Pavarësisht shqetësimeve për ruajtjen e natyrës: BE hap negociatat me Shqipërinë për mjedisin

Pavarësisht shqetësimeve për ruajtjen e natyrës: BE hap negociatat me Shqipërinë për mjedisin

Bruksel, Radolfzell, Tiranë. Më 16 shtator 2025, BE hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë mbi Klasterin 4, përfshirë Kapitullin 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike. Ndërkohë që ky moment shihet si një sukses në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, pyetja është nëse ky hap është i përshtatshëm dhe i besueshëm, duke pasur parasysh tërheqjen e fundit të Shqipërisë në mbrojtjen e mjedisit.

Një rast domethënës bie në sy: ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë. Ky projekt nisi pa një leje ndërtimi të vlefshme, pa një Vlerësim të Besueshëm të Ndikimit në Mjedis (VNM) apo Vlerësim Strategjik Mjedisor (VSM), dhe avancoi vetëm pasi qeveria ndryshoi kufijtë e një zone të mbrojtur për të hequr nga mbrotja siperfaqen e kantierit të aeroportit. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ndryshoi Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke dobësuar masat mbrojtëse dhe duke hapur rrugën me ligj për projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike brenda zonave të mbrojtura.  

Këto nuk janë hapa të izoluara. Ato përbëjnë një model shqetësues të minimit të rregullave të ruajtjes, pikërisht në një moment kur Shqipëria pritej të përafronte legjislacionin e saj me acquis e BE-së për natyrën. Institucionet ndërkombëtare kanë folur tashmë: Konventa e Bernës ka kërkuar pezullimin e punimeve për aeroportin, ndërsa Parlamenti Europian ka paralajmëruar kundër këtyre ndryshimeve ligjore. Megjithatë, ndërtimi vazhdon dhe ligjet e shtrembëruara mbeten në fuqi.

“Hapja e negociatave për mjedisin tani mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, se Shqipëria mund të shkatërrojë mbrojtjen e natyrës dhe prapë të ecë përpara,” thotë Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur. “BE-ja duhet të dëshmojë se Kapitulli 27 nuk është thjesht një kuti për t’u shënuar, por një provë reale e gatishmërisë.”

Zgjidhjet dhe hapat e ardhshëm

Të dyja, si BE-ja ashtu edhe Shqipëria, mbajnë përgjegjësi për të siguruar që negociatat të mos shndërrohen në një ushtrim “greenwashing”. Standardet e përcaktuara në Pozicionin e Përbashkët të BE-së duhet të trajtohen si kushte të panegociueshme, dhe Shqipëria duhet të ndërmarrë veprime konkrete:
  • Të shfuqizojë dispozitat e dëmshme të Ligjit 21/2024 për Zonat e Mbrojtura dhe të heqë “investimet strategjike” që lejojnë zhvillimin në zona ekologjikisht të ndjeshme. Të rivendosë mbrojtjen e plotë të Vjosë-Nartës dhe zonave të tjera përkatëse.
  • Të pezullojë dhe rishikojë punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke e kaluar projektin një VNM-je dhe VSM-je të besueshme, dhe të lejojë transparencë dhe shqyrtim publik të plotë para çdo hapi tjetër.
  • Të zbatojë plotësisht Konventën e Aarhus-it, duke siguruar që qytetarët dhe OJQ-të të kenë qasje në informacion, të marrin pjesë në vendimmarrje dhe të sfidojnë projektet e paligjshme në gjykatë.
  • Të miratojë Planet e Zbatimit të Direktivave (DSIP) me afate të qarta, buxhete dhe masa zbatimi për ligjet mbi ajrin, ujin, mbetjet, natyrën dhe klimën.
Për BE-në, kjo nënkupton monitorim rigoroz dhe koherencë politike, dhe asnjë mbyllje e përkohshme e Kapitullit 27 derisa Shqipëria të ketë përmbushur në mënyrë të qartë këto kushte. Për Shqipërinë, kjo do të thotë të provojë me veprime, jo me premtime, se është e gatshme të përmbushë standardet mjedisore të BE-së.  

“Kriteret janë të qarta, dhe tani Shqipëria duhet të tregojë se mundet dhe do t’i përmbushë ato. Mbrojtja e Vjosës dhe Nartës nuk është vetëm një detyrë kombëtare, por një provë vendimtare nëse vendi është realisht gati për Evropë. Por kur projekte si aeroporti i Vlorës ecin përpara me vlerësime të gabuara, praktika të paligjshme dhe nëpërmjet shkeljes së zonave të mbrojtura, dhe kur mbikëqyrja e BE-së dështon, vihet në dyshim besueshmëria si e angazhimit të Shqipërisë, ashtu edhe e standardeve të BE-së,” shton Aleksandër Trajçe, Drejtor i PPNEA (Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri).

“Hapja duhet të shënojë fillimin e një pastrimi të vërtetë të qeverisjes mjedisore në Shqipëri, jo varrosjen e peizazheve të saj të fundit të egra nën beton. BE-ja i ka mjetet, i ka kriteret, por duhet t’i përdorë ato me vendosmëri. Asnjë urgjencë gjeopolitike nuk e justifikon shpërfilljen e mjedisit. Populli i Shqipërisë, dhe trashëgimia natyrore e përbashkët e Evropës, meritojnë asgjë më pak,” thotë Viktor Berishaj, Oficer i Politikave në EuroNatur.

  © Annette Spangenberg / EuroNatur
Postime të ngjashme