Rrëqebulli i Ballkanit

Emri shkencor

Lynx lynx balcanicus

Përshkrimi

Rrëqebulli i Ballkanit është grabitqari i tretë më i madh në Evropë, rajonin e Ballkanit dhe në Shqipëri pas ariut të murrmë dhe ujkut. Masa trupore e të rriturve varion ndërmjet 18-25 kg. Pamja e rrëqebullit është mjaft karakteristike. Kafshët kanë një kokë relativisht të vogël, këmbë të gjata, dhe një bisht shumë të shkurtër me majë të zezë. Fytyra e tyre është e shkurtër dhe e rrumbullakët, me një “mjekër” karakteristike në të dyja anët, që spikat veçanërisht te adultët, dhe veshët me një xhufkë të zezë në majë. Periudha e riprodjimit të tij zhvillohet nga shkurti deri në mes të prillit. Lindja bëhet pas 60-70 ditësh, zakonisht në fund të majit.

Ushqimi

Rrëqebulli i Ballkanit është mjaft selektiv. Preja kryesore e rrëqebullit është kaprolli, dhia e egër dhe lepuri. Në zonat ku ka dendësi të ulët të thundrakëve, shpendët dhe brejtësit përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dietës së tij.

Shpërndarja dhe habitati

Rrëqebulli banon në zonat pyjore në pjesën më të madhe të shtrirjes së tij. Ky nënlloj është i shtrirë në disa shtete të gadishullit të Ballkanit, si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Gjithsej, popullata e tij mendohet të jetë më pak se 50 individë, ndërkohë që në Shqipëri gjenden më pak se 10 individë. Nga tre popullata të identifikuara në rajonin e Ballkanit, dy prej tyre ndodhen në Shqipëri, në rajonin e Malit të Munellës dhe në ekosistemin Polis-Gur i Zi-Valamarë.

Statusi i ruajtjes

Rrëqebulli i Ballkanit kërcënohet kryesisht nga gjuetia e paligjshme, prerja e pyjeve dhe degradimi, si dhe mungesa e gjahut. Ky nënlloj mbrohet plotësisht nga legjislacioni shqiptar si dhe nga konventat ndërkombëtare, ku është pjesë e CITES dhe renditet në Shtojcën II të Konventës së Bernës. Në Shqipëri mbart statusin I rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje.

Dhuroni

Kontributi juaj financiar mund të jetë një ndihmë e madhe për ne që të punojmë për të mbrojtur të ardhmen e mjedisit natyror në Shqipëri.
Dhuro