KALI I QYQES VIZITON SOFRËN E KURVELESHIT – STACIONIN E DYTË MË USHQIM PLOTËSUES

KALI I QYQES VIZITON SOFRËN E KURVELESHIT – STACIONIN E DYTË MË USHQIM PLOTËSUES
Kontrolli i parë i kamerave kurth në stacionin e dytë me ushqim plotësues, solli lajme pozitive lidhur me rimëkëmbjen e popullatës së kalit të qyqes në Shqipëri. Prej fotografive dëshmuam vizitat e përsëritura të një individi të kalit të qyqes, çfarë tregon se stacioni e ka justifikuar funksionin e tij, furnizimin me ushqim të sigurt për këtë lloj të rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje. Kurthet e helmatisura janë një problem serioz të cilat ndodhin shpesh në të gjithë rajonin e Ballkanit, duke u shndërruar në një prej kërcënimeve kryesore ndaj kalit të qyqes, popullata e të cilit është ulur në 45 çifte përgjatë të gjithë Ballkanit. PPNEA, prej disa vitesh, ka ndërmarrë masa konkrete në ruajtjen dhe rimëkëmbjen e popullatës së kalit të qyqes, duke përfshirë ndërtimin e dy stacioneve me ushqim plotësues në jug të Shqipërisë, izolimin e shtyllave elektrike për mbrojtjen nga elektroshoku, formalizimin e rrjetit “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes”, etj. Gjejmë rastin të falenderojmë Bashkinë Tepelenë, Projektin “Nivica”, Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Gjirokastër dhe rrjetin “Shpëtimtarët e kalit të qyqes”, të cilët e përkrahën nismën e ndërtimit të një stacioni ushqimor, duke ndihmuar edhe në ngritjen dhe mirëmbajtjen e tij.  Dy stacionet me ushqim plotësues u ndërtuan me mbështjetjen e CEPF dhe mirëmbahen nga projekti “Egyptian Vulture New Life”.
Postime të ngjashme