PRESPA NË FARA

PRESPA NË FARA

“Edukimi natyror nëpërmjet artit” solli në Prespë një mënyrë të re për të afruar të rinjtë me natyrën, ku arti me fara u kthye në një mjet edukimi, vetë-shprehjeje dhe ndërgjegjësimi. Projekti, i zhvilluar nga PPNEA në bashkëpunim me Bashkinë Pustec, nisi me ekspozitën e artistes Snezhana Llazarova Luna, ku publiku u njoh për herë të parë me këtë rrymë të veçantë arti të ndërtuar me materiale bimore si thjerrëza, quinoa e chia.

Pas këtij prezantimi frymëzues, 15 nxënës nga shkollat “Dy Dëshmorët” dhe “Rezistenca e Goricarëve” u përfshinë në një trajnim një javor mbi teknikën e artit me fara dhe rëndësinë e biodiversitetit. Nën udhëzimin e artistes dhe stafit të PPNEA-s, ata mësuan si të përdornin me kujdes dhe kreativitet çdo element për të shprehur vizionin e tyre për natyrën.

Në javët që pasuan, nxënësit krijuan veprat e tyre unike përmes durimit dhe përkushtimit. Këto piktura u prezantuan më 22 maj në ambientet e Bashkisë Pustec, në kuadër të Ditës së Biodiversitetit, në një ekspozitë ku u përfshinë mësues, prindër, përfaqësues institucionalë dhe komuniteti. Juria vlerësoi veprat më të spikatura, ku u theksua kreativiteti dhe ndjeshmëria ndaj natyrës.

Për të promovuar mesazhin e projektit, ekspozita udhëtoi më tej në formë ekspozite lëvizëse. Ndalesa e parë u bë në shkollën e artit “Tefta Tashko Koço” në Korçë, ku nxënësit vendas u frymëzuan nga veprat e bashkëmoshatarëve të tyre dhe sollën perspektivën e tyre përmes pikturave në telajo. Më pas, ekspozita u zhvendos në amfiteatrin “Odeon” në Pogradec, ku të rinj, të rritur dhe vizitorë të huaj u ndalën për të parë dhe diskutuar veprat, duke i dhënë kështu projektit një përmasë më të gjerë ndërveprimi. Prespa në Fara” tregoi se arti është një gjuhë e fuqishme që frymëzon, edukon dhe lidh brez pas brezi me përgjegjësinë për të mbrojtur natyrën.

Ky aktivitet përcolli mesazhin e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore të Prespës, duke treguar fuqinë e artit për të edukuar dhe frymëzuar brezat e rinj. Faleminderit të gjithë nxënësve, mësuesve, prindërve dhe partnerëve institucionalë që e bënë të mundur këtë përvojë të jashtëzakonshme.

 

 

 

Postime të ngjashme