Fundjavën e kaluar, u realizua sesioni i parë praktik i kursit të dallimit të shpendëve të egër BirdON. Zona e përzgjedhur për praktikën e parë është ajo e ligatinës së Durrësit, në simbolikë të rëndësisë që ky mjedis mbart për shpendët e egër në njërën anë dhe intensitetin e lartë të aktivitetit të gjuetisë së paligjshme dhe keqmenaxhimit në anën tjetër.
Gjatë kësaj praktike, studentët patën mudësi të vrojtojnë në terren një numër prej 824 individësh nga 28 lloje të ndryshme shpendësh, kryesisht atyre të mjediseve ujore dhe veçanërisht të rendit të baltakëve dhe shpendëve të ujit qafëgjatë, ku nuk mungoi edhe vrojtimi jo aq i rrallë (për këtë zonë) i një individi të pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus). Në vijim, u vrojtuan edhe 8 lloje të rendit të harabelorëve si p.sh. drenja e malit (Anthus spinoletta) dhe kërpngrënësi (Linaria cannabina), që kemi fatin t’i shohim në zonat e ulëta gjatë kësaj periudhe, por edhe lloje të përhershëm të këtij mjedisi si sqepholli i xunktheve (Cisticola juncidis), dervishi (Galerida cristata), etj. Gjithashtu kjo praktikë e parë nxorri në pah edhe motivimin dhe mprehtësinë e të gjithë kursantëve, madje performancën mbresëlënëse të disa prej tyre në dallimin e llojeve.
Krahas dallimit të shpendëve të egër, kursantët e BirdON trajnohen edhe në metodikat e inventarizimit duke ndjekur procesin e numërimit dhe grumbullimit të të dhënave të sakta në terren. Këto të dhëna do t’u vihen në dispozicion institucioneve përkatëse të menaxhimit me qëllim përdorimin e tyre në funksion të përmirësimit të planifikimit dhe menaxhimit të zonave të përzgjedhura nga BirdON për sesionet praktike.
Qëllimi ynë është të rrisim kapacitet në fushën e ornitologjisë në vend si dhe të ndihmojmë në gjenerimin e të dhënave dhe përmirësimin e menaxhimit të zonave të rëndësishme për shpendët në Shqipëri.
©PPNEA
©PPNEA
Çafka e përhime (Ardea cinerea) ©O. Lama/ PPNEA