Annum Per Annum

I / E  dashur,

Dallëndyshja e detit (Glareola pratincola) është shpendi mikpritës i vjeljes sonë të ullinjve për vitin 2024.
Ju falënderojmë për mbështetjen tuaj në ruajtjen e këtij lloji të jashtëzakonshëm duke blerë “Annum per Annum” – një shishe vaj ulliri ekstra të virgjër nga Shqipëria.

Emri “Annum per Annum” simbolizon një rit të shenjtë mesdhetar: vjeljen e ullinjve, një traditë që festohet prej shekujsh. Pema e ullirit përfaqëson paqen, mençurinë, solidaritetin, shëndetin, qëndrueshmërinë dhe vetë jetën. Vit pas viti, ndërsa kujdesemi për këto pemë me metoda natyrore, rritemi me përvoja jetësore dhe thellojmë mirëkuptimin për bashkëjetesën.

Ky emër pasqyron gjithashtu ciklin e jetës së shpendëve shtegtues, të cilët kthehen çdo vit në habitatet që u nevojiten për të mbijetuar.

Ullishtja jonë ndodhet pranë Lagunës së Karavastasë, një ligatinë me rëndësi natyrore dhe një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët shtegtues në Mesdhe. Ky vend unik shërben jo vetëm si habitat për një varietet të veçantë shqiptar ullinjsh të njohur si Kalinjot, por gjithashtu është si shtëpi për shumë lloje shpendësh që kthehen çdo vit për të folezuar.

Ndërsa bashkëjetojmë në këtë ekosistem, ndjejmë përgjegjësinë për mbrojtjen e shpendëve shtegtues.

Çdo vit, ne do të vendosim në etiketën tone një lloj të ndryshëm shpendi nga kjo zonë. Një pjesë e të ardhurave nga çdo shishe e shitur do të dhurohet për PPNEA-n, për të mbështetur punën e tyre të paçmuar për ruajtjen e natyrës.

Dallëndyshja e detit

Dallëndyshja e detit është një shpend që jeton pranë mjediseve ujore. Ajo gjendet kryesisht në livadhe, kullota dhe toka bujqësore afër ligatinave.

Ushqehet me insekte, të cilat i kap gjatë fluturimit, duke ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të insekteve të dëmshme në zonat bregdetare. Laguna e Karavastasë, pjesë e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, ofron një burim të bollshëm ushqimi dhe habitate të përshtatshme për strehim, duke e bërë atë një vend të preferuar për këtë shpend.

Dallëndyshja e detit lëshon zakonisht 2-4 vezë në fole që i ndërton në tokë. Vezët kanë ngjyrë kremi, me njolla ose vija në të zezë dhe të kafenjtë, një strategji e zgjuar për t’i kamufluar me mjedisin përreth. Nëse ndjen rrezik pranë të vegjëlve ose vezëve, ajo lëshon thirrje të zhurmshme dhe kryen lëvizje të shumta për të tërhequr vëmendjen dhe për të larguar rrezikun.

Dallëndyshja e detit mund të shihet në Shqipëri gjatë periudhës prill-shtator, pasi është një shpend shtegtues që kalon dimrin në Afrikë.

Në Shqipëri, në hartën e saj të folezimit përfshin dhe Lagunën e Karavastasë, ku gjendet një pjesë e popullatës së saj, ndërkohë në vend, në total numëron rreth 630 çifte folezuese.

Dallëndyshja e detit është një lloj i mbrojtur në vend dhe nivel ndërkombëtar. Sipas listës së kuqe të Florës dhe Faunës në Shqipëri, ajo mbart statusin “E përkeqësuar” (VU).  Ndërkohë, në nivel ndërkombëtar, mbrohet nga konventa, ku është pjesë e Aneksit të I të Direktivës së Shpendëve, Aneksit të II të Konventës së Bernës dhe Konventës për Shpendët Shtegtues (CMS).

Fragmentimi dhe humbja e habitatit, ndërtimet në zonat ligatinore dhe ndotja janë disa nga kërcënimet kryesore për këtë shpend të rrallë. Mbrojtja dhe menaxhimi i Lagunës së Karavastasë dhe ligatinave të tjera janë thelbësore për ruajtjen e këtij lloji dhe të biodiversitetit që përfaqëson.

Dhuroni

Kontributi juaj financiar mund të jetë një ndihmë e madhe për ne që të punojmë për të mbrojtur të ardhmen e mjedisit natyror në Shqipëri.
Dhuro