FOLEZIMI I SQEPBIZËS NË ZONËN E PEIZAZHIT TË MBROJTUR VJOSË-NARTË

FOLEZIMI I SQEPBIZËS NË ZONËN E PEIZAZHIT TË MBROJTUR VJOSË-NARTË
PPNEA, në kuadër të monitorimit të shpendëve folezues në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, ka realizuar inventarizimin shterues në disa prej habitateve dhe për disa prej llojeve brenda kësaj zone. Një prej habitateve në të cilin u zbatua kjo qasje metodologjike është hapësira e kripores, ku u inventarizuan të gjithë shpendët folezues të ujit. Në ditën e sotme kemi kënaqësinë të raportojmë rezultatet e këtij procesi lidhur me Sqepbizën (Recurvirostra avosetta).
Një numër total prej së paku 495 dhe së shumti 525 çiftesh folezuese u numëruan në zonën e kripores. Përgjatë këtij sezoni folezimi, vezët e para Sqepbiza i lëshoi në fund të muajit prill, ndërsa zogjtë e parë çelën rreth datës 28 maj. Megjithatë, në një numër të konsiderueshëm të foleve, inkubimi zgjati deri pranë javës së 3-të të qershorit, ndërsa në pak fole zgjati edhe më vonë.
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është i vetmi vend në Shqipëri ku Sqepbiza folezon në numër relativisht të lartë, i cili përbën përafërsisht 1% të popullatës Europiane të këtij lloji. Megjithatë, Sqepbiza është raportuar si folezuese, apo si folezuese e mundshme gjithashtu në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku është e pranishme me një numër tejet të ulët çiftesh folezuese.
Këto të dhëna tregojnë edhe njëherë rëndësinë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë si zonë kyç për biodiversitetin, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën.
Ky aktivitet u mundësua falë mbështetjes së projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave”, i financuar nga Fondi i Partneritetit për Ekosistemet e Kërcënuara (CEPF).
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *