``Prespa në fara`` – Edukimi natyror nëpërmjet artit

Projekti “Prespa në fara” – Edukimi natyror nëpërmjet artit, zbatohet nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri – PPNEA, në bashkëpunim me Bashkinë Pustec dhe shkollat e Parkut Kombëtar të Prespës, me mbështetje financiare nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Ky projekt përfshihet në kategorinë e eventeve kulturore që kontribuojnë në zhvillimin e artit lokal përmes rritjes së ndërgjegjësimit mbi qasjet mjedisore.

Në qendër të projektit është ideja novatore e përdorimit të artit si mjet edukues, ku nxënësit angazhohen përmes pikturës me fara për të shprehur lidhjen e tyre me natyrën dhe për të mësuar mbi biodiversitetin e rajonit. Arti, si formë komunikimi vizual dhe emocional, shndërrohet në një urë të fuqishme ndërmjet brezit të ri dhe natyrës që i rrethon.

Në fokus janë 15 nxënës të moshës 13–16 vjeç nga shkollat “Dy Dëshmorët” në Pustec, “Rezistenca e Goricarëve” në Goricë të Vogël, dhe “Shkolla 9-vjeçare Kallamas” në Kallamas, të cilët do të përfshihen në aktivitete të strukturuara edukative dhe krijuese. Ata do të marrin pjesë në trajnime mbi biodiversitetin, kurse artistike të specializuara, dhe do të krijojnë vepra origjinale duke përdorur fara të ndryshme bimore si materiale artistike.

Në bashkëpunim me një artist të njohur që punon me teknikën e farave, si dhe ekspertë të fushës së mjedisit, projekti synon të ofrojë një përvojë të pasur dhe frymëzuese për pjesëmarrësit. Sesionet do të përfshijnë jo vetëm mësimin e teknikave artistike, por edhe zhvillimin e aftësive për të artikuluar mesazhe mjedisore përmes artit.

Objektivat Specifikë

  1. Angazhimi i të rinjve në aktivitete edukative dhe artistike
  • Përfshirja e 15 nxënësve nga shkollat e Pustecit në trajnime dhe kurse artistike që lidhin artin me ruajtjen e mjedisit;
  • Rritja e ndërgjegjësimit të nxënësve për biodiversitetin dhe rëndësinë e mbrojtjes së natyrës përmes artit.
  1. Krijimi dhe promovimi i veprave artistike me tematika mjedisore
  • Organizimi i 5 kurseve ose sesioneve artistike ku nxënësit dhe artisti i ftuar do të krijojnë punime unike, duke përdorur teknika të veçanta si krijimi i portreteve dhe peizazheve me fara bimësh;
  • Realizimi i një ekspozite publike për të prezantuar veprat artistike dhe për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit për ruajtjen e natyrës.
  1. Përfshirja e artistëve dhe ekspertëve për të nxitur edukimin mjedisor
  • Ftesa dhe angazhimi i një artisti me përvojë në përdorimin e materialeve natyrore për krijimin e artit;
  • Organizimi i një takimi me ekspertë mjedisorë për të mbështetur zhvillimin e aktiviteteve dhe për të ofruar informacion të vlefshëm mbi biodiversitetin në Prespë.

 

Ky projekt është në harmoni me strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të Bashkisë Pustec dhe me prioritetet e PPNEA-s për edukim mjedisor dhe angazhim rinor. Ai synon të:

  • Zhvillojë aftësitë kreative dhe ndjeshmërinë mjedisore të të rinjve;
  • Nxitë kulturën e respektit ndaj natyrës;
  • Forcojë lidhjet ndërmjet komunitetit lokal dhe misionit të mbrojtjes së mjedisit.

Projekti konkludohet me organizimin e një ekspozitë publike, ku do të paraqiten veprat e nxënësve dhe do të shpallen fituesit e konkurrsit. Kjo ekspozitë do të jetë një ngjarje kulturore dhe mjedisore me ndikim të gjerë, ku do të ftohen përfaqësues të institucioneve lokale, komuniteti, prindër, media dhe aktorë të tjerë relevantë.

Përtej ndikimit të drejtpërdrejtë edukativ dhe kulturor, projekti synon të krijojë një model të ri të ndërveprimit me natyrën dhe të frymëzojë iniciativa të ngjashme në të ardhmen, duke ndërtuar një kulturë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet shkollave, institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Kohëzgjatja e projektit:

1 Prill 2025 – 30 Qershor 2025

Dhuroni

Kontributi juaj financiar mund të jetë një ndihmë e madhe për ne që të punojmë për të mbrojtur të ardhmen e mjedisit natyror në Shqipëri.
Donate Now