Data 6 Maj 2021
Një parajsë shpendësh në Shqipëri ndodhet nën rrezikun e ndërtimit të një aeroporti
++ Një aeroport është planifikuar të ndërtohet në Lagunën e Nartës ++ Një vend pushimi me rëndësi ndërkombëtare për shpendët shtegtarë ++ 8 Maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Shpendëve Shtegtarë
Vlorë, Tiranë, Radolfzell. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shpendëve Shtegtarë, 8 Maj 2021, fondacioni aktiv ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës EuroNatur së bashku me organizatën partnere në Shqipëri PPNEA, tërheqin vëmendjen për kërcënimin e madh ndaj shpendëve shtegtarë të Evropës. Qeveria e Shqipërisë është duke planifikuar ndërtimin e një aeroporti në Lagunën e Nartës. Vjosa, një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë, e ka grykëderdhjen në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, një nga zonat bregdetare më pak të prekura përgjatë Adriatikut. Kjo ligatinë me një sipërfaqe prej 42 km2 luan një rol tejet të rëndësishëm për shpendët shtegtarë përgjatë Adriatikut, si dhe është një nga zonat më të rëndësishme ku ushqehet pelikani kaçurrel.
Megjithëse Laguna e Nartës gëzon status mbrojtje, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke planifikuar ndërtimin e një aeroporti brenda zonës së mbrojtur, me qëllim nxitjen e turizmit në pjesën jugore të vendit. Planet për ndërtimin e aeroportit kanë filluar që në vitin 2018, megjithatë firmosja e kontratës është bërë tani afër, pavarësisht se asnjë studim për vlerësimin e ndikimit në mjedis nuk është ndërmarrë. “Nëpërmjet këtij veprimi, qeveria nuk ka thyer vetëm ligjet e veta, por edhe marrëveshjet ndërkombëtare,” shprehet Gabriel Schwaderer, Drejtori Ekzekutiv i EuroNatur. “Ne jemi të bindur se një vlerëzim rigoroz do të mbërrijë në një konkluzion të vetëm, që aeroporti nuk mund të përputhet me qëllimin e mbrojtjes së ekosistemit në Vjosë-Nartë,” vazhdon më tej Schwaderer.
EuroNatur së bashku me organizatat partnere prej vitesh është duke lobuar për mbrojtjen e lumit Vjosa dhe grykëderdhjes së saj. Qëllimi i tyre është krijimi i Parkut të parë Kombëtar për një lum të egër në Evropë, i cili shtrihet prej hapësirës së fillimit e deri në grykëderdhje. Ndërtimi i një aeroporti në Lagunën e Nartës do t’i cënojë këto plane. Zydjon Vorpsi nga organizata partnere PPNEA shton: “Nëse ky projekt infrastrukturor do të ndërmerret në Vjosë-Nartë, ai do të krijojë një precedent të tmerrshëm dhe do të hapë rrugën për ndërtimin e resorteve turistike, aeroporteve, etj., në zona të tjera të mbrojtura në Shqipëri.”
Informacion shtesë:
- Rruga e Shtegtimit të Adriatikut: Shtegtimi i shpendëve të Evropës qendrore, veriore dhe lindore përqëndrohet gjatë të ashtuquajturës Rruga e Shtegtimit të Adriatikut, e cila përshkon Ballkanin, Adriatikun, Italinë Jugore dhe Afrikën Veriore. Një nga zonat më të rëndësishme të pushimit gjatë bregdetit shqiptar është Laguna e Nartës.
- Dita Botërore e Shpendëve Shtegtarë festohet dy herë në vit gjatë një dite të Shtunë në Maj dhe Tetor për të tërhequr vëmendjen mbi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar me qëllim mbrojtjen e shpendëve. Eventet përfshijnë festivale, programe edukimi dhe shfaqje filmi. Këtë vit, slogani i kësaj dite është “Këndo, Fluturo, Ngrihu – Si një Shpend!”
- Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Qeveria e Shqipërisë ka planifikuar disa diga, dy prej të cilave do të ndërtohen në mesin e rrjedhës. Vizioni alternativ është krijimi i Parkut të parë Kombëtar për një lum të egër në Evropë, për të cilin EuroNatur dhe organizatat partnere të saj janë duke lobuar, sidomos gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit.
© Xhemal Xherri PPNEA
© Xhemal Xherri PPNEA
Fotografitë: Fotografitë e përfshira mund të përdoren vetëm një herë gjatë publikimit të këtij njoftimi për shtyp, duke respektuar të drejtën e autorit të secilit fotograf. Imazhet me cilësi të përshtatshme për printim mund t’i vendosen në dispozicion kujtdo që bën një kërkesë. Informacion mbi fotografitë:
- Laguna e Nartës në muzg: Me peizazhe të ndryshme në një zonë fare të vogël dhe ujin e njelmët, kjo lagunë është një zonë kyç për shpendët shtegtarë të Evropës.
- Si flamingo apo udhëtarë si dallëndyshja e madhe e detit, në Lagunën e Nartës shpendën e gjejnë tavolinën të shtruar me ushqim.
Kontakt:
Christian Stielow, EuroNatur |
[email protected] | +497732 – 927215
Klejn Ngraçani, PPNEA |
[email protected] | +355697334996