26 – 30 Gusht 2024, Parku Kombëtar i Prespës, Shqipëri
Afati i aplikimit: E diel, 21 Korrik 2024
PPNEA, në bashkëpunim me partnerët e saj PrespaNet, Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë (MES) dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Prespës (SPP), do të organizojnë një shkollë verore ndërkufitare të titulluar “BiodiversePrespa – Eksplorimi i laboratorit të Prespës me kërkime në terren dhe ekspertë shkencorë”, e cila do të mbahet më 26 – 30 gusht 2024.
Kjo shkollë verore do të ofrojë një kombinim të strukturave teorike dhe aktiviteteve praktike, të cilat do të organizohen në Parkun Kombëtar të Prespës në Shqipëri. Përveç kundrimit të bukurisë së peisazheve natyrore dhe vlerave të rralla të biodiversitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin njohuri të tjera me metodologji të reja dhe protokolle monitorimi, si pjesë e punës kërkimore autentike në terren, me qëllimin kryesor të ruajtjes së biodiversitetit në pellgun ujëmbledhës ndërkufitar të Prespës.
PrespaNet është një rrjet prej tre organizatash mjedisore: PPNEA nga Shqipëria, ku zyra qëndrore ndodhet në Tiranë dhe zyra rajonale/lokale në Goricë të Vogël, në Parkun Kombëtar të Prespës; MES nga Maqedonia e Veriut, ku zyra qëndrore ndodhet në Shkup dhe zyra rajonale/lokale në Resen; dhe SPP nga Greqia, me prezencë fizike të zyrës së tyre në Bashkinë e Prespës në pjesën greke të Parkut Kombëtar të Prespës. Ky rrjet ka më shumë se një dekadë që është e përkushtuar për ruajtjen e Prespës Ndërkufitare dhe operon bashkërisht për këtë qëllim përmes projektit “Mbrojtja e pellgut ujëmbledhës të Prespës dhe jetës së egër në ekorajonin Prespa-Ohër-Shebenik përmes angazhimit të komunitetit”. Ky projekt konsiston në katër strategji kryesore:
– Studimet e shpendëve të ujit: Regjistrimi, metodat e identifikimit dhe rëndësia e tyre.
– Monitorimi i gjitarëve: Vëzhgimi i llojeve kryesore në Parkun Kombëtar të Prespës.
– Monitorimi i peshqve dhe zvarranikëve: Puna në terren mbi metodologjitë e monitorimit.
– Përfshirja lokale: Angazhimi me partnerët, palët e interesuara dhe përfaqësuesit e komunitetit.
Informacion për aplikantët
Shkolla verore është e hapur për të gjithë studentët e universiteteve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, dhe do të bashkojë 25-30 studentë nga niveli Bachelor dhe Master në Shkencat Mjedisore, Shkencat Natyrore, Shkencat Bujqësore, arsimi dhe fusha të tjera të ngjashme. Gjuha zyrtare e shkollës verore do të jetë anglishtja. Aplikantët duhet të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze.
Përparësi do të kenë aplikantët nga rajoni ose ata që aktualisht studiojnë në universitetet rajonale. Programi është gjithashtu i hapur për të sapodiplomuarit dhe profesionistët e rinj që punojnë në disiplina të ngjashme në Prespë.
Pjesëmarrja në shkollën verore është pa pagesë, me ushqim, akomodim, transport dhe sigurime të mbuluara nga projekti. Detaje të mëtejshme në lidhje me transportin, akomodimin dhe programin do t’u jepen aplikantëve të suksesshëm.
Pas përfundimit me sukses të shkollës verore, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata.
Për të aplikuar për shkollën verore, ju lutemi të plotësoni formularin e aplikimit të disponueshëm dhe dorëzojeni në adresën [email protected] deri në mesnatën e 21 korrikut 2024.
Të gjithë aplikantët e suksesshëm do të njoftohen deri më 11 gusht 2024.
Këtë vit shkolla verore organizohet nga PPNEA, përmes “Projektit të Prespës – Mbrojtja e ujit të Prespës dhe jetës së egër në ekorajonin Prespa-Ohër-Shebenik përmes angazhimit të komunitetit”, i cili financohet nga Prespa Ohrid Nature Trust (Fondacioni Natyror i Prespës dhe Ohrit) dhe Fondacioni Aage V. Jensen Charity Foundation, si dhe me mbështetje nga EURONATUR. Ky projekt ndërkufitar synon të forcojë bashkëpunimin midis anëtarëve të rrjetit PrespaNet, pra PPNEA, MES dhe SPP, përmes aktiviteteve konkrete të ruajtjes në rajon, veprimeve të integruara ndërkufitare për mbrojtjen e biodiversitetit dhe punës veçanërisht me të rinjtë, përmes edukimit dhe nismave vullnetare.