Në datat 15 dhe 16 Janar, nëpërmjet bashkëpunimit midis PPNEA, qendrës “Shpendët e Shqipërisë”, Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, INCA, si dhe AdZM Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër, u realizua me sukses Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit 2021, në qarqet Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër.
Skema ynë e monitorimit përfshiu një larmishmëri ligatinash, të shpërndara sipas numrave:
Qarku i Vlorës → 4 ligatina: Peizazhi i Mbrojtur Vjosë – Nartë, Laguna e Orikumit, Parku Kombëtar i Butrintit dhe Monumenti Natyror Syri i Kaltër;
Qarku i Gjirokastrës → 1 ligatinë: Rezervuari i Bulos; dhe
Qarku i Dibrës → 1 ligatinë: Liqeni i Ulzës
Gjeni më poshtë rezultatet përfundimtare nga monitorimi në ligatinat e sipërpërmendura.
Në Vjosë – Nartë, këtë vit u dëshmua një rënie në numrin e shpendëve krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, shifra aktuale është më e lartë se mesatarja e 6 viteve të fundit. Fatkeqësisht, në Lagunën e Orikumit dhe në Parkun Kombëtar të Butrintit, këtë vit u rregjistruan shifrat më të ulëta të 6 viteve të fundit. Ndërkohë që në Syrin e Kaltër shifrat janë pothuajse të njejta, në Rezervuarin e Bulos dëshmuam një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.
Arsyeja e këtyre rezultateve mund të justifikohet me kushtet e ngrohta klimatike që kanë karakterizuar muajin janar deri në ditët e realizimit të censusit. Prandaj, është krejtësisht normale që numri i shpendëve që shtegtojnë drejt jugut të jetë më i ulët.
Censusi i këtij viti solli disa surpriza tepër interesante, sikundër është rasti i vrojtimit të çafkës së purpurt (Ardea purpurea) në Lagunën e Orikumit, që ndoshta përfaqëson vrojtimin e parë të këtij lloji gjatë dimrit në Shqipëri.
Më tej, u vrojtua sërish, pas shumë vitesh, prania e pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në Parkun Kombëtar të Butrintit, si dhe u gjet një fole e re e lejlekut (Ciconia ciconia) po në këtë zonë.
Ekipi ynë dëshiron të falënderojë të gjithë kolegët dhe vullnetarët që gjatë ditëve të censusit punuan aktivisht për të mundësuar zhvillimin e këtij aktiviteti madhor shpendkundrimi.


©Z. Vorpsi / PPNEA

©Z. Vorpsi / PPNEA

©Z. Vorpsi / PPNEA

©Z. Vorpsi / PPNEA

©Z. Vorpsi / PPNEA

©Z. Vorpsi / PPNEA