Gjatë vitit 2025, përmes analizimit dhe krahasimit të fotove të marra nga kamerat kurth të vendosura nga PPNEA, u bë i mundur identifikimi i dy individëve të ndryshëm të rrëqebullit të Ballkanit në Parkun Kombëtar Shebenik. Ky është një rezultat shumë i rëndësishëm, pasi tregon qartë se në këtë zonë nuk kemi të bëjmë vetëm me individë kalimtarë që mund të vijnë nga Maqedonia e Veriut (Parku Kombëtar i Mavrovës), por me individë që jetojnë në mënyrë të qëndrueshme në park.
Në vijim të kësaj nisme, PPNEA po zbaton një program monitorimi në shkallë vendi për rrëqebullin në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Administratat e Zonave të Mbrojtura në ato rajone ku rrëqebulli është i pranishëm ose potencialisht i pranishëm. Studimi bazohet në një metodologji të standardizuar shkencore me kamera kurth dhe mbulon disa nga habitatet më të rëndësishme të vendit, të cilat njëkohësisht përbëjnë pjesë kyçe të korridoreve ekologjike. Zonat prioritare përfshijnë Parkun Kombëtar të Alpeve, Parkun Natyror të Munellës, Parkun Natyror Korab-Koritnik, Parkun Kombëtar Lurë–Dejë, Bizë–Martanesh, Shebenik dhe Polis–Valamarë. Zona e studimit është ndarë në grida me përmasa 20×20 km, ku në secilën vendosen kamera në pika strategjike, të përzgjedhura mbi bazën e terrenit, gjurmëve të kafshëve dhe potencialit për praninë e rrëqebullit dhe prenë e tij. Kamerat kontrollohen periodikisht dhe të dhënat analizohen për të kuptuar shpërndarjen, lëvizjen dhe dinamikat e popullatës. Rezultatet e para janë premtuese, duke siguruar të dhëna për praninë e rrëqebullit në Munellë dhe në zonën Korab–Koritnik.
Një tjetër lajm shumë i rëndësishëm erdhi në muajin shkurt të këtij viti nga stafi i AdZM në Elbasan, të cilët arritën të fotografojnë dy individë rrëqebulli në të njëjtën foto në pjesën jugperëndimore të parkut. Ky është një tregues i fortë shkencor për praninë e një popullate të vogël që jeton në këtë zonë, duke forcuar më tej rëndësinë e parkut për mbijetesën e këtij lloji në rrezik kritik zhdukje.
Monitorimit pritet të zgjasë rreth një vit. Gjatë ditëve në vazhdim, puna do të fokusohet në vendosjen e kamerave të tjera në zona malore të ndryshme, ndërsa ekspertët e PPNEA do të vazhdojnë me përforcimin e rrjetit të monitorimit të rrëqebullit të Ballkanit në të gjithë Shqipërinë.














