Gjatë shtegtimit një-mujor nga Evropa veriore drejt Afrikës Sub-Sahariane, bilbilthat fushor të kallamave zakonisht udhëtojnë gjatë orëve të natës. Megjithatë, kërkuesit tanimë kanë zbuluar se gjatë rasteve të rralla kur këta shpendë shtegtojnë gjatë ditës, ata fluturojnë në lartësi ekstreme (deri në 6300m). Një shpjegim i mundshëm për këtë veprim të papritur mund të jetë që shpendët evitojnë tej-nxehjen.
Pjesa më e madhe e shpendëve këngëtarë që shtegtojnë çdo vit midis Evropës dhe Azisë fluturojnë gjatë natës, ndërkohë që orët e ditës i përdorin për të pushuar apo ushqyer. Disa prej këtyre llojeve në raste të caktuara udhëtojnë për 24 orë pa ndaluar, në mënyrë që të evitojnë pushimin në vende jo të përshtatshme, të cilat nuk ofrojnë ushqim të mjaftueshëm, si shkretëtirat apo detet. Bilbilthi fushor i kallamave (Acrocephalus arundinaceus) është një prej tyre. Gjatë shtegtimit të tij një-mujor, ai mund të fluturojë deri në 34 orë pa ndaluar.
Një ekip kërkimor nga Universiteti i Lund në Suedi, Universiteti i Kopenhagenit dhe nga Qendra për Kërkime Natyrore në Vilnius, ka përdorur regjistra unik të dhënash të hartuar në Universitetin e Lund, për të gjurmuar 14 bilblitha fushor të kallamave, të cilët u kapën gjatë stinës së verës pranë Liqenit Kvismaren, afër me Örebro në Suedinë Qendrore.
Regjistrat mblodhën informacion për më tepër se një vit, duke prodhuar të dhëna tejet të vlefshme. Ndërkohë që bilbilthat fushor të kallamave shtegtonin nga Evropa në Afrikë dhe anasjelltas, regjistrat e të dhënave grumbulluan informacion mbi lartësinë, aktivitetin, si dhe pozicionimin diellor. Matjet e lartësisë u regjistruan një herë në orë, ndërkohë që çdo pesë minuta regjistrat ruanin informacion nëse shpendët ishin duke fluturuar, duke kërkuar ushqim apo duke pushuar.
Bazuar në këtë informacion, kërkuesit llogaritën që bilbilthat fushorë të kallamave fluturuan në një lartësi mesatare prej 2400 metër gjatë natës. Në disa raste kur shpendët fluturuan me tepër se një natë, ata u ngjitën në 3000 metër lartësi gjatë agimit, për të fluturuar në një lartësi prej 5400 metër gjatë ditës. Ata qëndruan në të njejtën lartësi deri në perëndim, ku u ulën në 3-4000 metër dhe vazhduan fluturimin në një lartësi prej 2000 metër gjatë natës në vijim.
Rezultatet e studimit ishin surprizuese, si për Sissel Sjöberg dhe Dennis Hasselquist, studiuesit e Universitetit të Lund të cilët udhëhoqën studimin, ashtu edhe për kolegët e tyre. Ata e përshkruan sjelljen e bilbilthit fushor të kallamave si tepër konsistent, duke lënë të kuptohet se shpendëve i duhet të fluturojnë më tepër se dyfishi i lartësisisë së zakonshme gjatë natës për të menaxhuar shtegtimin gjatë orëve të ditës.
Ende nuk ekziston një shpjegim përfundimtar. Megjithatë, ekipi kërkimor ka përjashtuar shpjegimet mbizotëruese mbi përzgjedhjen e lartësisë, si era dhe temperatura e ajrit.
“Në lartësi mbi 2000 metër, temperaturat e erës dhe ajrit nuk ndryshojnë gjatë ditës dhe natës,” shpjegon Sissel Sjöberg. Për më tepër, gjatë rrugës së shtegtimit nuk gjenden male të larta të cilët mund të detyrojnë shpendët të ngjiten në lartësi ekstreme. Një shpjegim i mundshëm mund të jetë se gjatë ditës, bilbilthat fushor të kallamave kanë një fushëpamje më të gjerë, prandaj e kanë më të lehtë të evitojnë shpendët grabitqarë. Por, studiuesit propozojnë edhe një shpjegim alternativ: shpendët ngjiten më tepër se dyfishin e lartësisë gjatë ditës për të evituar tejnxehjen kur ata janë të ekspozuar për një kohë të gjatë në rrezatimin diellor.
“Është më freskët në lartësi dhe kur shpendët ngjiten në 5400 metër, ata arrijnë një shtresë ajri me një temperaturë rreth minus 9 gradë celcius. Kjo temperaturë është 22 gradë më e ftohtë se në lartësinë që shpendët fluturojnë gjatë natës,” shpjegon Sissel Sjöberg.
“Krahët e shpendëve këngëtarë lëvizin disa herë brenda një sekonde, duke e nxehur trupin e tyre pavarësisht nëse janë duke flutuaruar natën apo ditën. Por, nëse ata fluturojnë gjatë ditës, trupi i tyre është më i ekspozuar ndaj të nxehtit të rrezatimit diellor; kjo është ajo çfarë mendohet se ata kompesojnë duke u ngjitur në një shtresë më të ftohtë ajri gjatë ditës. Ka shumë mundësi që ata nuk do të mund të arrijnë të fluturojnë në atë lartësi gjatë ditës, pa rrezikuar të tejnxehen”, shpjegon Dennis Hasselquist.
Këta studiues janë duke e vazhduar kërkimin mbi bilbilthat fushor të kallamave. Në kohën e duhur, ata shpresojnë të gjejnë përgjigjen e saktë përse këta shpendë sillen në këtë mënyrë, një përgjigje e cila mund të shpjegojë edhe përse shpendët që shtegtojnë në tropik gjatë dimrit fluturojnë pothuajse krejtësisht gjatë natës, ndërkohë që gjatë pjesës tjetër të vitit, ata janë aktiv gjatë ditës dhe natën e përdorin për të pushuar.
© PPNEA
Burimi i të dhënave:
Materiale nga Universiteti i Lund.