Evidenca e Parë e Fokës së Mesdheut në Sarandë

Evidenca e Parë e Fokës së Mesdheut në Sarandë
Gjatë vizitave për investigimin e pranisë së fokës së Mesdheut në jugun e Shqipërisë, PPNEA arrin të sigurojë evidencë në format video mbi praninë e saj në Sarandë. Kjo evidencë u sigurua përgjatë zhvillimit të intervistave me grup target peshkatarët, zhytësit, banorët lokal, si dhe përfaqësues të bizneseve. Filmimi është rregjistruar prej peshkatarëve të zonës, të cilët ushtojnë çdo ditë aktivitetin përgjatë vijës bregdetare. Sipas tyre, gjatë këtij viti, ju është dhënë mundësia për të parë disa herë dy individë të përmasave të ndryshme. Duke u bazuar në përshkrimin e karakteristikave të trupit mendohet të jenë një individ adult dhe një tjetër i ri i Fokës së Mesdheut. Informacionet e detajuara mbi vendndodhjen, kohën, si dhe karakteristikat fizike u përfituan përgjatë zhvillimit të intervistave në zonë me fokus prezencën e fokës dhe perceptimet e komuniteteve lokale lidhur me të. Zonat e përfshira në këtë proces përshijnë Sarandën, Ksamilin  dhe Himarën. Nga përgjigjet e ndryshme arritëm të kuptojmë se perceptimet mbi fokën ishin tepër pozitive dhe se komuniteti lokal e mbështet mbrojtjen e këtij gjitari ujor. PPNEA, me mbështetjen e aktorëve dhe banorëve lokal do të angazhohet vazhdimisht për sigurimin e qetësisë, në mënyrë që këtij lloji të rrallë t’i ofrohen kushtet e përshtatshme për strehimin dhe riprodhimin përgjatë brigjeve tona. Organizata jonë i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë pranë nesh çdo rast evidence të fokës së Mesdheut.
Postime të ngjashme