Kjo periudhë, e cila përkon dhe me sezonin e shtegtimit të shpendëve është nga më magjiket për të gjithë ne, pasi mirëpresim në vendin tonë mijëra shpend shtegtues. Një ndër këto shpendë, është dhe Kali i qyqes, i cili tashmë ka nisur shtegtimin e tij nga Afrika drejt vendit tonë.
Nëpërmjet të dhënave të GPS dhe njoftimit nga kolegët e RSPB, Kali i qyqes i taguar (Neophron percnopterus) me emrin Vjosa po vjen së bashku me pranverën në Shqipëri. Tanimë foleja e tij nuk gjendet përreth një lumi të kërcënuar nga ndërtimi i hidrocentraleve, por brenda një Parku Kombëtar, i pari për një lum të egër në Evropë.
Aktualisht gjendet në Egjipt, nga ku do të vazhdojë rrugëtimin drejt Luginës së Vjosës, ku pritet të arrijë gjatë muajit Prill. Fluturimi për mbijetesë prej 5000 km i Kalit të qyqes është i mbushur me peripeci, pasi kërcënohet nga helmimi, elektroshoku me përplasjen me infrastrukturat e energjisë, persekutimi etj.
Rikthimi çdo vit i Kalit të qyqes përbën një lajm emocionues jo vetëm për ne, por dhe për banorët lokalë, të cilët e presin me padurim ta shohin të fluturojë në qiejt e Shqipërisë edhe një herë.
Na ndiqni në vijim për përditësimet më të fundit nga fluturimi i shkabës së fundit folezuese në Shqipëri.