Stacionet me ushqim plotësues të ndërtuara nga PPNEA, kanë dëshmuar vizita të përsëritura prej disa llojeve të rrezikuara në mënyrë kritike si Kali i Qyqes (Neophron percnopterus), apo edhe shpendë të tjerë. Sofra e Kurveleshit, stacioni i dytë me ushqim plotësues, është vizituar së fundmi prej një lloji tepër të dashur nga të gjithë ne, Shqiponja e Malit (Aquila chrysaetos), simboli ynë kombëtar.
Fotografitë e realizuara në brendësi të stacionit, nëpërmjet kamerave kurth, paraqesin momente nga vizita e Shqiponjës së Malit, duke dhuruar njëkohësisht pamje të qarta të tipareve karakteristike të këtij lloji, si sqepi i kthyer, vështrimi krenar apo kurora e artë, tipar nga i cili merr edhe emrin krahinor Shqiponja e Artë.
Kjo mbretëreshë e qiejve, grabitqare e kalitur, gjendet nën kërcënimin e zhdukjes. Në të njejtën mënyrë si Kali i Qyqes, Shqiponja e Malit rrezikohet nga helmimi i paqëllimshëm, jo i drejtpërdrejtë. Për këtë arsye, stacionet e ndërtuara nga PPNEA luajnë një rol kyç në rimëkëmbjen e kësaj popullate, duke ulur rrezikun e helmimit nëpërmjet ofrimit të ushqimit të sigurt.