“Egërsia e Vjosë-Nartës” është një ndërhyrje artistike e zbatuar nga PPNEA me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll, zyra e Tiranës. Ky projekt nisi në mes të dhjetorit 2022 në Destil Creative Hub, dhe për qëllim kishte sjelljen në qendër të kryeqytetit speciet e rrezikuara të shpendëve që strehohen në lagunën e Nartës, grykëderdhjen e lumit Vjosë – lumi i fundit me rrjedhje të lirë në Evropë. Ndërtimi i aeroportit të planifikuar nga qeveria brenda lagunës përbën një kërcënim serioz për biodiversitetin e pasur të zonës. Laguna e Nartës është një zonë kyçe për rrugën e shtegtimit të Adriatikut. Për shkak të pozicionit gjeografik dhe kushteve unike mjedisore, këto ligatina ofrojnë strehim për faunën e egër, veçanërisht për shpendët, duke përfaqësuar vlera të larta biologjike si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Intervistat e regjistruara u fokusuan në evidentimin e vlerave natyrore të Vjosë-Nartës. Zydjon Vorpsi, anëtar i PPNEA-s, në intervistën e tij diskutoi kërcënimin që paraqet ndërtimi i aeroportit të Vlorës, i cili rrezikon të shkatërrojë të gjithë ekosistemin nëse puna për ndërtimin e tij vazhdon dhe aeroporti bëhet funksional. Xhemal Xherri, gjithashtu anëtar i PPNEA-s, diskutoi mbi biodiversitetin e pasur të zonës, duke u përqendruar te shpendët shtegtues dhe ato që folezojnë aty. Dr. Nebi Bardhoshi, një etnograf i njohur në Shqipëri, diskutoi mbi marrëdhënien midis komuniteteve dhe peizazhit, duke sjellë perspektiva të reja mbi kontekstin lokal të ekspozitës. Ekspozita e parë u mbajt në Destil Creative Hub, në zyrën e Fondacionit Heinrich Böll në Tiranë. Megjithatë, projekti u zhvendos në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke ofruar ekspozita të përkohshme në institucione arsimore, parqe natyrore etj., me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi biodiversitetin e vyer dhe trashëgiminë natyrore.

Intervistat

© Xhemal Xherri / PPNEA

© Xhemal Xherri / PPNEA

© Xhemal Xherri / PPNEA

Ekspozitë

Cinja (Vanellus vanellus)

  • Gjatësia e trupit: 28-31 cm
  • Hapja e krahëve: 70-76 cm

Cinja ka madhësinë e një pëllumbi. Ka një shpinë me shkëlqim të gjelbër të errët, një bark të bardhë dhe një kreshtë karakteristike në kokë. Gjatë fluturimit, nënkrahët dhe trupi i bardhë krijojnë një kontrast të dukshëm me pendët e zeza të fluturimit.

Habitatet e përshtatshme për cinjën përfshijnë kënetat, kullotat, tokat e kultivuara dhe zonat pranë mjediseve të përmbytura përkohësisht. Ushqehet me insekte, merimanga dhe krimba toke. Ekzistenca e saj është e kërcënuar nga bujqësia intensive, përfshirë kultivimin e kullotave, si dhe nga shqetësimet gjatë sezonit të shumimit.

Kalorësi (Himantopus himantopus)

  • Gjatësia e trupit: 33-39 cm
  • Hapja e krahëve: 70 cm

Kalorësi dallohet për këmbët e tij të gjata dhe të kuqe. Krahët janë të zinj si në pjesën e sipërme, ashtu edhe në atë të poshtme, ndërsa fyti, gjoksi, barku, bishti, pjesa e pasme dhe një pjesë e shpinës janë të bardha. Tek mashkulli, koka dhe zverku kanë njolla të bardha, ndërsa tek femra, këto zona janë pothuajse tërësisht të bardha.

Habitatet e tij të përshtatshme janë kryesisht liqenet e kripura të cekëta dhe kënetat me ujë të kripur, por mund të gjendet edhe në ligatina me ujë të ëmbël. Ushqehet me insekte dhe organizma të tjerë ujorë.

Ekzistenca e kalorësit është e kërcënuar nga tharja dhe degradimi i kënetave, mbushja e lagunave me kripë, ndërtimet, si dhe shkatërrimi i foleve dhe vezëve nga kafshët e egra.

Kojliku i madh (Numenius arquata)

  • Gjatësia e trupit: 48-57 cm
  • Hapja e krahëve: 89-106 cm

Kojliku i madh dallohet lehtësisht nga sqepi i tij shumë i gjatë dhe i lakuar poshtë. Fluturon me rrahje të ngadalta të krahëve.

Habitatet e tij të përshtatshme janë ligatinat dhe zonat me bar të hapura, kryesisht përgjatë brigjeve. Ushqehet me jovertebrorë.

Ekzistenca e kojlikut të madh është e kërcënuar nga tharja dhe degradimi i kënetave, si dhe ndërtimet përgjatë brigjeve.

Gjelëza laramane (Arenaria interpres)

  • Gjatësia e trupit: 21-24 cm
  • Hapja e krahëve: 43-49 cm

Gjelëza laramane gjatë dimrit ka ngjyrë gri deri në kafe në pjesën e sipërme të trupit dhe një vijë të errët të dukshme në gjoks. Në verë, të rriturit kanë pjesën e sipërme portokalli-kafe, një zverk të bardhë dhe një kurorë të bardhë.

Habitatet e përshtatshme për këtë shpend gjatë dimrit janë ligatinat bregdetare të ndryshme. Ushqehet me kërmijtë e ujit dhe përdor sqepin për të kthyer gurët në kërkim të prehës së tij.

Ekzistenca e gurëkthyesit të kuqërremtë është e kërcënuar nga tharja dhe degradimi i kënetave, ndotja e ujërave dhe gjuetia e paligjshme.

Flamingo (Phoenicopterus roseus)

  • Gjatësia e trupit: 120-145 cm
  • Hapja e krahëve: 140-170 cm

Flamingo është një shpend i që nuk ngatërrohet. Të rriturit kanë ngjyrë të bardhë me motive rozë, ndërsa të rinjtë kanë nuanca gri deri në kafe. Ata shihen shpesh në grupe të mëdha. Gjatë fluturimit, dallohen lehtësisht për qafën dhe këmbët e gjata, si dhe për pjesën e kuqe në krahë.

Habitatet më të përshtatshme për ta janë zonat e gjera me ujë të cekët dhe të kripur. Në disa raste, mund të gjenden edhe në brigje me baltë dhe plazhe. Kryesisht mund të shihen në kriporet e Nartës. Ushqehen me krustace të vegjël.

Ekzistenca e flamingos është e kërcënuar nga shqetësimet e vazhdueshme, gjuetia e paligjshme, ngatërrimi në rrjetat e peshkimit dhe ndotja e ujërave.

Laroshja (Tadorna tadorna)

  • Gjatësia e trupit: 55-65 cm
  • Hapja e krahëve: 100-120 cm

Laroshja është kryesisht e bardhë, me një kokë të gjelbër të errët. Ka një vijë gështenjë përgjatë gjoksit dhe një pjesë të parme të krahëve të zezë. Pjesa e poshtme e krahëve dhe mbulesat e jashtme të tyre janë të bardha, ndërsa pendët e fluturimit janë të zeza.

Habitatet më të përshtatshme për të janë zonat bregdetare dhe ujërat e kripur pranë dunave të rërës. Ushqehet me krustace, molusqe, insekte uji dhe larvat e tyre, si dhe me pjesët e gjelbra të bimëve.

Ekzistenca e laroshes është e kërcënuar nga degradimi i kënetave, ndotja e ujërave, shqetësimet gjatë sezonit të shumimit dhe gjuetia e paligjshme.

Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus)

  • Gjatësia e trupit: 160-180 cm
  • Hapja e krahëve: 270-320 cm

Pelikani kaçurrel është një nga shpendët më të mëdhenj fluturues. Të rriturit kanë ngjyrë gri në të bardhë, me pupla “kaçurrela” në kokë. Ka një sqep të madh me një qese të kuqe të ndezur që bëhet më e theksuar gjatë sezonit të shumimit. Sytë dhe këmbët janë gri të çelët.

Habitati i tyre përfshin kënetat, liqenet, pellgjet e peshkut, rezervuarët dhe liqenet gjysmë të kripura. Ushqehen kryesisht me peshq. Ekzistenca e tyre është e kërcënuar nga tharja dhe shkatërrimi i kënetave, prishja e foleve dhe dëmtimi i vezëve nga kafshët e tjera, shqetësimet gjatë sezonit të shumimit si dhe goditjet elektrike në shtyllat e tensionit të lartë.

Dallëndyshja ballëbardhë e detit (Sternula albifrons)

  • Gjatësia e trupit: 21-25 cm
  • Hapja e krahëve: 41-47 cm

Dallëndyshja ballëbardhë e detit është lloji më i vogël i dallëndysheve të detit. Pjesa e sipërme e trupit të saj është gri, ndërsa pjesa e poshtme është e bardhë. Majat e krahëve janë të zeza. Ka kokë të zezë me një ballë të bardhë dhe një sqep të verdhë me majë të zezë.

Habitatet më të përshtatshme për dallëndyshen ballëbardhë të detit janë liqenet e kripura, ujërat e ëmbla dhe të kripura, kënetat dhe brigjet detare. Ajo ushqehet me peshq të vegjël. Ekzistenca e dallëndyshes ballëbardhë të detit kërcënohet nga tharja dhe degradimi i ligatinave, ndërtimet në zonat bregdetare, ndryshimet e niveleve të ujit, shkatërrimi i vezëve nga kafshë të tjera dhe shqetësimet gjatë sezonit të shumimit.

Vrapuesi i vogël (Charadrius dubius)

  • Gjatësia e trupit: 15-18 cm
  • Hapja e krahëve: 32-35 cm

Vrapuesi i vogël është pak më i vogël se vrapuesi i zakonshëm. Ka këmbë proporcionalisht më të gjata, një sqep më të hollë dhe më të errët, si dhe faqe të zeza në formë harku të kthyer poshtë. Gjatë fluturimit, vihen re vijat e holla në krahë. Në verë, krijon një unazë të verdhë rreth syrit.

Habitatet më të përshtatshme për të janë brigjet e cekëta (të detit, kriporeve, etj.) me zhavorr dhe rërë, si dhe zona që ofrojnë kushte të ngjashme. Ushqehet me insekte dhe krustace të vegjël.

Ekzistenca e vrapuesit të vogël është e kërcënuar nga urbanizimi i brigjeve dhe lumenjve, erozioni i paligjshëm i rërës dhe zhavorrit, si dhe shqetësimet gjatë sezonit të shumimit.

Ekspozita u realizua nga PPNEA me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll, Zyra e Tiranës

Ilustrimet, fotografitë dhe tekstet mbi shpendët janë marrë nga libri ‘Shpendët e Shqipërisë’, botuar nga PPNEA

Kuratorja artistike: Donika Çina

Dizajni: Apparat Studio