda një territori të mbrojtur, por kishte shpërfilluar edhe autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e këtij territori.
Mbi ç’argumente kishte lejuar AKZM-ja aktivitetin e shoqërisë, pa qënë në dijeni të kontratës së qiradhënies, apo të planit të biznesit?! Shoqëria kishte nënshkruar një kontratë për zhvillimin e një aktiviteti 99-vjeçar dhe AKZM nuk e konsideronte ende zënie përfundimtare të tokës!
Sa shumë vite duhen që zënia të quhet përfundimtare? Mos ndoshta, shekuj?!
Historia zinte fill, qysh dy vite të shkuara, në zemër të periudhës pandemike, kur në qershor të 2020-s, shoqëria “Agro Fish Hoti” u shpall fituese në një proces ku konkuroi e vetme, për marrjen më qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit, në një sipërfaqe prej 440,170 m2, për një periudhë 99-vjeçare. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kishte hapur procesin e konkurimit publik për dhënien me qira të tokës, me vendndodhje në Zonën Kadastrale 2085, të Njësisë Administrative Karavasta e Re” (Bashkia Divjakë), një pjesë e së cilës binte brenda Parkut Kombëtar. Nga ana e saj, Ministria, në rolin e qiradhënësit, kishte refuzuar të komunikonte, paraprakisht, me Administratën Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ndonëse njoftimi përbënte detyrim ligjor.
Ekskluziviteti i administratës së zonave të mbrojtura për ruajtjen e parqeve kombëtare po cënohet krejtësisht, jo vetëm nga presioni interesave të autoriteteve të tjera brenda qeverisë, por edhe nga degradimi i administratës, veçanërisht i lidershipit uzurpator, brenda radhëve të saj.
__________________________________________________
Pak kilometra më tutje në Gradishtë, fermerja Edmira Toska, po përballet me të kundërtën: humbjen e tokës bujqësore; nga 140 hektarë që kishte në dispozicion, tani i kanë mbetur vetëm 40.
Familja Toska e nisi biznesin blektoral me 3 lopë e më pas e shtoi me 13 dhe arriti kulmin me mbi 120 krerë në vitin 2012. Ata kultivuan elb, jonxhë, koçkull e grurë në një tokë shtërore për të cilën shteti, fillimisht pas viteve ‘90, nuk ishte interesuar; gjithsej 141 ha në katër parcela, deri sa një ditë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “i rrëmbeu” 100 ha.
“Na nxorrën me dhunë”, – tregon Edmira. “Ministria ua dha tokën biznesmenëve që erdhën nga Tirana. Ata e mbollën me oriz, por dështuan dhe u larguan. E mbajtën katër vjet të pashfrytëzuar e më pas e shndërruan në kënetë. Ashtu ka mbetur dhe sot”. – shpjegon, jo pa keqardhje, ajo.
Gjatë stinës së ngrohtë, Ermira dhe tufa e saj e mbetur zhvendosen tre-katër fshatra larg, në kërkim të kullotave të reja shtesë, të cilat i merr me qira. Ajo thotë se kjo nuk është një ekspeditë e lehtë, pasi, së pari, janë shtuar shpenzimet dhe së dyti, tokat nuk janë pjellore, pasi kanë një kripshmëri të lartë.
“Më kanë mbetur 21 krerë, gjithsej. Kam shitur lopët për të blerë ushqim dhe naftë; naftë që të punojë traktori. Nuk flitet për fitime, por të paktën ta mbaj tufën gjallë! Herën e fundit shita lopën më të vjetër që kisha…”, – përlotet ajo.
Shpresa për zgjimin e optimizmit duket një mision i pamundur tek Edmira, pasi, siç shpjegon ajo, qeveria po mbështet “të fuqishmit”, “u jep krahë atyre që të fluturojnë më lart, ndërsa të varfrit, ata që bien poshtë, i shkel…”.
E zhytur në rutinën ditore, ku përpjekja për mbijetesë i rrëmben të gjitha energjitë, Edmira nuk ka akses në të dhënat dhe në regjistrat zyrtarë, por çuditërisht, pohimet e saj konfirmojnë saktësisht çka datasetet e këtyre të dhënave faktojnë.
Parcelat e zonës kadastrale 2085, pikërisht atje ku Edmira Toska së bashku me tufën e saj, migrojnë gjatë stinës së ngrohtë në kërkim të kullotave të reja, janë shndërruar, tashmë, në një tregues suksesi për Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), një agjenci shtetërore që nxit dhe tërheq, të ashtuquajturat Investime Strategjike në favor të investitorëve të mëdhenj. Në shtatë vitet e fundit (2016-2022), qeveria ka transferuar gjithsej (të shpallura publikisht), rreth 1583.8 ha ara shtetërore për mbështetjen e këtyre investitorëve, vetëm nga Zona Kadastrale 2085, një pjesë e tokave të së cilës bie brenda territorit të mbrojtur të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.
200 ha e parë u dhanë në vitin 2016, për ngritjen e një fabrike e cila do të prodhonte panele druri me densitet të lartë nga prerja e kallamave, të gjendura me shumicë përgjatë kanaleve të ujit në anë të parcelave ligatinore. Rreth 800 ha të tjerë, në vitin 2018 iu dhanë pa qira, për një periudhë 99-vjeçare, një tjetër investitori, i konsideruar strategjik, për ngritjen e një plantacioni me shegë, goji berry, avokado dhe finger. Më pas, investitori strategjik i 800 ha shegë dhe avokado, kapi edhe 131 ha të tjerë brenda zonës kadastrale 2085, për ngritjen e një kompleksi agroturistik. Së fundi, në korrik (2022), Këshilli i Ministrave shkëputi 27 parcela të tjera, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 261.3 ha tokë shtetërore, nga Zona Kadastrale 2085, për t’i vendosur në dispozicion të investitorëve strategjikë. Ende nuk dihet se ç’lloj investimesh do të kryhen.
Në brendësi të Parkut, “Agro Fish Hoti”, po zgjeronte aktivitetin.
E konvertuar nën një emër tjetër: “Agro Natura 2022” (por nën të njëjtin nipt), ndryshe nga fermerja Edmira Toska në Gradishtë, shoqëria po kalonte pengesat falë “ndihmës” së autoriteteve.
Megjithëse rejnxhërsat konstatuan të tjera shkelje, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), një institucion që mbron dhe garanton qëndrueshmërinë e burimeve, “e lehtësoi” shoqërinë, duke miratuar dokumente që mundësonin vijimin dhe thellimin e mëtejshëm të punimeve. Krahas serave, shoqëria kërkoi ngritjen e një magazine bujqësore, të ambienteve të reja të shërbimeve dhe ndërtimin e dy rezervuarëve me ujë. Specifikisht, në dokumentin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), mendimi i AKZM si autoritet përgjegjës për administrimin e zonave të mbrojtura, mungonte. Agjencia po fshihej prapa opinioneve të institucioneve të tjera, të cilat e kishin jashtë objektit të veprimtarisë së tyre administrimin dhe ruajtjen e integritetit të zonave të mbrojtura.
AKZM nuk iu përgjigj një kërkese e cila kërkoi të dokumentonte opinionin e saj për këto zgjerime. A mund të garantohet integriteti natyror i zonave të mbrojtura, nëse përkushtimi dhe kontributi i rejnxhërsave injorohet?!
Edmira, fermerja që u rrit në Gradishtë dhe që për njëzet e pesë vjet mbarështoi sukseshëm 120 lopë, u dëbua, ndërkohë që tjetri, pa asnjë traditë bujqësore, i sapo mbërritur, u përkrah deri në paligjshmëri! Nuk është e vështirë për të kuptuar rrezikun që mund të shkaktojë një vendimmarrje kaq konfliktuale në terren…
Por më në brendësi, në zemër të Parkut, rezervoheshin të tjera “surpriza”.
Në tri vitet e fundit, numri i shpendëve të ujit në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta ka pësuar rënie të ndjeshme. Në çdo tre shpendë të numëruar në 2021, në 2022 është numëruar një më pak, ndërsa ka rënë me dy numri i shpendëve të numëruar në 2022, për çdo tre të tillë, dy vjet më parë (2020).
Sipas të dhënave paraprake, të referuara së fundi, falë projektit shkencor mbi “Forcimin e Kapaciteteve të Monitorimit dhe të Përmirësimit të Administrimit të Ekosistemit në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta”, një bashkëpunim 3-vjeçar, mes Administratës së Zonave të Mbrojtura, Qarku Fier dhe Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), biomasa e peshqve në Lagunën e Karavastasë ndodhet në kufijtë e katastrofës ekologjike.
Duke zbatuar një metodologji, e testuar dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht (përmes markimit të pendës së sipërme të qefujve), u arrit në përfundimin se stoku i tyre në Lagunë nuk kalon 3.5 kg/ha.
“Ne kuptuam se stoku aktual i qefullit është shumë më i vogël se ai që është publikuar në studimet e deritanishme, ndërkohë që publikisht vlerësohet një shifër, katër herë më e lartë”, – shprehet një prej ekspertëve të projektit, Spase Shumka.
Rezultati përbën një surprizë të pakëndshme, pasi alarmon edhe për diçka tjetër: cënimin e zinxhirit ushqimor, veçanërisht për simbolin e Parkut: Pelikanin Kaçurrel, folezimi i të cilit gjatë vitit të fundit, shënoi rënie të frikshme, e ngjajshme me ’97-n, kur në vend shpërthyen trazirat civile dhe mbizotëroi kaosi.
Ndonëse me një dinamikë aktive, për shkak të ndikimit të derdhjes së dy lumenjve (Seman në jug e Shkumbin në veri), qysh prej vitit 1984, Laguna e Karavastasë, një sistem ujor i mbyllur, nuk ka pësuar ndryshime të mëdha, qoftë në thellësi, kripëzim apo në temperaturë, thotë vlerësimi.
Atëherë, çfarë e ka shkaktuar rënien e prodhimit të peshkut?!
“Peshkimi në Lagunë është i pakontrolluar. Përveç një numri, jashtëzakonisht, të lartë të peshkatarëve të licensuar (mbi 200 licenca të dhëna nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural), të tjerë peshkojnë ilegalisht”, – konstaton Shumka. “Ka ardhur koha që administrata lokale e zonave të mbrojtura të marrë përgjegjësinë dhe lidershipin për administrimin dhe monitorimin në mënyrë të qëndrueshme të burimeve, brenda territoreve që mbrojnë, – përfundon ai.
Por një tjetër zbrazje e përcjell degradimin në një nivel të ri. Fjala është për largimin e njerëzve, çka ul fuqinë punëtore, duke rrezikuar mbarëvajtjen edhe të të ashtuquajturave Investime Strategjike.
Shpëtim Oseku, administratori dhe një prej aksionerëve të shoqërisë “Agro Iliria”, e cila përfitoi 800 ha tokë shtetërore në kufirin jugor të Parkut, thotë se deri tani ka mbjellë vetëm 100 ha, ndërkohë që ka hyrë në vitin e pestë të investimit.
“S’kam krahë pune! Kush do ta bëjë shërbimin? Kam frikë që të investoj”, – shprehet ai. U detyrova të marr punëtorë nga Bangladeshi. Erdhën në 10 të darkës dhe u larguan të nesërmen në 4 të mëngjesit… Ishin të organizuar. Shqipërinë e kanë si trampolinë”, – detajon ai.
I zhvendosur prej disa vitesh në zemër të Myzeqesë për të administruar investimin e tij të shegëve, nuhatjes së bisnesmenit Oseku, i është shtuar edhe dija teknike. Ai thotë se bujqësia në Shqipëri do të falimentojë dhe serat do të prishen, pasi vendi ka mbetur bosh. Sipas tij, Ministria (e Bujqësisë) po gabon, duke subvencionuar vetëm qendrat e grumbullimit, atje ku mblidhet produkti i fshatarëve, por jo fermerët. Ai thotë se janë pikërisht këto qendra që po e lënë fshatarin të varfër, duke argumentuar se administratorët e qëndrave duhet që të punësohen nga fshatarët, të jetojnë nga të ardhurat e fshatarëve e jo t’ua blejnë produktin fshatareve për t’ua shitur të tjerëve.
Tre kilometra më tutje, pranë brigjeve lindore të Lagunës, në tokat ranore të Vérëzit, Behar Çaushaj, një fermer lokal nga Zharneci i Divjakës, u shpreh se ekonomia e tij po rrënohej, vit pas viti. Por vështirësia më e madhe qëndronte në gjetjen e punëtorëve.
“Katandisesh që merr punëtorë cilëtdo që kanë mbetur këtu, pasi më të mirët janë larguar, – u shpreh ai. “Do të largohem dhe unë, do të shkoj tek fëmijët e mi që janë emigrantë në Itali”, –
Ishte, pothuajse, e panevojshme që fjalët të shërbenin për të kuptuar më shpejt mjerimin që syri mund ta shquante lehtësisht… Fermeri Behar Caushaj, i cili, për tridhjetë e një vjet kishte mbjellë patate dhe lakra, tani qëndronte i vetëm, pranë prodhimit të sapo vjelë të patateve, grumbujt e të cilave strehoheshin pas tij, nën me një çarçaf plastmasi në mes të arës, me shpresën se do t’i shiste mbi kosto.
“Do t’i mbaj këtu; shitet ose nuk shitet! Nuk mund t’i dërgoj nëpër magazina. Nuk më del. Jam i detyruar që t’i mbaj në kavaleta. Aty përtej te serat, mbolla 6 dynymë sallatë për eksport, por nuk u shit. Vjet u shit, ndërsa sivjet s’pati eksport. Po vazhdoi kështu do ta le tokën, – reagoi ai. “Nuk ka të ardhme”, – përfundoi, duke e mbyllur rrëfimin e tij të trishtuar.
Në parcelën ngjitur, Lul Noreci, një tjetër fermer patatesh, i cili, katin e parë të shtëpisë dykatëshe e ka transformuar në magazinë për të vendosur produktet bujqësore, nuk e bëri të gjatë, por i ra shkurt: -“Kur ikën rinia nga një vend, ikën krahu i punës! Atëherë, me çfarë do të ndërtohet ai vend, me p*rdhë?! Këtu po kërkojnë të ikin edhe pleqtë. Veç kjo ka mbetur!”.
Por në Remas, aty ku shtrihen parcelat shtetërore të zonës kadastrale 2085, fenomeni i largimi po prek, jo vetëm krahun e punës, por edhe nxënësit edhe fëmijët.
Të dhënat e ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP), tregojnë një rënie të pandalshme. Gjatë dekadës së fundit, numri i nxënësve është përgjysmuar. Ndërkohë që largimet kanë ndjekur një ritëm të pandryshuar edhe pas hartimit të dokumenteve të planifikimit të territorit. Në vitin 2018, Zona Kadastrale e paurbanizuar 2085 iu nënshtrua planifikimit të posaçëm nëpërmjet hartimit të Planit të Detajuar të Zonës me Rëndësi Kombëtare (PDZRK). Gjysma e shkollave 9-vjeçare u mbyllën që atë vit për mungesë të nxënësve.
Prej 2016-s, kur Këshilli i Ministrave “u dhuroi” (qindra hektarë me 1€, për 99 vjet) parcelat e para investitorëve strategjikë, brenda tokave të lira të zonës kadastrale 2085, numri i nxënësve të arsimit parauniversitar në Remas është pakësuar me një të tretën. Për çdo tre nxënës në 2016-n, në 2022-shin, një prej tyre u largua përgjithmonë. Por trendi negativ është më i theksuar në arsimin parashkollor, ku për çdo tre fëmijë në 2016-n, në 2022-shin larguan dy prej tyre. Ndërsa viti mësimor 2021-2022, shënon rënien më të madhe të fëmijëve në kopshte.
Boshatisja e shkollave përbën një pandemi kombëtare.
Dhjetëvjeçarin e shkuar, Ministria (e Arsimit) nxori dy udhëzime për të kontrolluar mbarëvajtjen e arsimit parauniversitar, por pa arritur të frenojë largimin e nxënësve. Në përpjekje për të disiplinuar kaosin, autoritetet u detyruan të ulnin numrin e nxënësve në mënyrë që t’i mbanin klasat ende aktive.
Por udhëzimi i fundit, i korrikut të 2021-shit i zvogëloi edhe më shumë, veçanërisht në zonat rurale. Kështu, klasat e gjimnazit, të cilat në vitin 2010 nuk lejoheshin që të zbrisnin nën 35 nxënës, këtej e tutje, u lejuan që të formoheshim vetëm me 10 të tillë.
Por largimi i përhershëm nuk është akti i fundit i degradimit social dhe mjedisor që po ndodh në një prej zonave më të pasura burimore në Shqipëri. Si në çdo braktisje, të larguarit tentojnë të rrëmbejnë ç’të mundin, ose të paktën, të mos lënë pas asgjë që mund t’i rikthejë.
Altin Kulla, një fshatar nga Karavasta e Re, i cili dëshiron që të prezantohet nëpërmjet pseudonimit e jo përmes emrit të vërtetë, rrëfen se fshatarët, përpara se të largohen, po shesin tokat. Ai tregon se në perëndim të shegëve, ngjitur me gardhin e parcelës, një shoqëri nga Tirana bleu 9 ha. Më tej vijon të shpjegojë me hollësi procesin e negociimit dhe të shitjes, ofertën e disponueshme dhe çmimin. Sipas Altinit, shitja nisi në qershor (2021) dhe se fillimisht, iu dhanë, rreth 200 ha, investitorëve që erdhën nga Tirana, të cilët deklaruan se do të ndërtonin panele fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike. Por Altini shpjegon se dhënia u kufizua më pas, ndërkohë që çmimi për dynym u rrit, nga 2000€ në 2500€ e deri në 3000€. Ai pohon se deri tani kanë ardhur edhe dy-tre kompani të tjera, por që kanë hasur vështirësi për shkak të copëtimit të parcelave, të cilat nuk kanë vijueshmëri pronësore, çka ka sjellë mosarritjen e marrëveshjejeve mes palëve. Altini saktëson se fillimisht, në momentin e nënshkrimi të kontratës, fshatarët marrin 20% të vlerës, ndërkohë që prona bllokohet në kadastër, deri në momentin kur pagesa bëhet e plotë.
Muajin e shkuar, Shqipëria dhe “Komuniteti i Energjisë”, ranë dakort që deri në 2030-n vendi ynë të mbulojë gjysmën e konsumit final bruto të energjisë prej burimeve të rinovueshme. Shqipëria ishte e vetmja në Këshillin Ministerial të nëntë vendeve pjesëmarrëse të “Komunitetit të Energjisë” që mori përsipër një objektiv kaq të lartë, prej 52%, ndërkohë që Serbia, me një territor tri herë më të madh, nuk kaloi më shumë se 40%.
Natyrisht, vendosja e këtij objektivi nxit zhvillimin e tregut të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, por çështja është, se sa i qëndrueshëm do të jetë një zhvillim i tillë. Nga ana tjetër, një shifër kaq flamurtare, rrezikon që të rrisë një presion të panevojshëm dhe njëkohësisht të papërballueshëm, kundrejt qindra hektarëve habitate ligatinore, që ndodhen përreth brigjeve të Lagunës së Karavastasë, por dhe më gjerë, nëpërmjet ndërtimit të impianteve fotovoltaike, kapacitetet e të cilave konsumojnë hapësira të konsiderueshme.
“Pse nuk subvencionojnë rrogën e punëtorit, por subvencionojnë energjinë?! Shteti nuk ka bërë asnjë studim në këtë zonë. Të na thotë, bie fjala, kjo lloj toke, me këtë diell, me se mund të mbillet; çfarë mund të kultivohet?”, – shpërthen Shpëtim Oseku, administratori i fermës së shegëve, të cilin më shumë se rënia e prodhimit e shqetëson rënia e krahut të punës.
“Këtu vijnë e bëjnë praktikën studentë gjermanë, por asnjë nga universiteti ynë. Ne kemi një universitet bujqësor. Janë treqind pedagogë atje dhe asnjë agronom nuk ka ardhur akoma”, – akuzon ai
Dorian Nasi, roja që pikasi i pari futjen e makinerive brenda territorit të Parkut, pranverën e shkuar, do të jetë i larguari më i ri në ditët që vijnë. Edhe ai vendosi që të largohet. Pas katërmbëdhjetë vjet pune, ai po le vendin ku u lind e u rrit, por mbi të gjitha, po dorëzon shpresën se diçka e mirë mund të rikthehet.
Askush nuk mund të thotë me siguri se ç’mund të rezervojë e ardhmja në Zonën Kadastrale 2085, pranë Lagunës. Ajo çka sot shihet qartë, është se aty nuk po mbetet askush, të paktën për ta mbrojtur.