Të mësuarit rreth “monitorimit dhe menaxhimit të ligatinave” – Shkolla verore ndërkufitare online erdhi drejt një fundi, por shpirti i bashkëpunimit vazhdon të jetojë

Të mësuarit rreth “monitorimit dhe menaxhimit të ligatinave” – Shkolla verore ndërkufitare online erdhi drejt një fundi, por shpirti i bashkëpunimit vazhdon të jetojë
Pavarësisht se shkolla e parë verore, ndërkufitare, në format online, me studentë nga të tre shtetet që ndajnë liqenet e Prespës erdhi drejt një fundi, ne jemi tepër të gëzuar me rezultatet dhe shpirtin bashkëpunues të treguar në këtë shkollë verore mbi monitorimin dhe menaxhimin e ligatinave, si dhe me mënyrën se si ajo u organizua dhe u implementua. Vendimi që një shkollë e tillë të ndërmerrej tërësisht në një mjedis virtual ishte i domosdoshëm për arsye të krizës shëndetësore globale. Megjithatë, ngrohtësia e ndjerë prej pjesëmarrësve dhe organizatorëve i atribuohet përpjekjeve të përbashkëta dhe entuziaste prej të gjithë atyre që ishin pjesë e kësaj iniciative. Objektivi kryesor i shkollës verore ishte ndarja dhe eksplorimi i mënyrave se si mund të qasen çështjet e lidhura me menaxhimin e ligatinave, duke përdorur si rast studimor aktivitetet e ndërmarra nën projektin e SPP “Life Prespa Waterbirds” në pjesën e liqenit të Prespës së Vogël në Greqi, po ashtu edhe eksperiencën ndërkufitare të punës së kryer nga rrjeti i organizatave mjedisore të PrespaNet nën projektin ”Fuqizimi i Bashkëpunimit të Drejtuar prej OJF-ve në Basenin Ndërkufitar të Prespës”. Në mënyrë që ky objektiv të arrihej, programi i shkollës verore online u strukturua përreth katër tipe aktivitetesh edukative: leksione online dhe diskutime, video të shkurtra nga terreni, literaturë plotësuese dhe aktivitete në grup. Kjo shkollë verore u ndoq prej 14 studiuesish të rinj nga fusha të ndryshme mjedisore si inxhinieria pyjore, biologjia apo ekologjia, të cilët sudionin në universitete në Greqi, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Akoma më tej, vëzhgues prej tre organizatave përbërëse të PrespaNet – SPP, MES dhe PPNEA – u ftuan për të marrë pjesë në leksionet online, duke dhënë një kontribut të vlefshëm në diskutimet mbi çështjet me një rëndësi ndërkufitare lidhur me monitorimin dhe menaxhimin e ligatinave. Kjo shkollë verore i mundësoi organizatorëve kryesorë të SPP-së të mësojnë në detaje benefitet e të metat e ndërmarrjes së një aktiviteti të tillë në një mjedis tërësisht virtual, duke prezantuar në të njejtën kohë punën e tyre mbi shpendët e ujit, peshkimin, menaxhimin ujor ndërkufitar, qeverisjen dhe menaxhimin e ligatinave. Partnerët francezë të projektit Life, Tour du Valat dhe Observatori Kombëtar i Athinës, kontribuan me leksione tepër interesante për punën e tyre përkatëse mbi ndryshimet klimatike dhe vegjetacionin ligatinor në kuadër të këtij projekti, ndërkohë që nuk mungoi perspektiva e Universitetit Bujqësor të Athinës mbi hartëzimin e habitateve ligatinore ndërkufitare për projektin e PrespaNet. Leksione të mëtejshme u mbajtën edhe mbi çështjet e menaxhimit të cilësisë së ujit, prej Qendrës Helene për Kërkimin Detar dhe Qendrës Greke të Ligatinave (EKBY). Në vlerësimin e tyre lidhur me shkollën verore, studentët u shprehën me fjalë si “super interesante”, “produktive”, një eksperiencë fantastike ku mësova shumë brenda dy javëve”, etj. Ata më së shumti theksuan “diversitetin” dhe “perspektivat e ndryshme” të leksioneve, ndjesinë që “materialet plotësuese e bënë këtë shkollë verore më të drejtpërdrejtë”, si dhe pëlqimin që “informacioni u ofrua gradualisht, në mënyrë që të gjithë konceptet të ishin të kuptueshme”. Ata shijuan së tepërmi “ndjesinë e bashkëpunimit ndërkombëtar” dhe “përkatësinë në grupet e punës”, ku disa prej tyre deklaruan madje që kjo eksperiencë “i tejkaloi pritshmëritë”. Një koment tejet interesant nënvizoi që “mundësia për zhvillimin e ideve në një nivel më të lartë”, e ofruar nga kjo shkollë verore, “mund të jenë një burim për zgjidhjen e problemeve” në të ardhmen, koment ky i cili theksoi akoma më tepër vlerën e kësaj shkolle verore – jo vetëm shpërndarja dhe shqyrtimi i çështjeve komplekse mbi monitorimin dhe menaxhimin e ligatinave në Prespë, por gjithashtu krijimi i një mjedisi ku idetë krijuese për të ardhmen do të ndahen e sintetizohen midis gjeneratës së ardhshme të ruajtësve të natyrës! E gjithë kjo eksperiencë – e re për shumë prej nesh – shërben për të theksuar rëndësinë e qasjeve ndërdisiplinore në çështjet e monitorimit dhe menaxhimit të ligatinave, si dhe vlerën e pazëvendësueshme të bashkëpunimit ndërkufitar, ku gjithashtu mundëm që të mësojmë se gatishmëria për të mesuar, e kombinuar me teknologjitë e reja mund të tejkalojë vështirësitë tona aktuale, duke inkurajuar një gjeneratë të re në ndërmarrjen e praktikave të duhura ruajtëse dhe rehabilituese për ligatinat.   Shënime për redaktorët:
  1. Qëllimi i projektit Life Prespa Waterbirds është të kontribuojë në ruajtjen e nëntë shpendëve të rrallë ujor të cilët jetojnë në liqenin e Prespës së Vogël, duke implementuar aksione që ndikojnë drejtpërdrejt në kërcënimet kryesore të popullatave të tyre, si mungesa e hapësirave të përshtatshme foragjere dhe zjarret e kallamishteve. Çështja kritike e ndryshimeve klimatike është marrë gjithashtu në konsideratë me qëllim për të përfshirë adaptime të pacënueshme prej klimës në aktivitetet ruajtëse. Të tilla aktivitete ruajtëse përfshijnë menaxhimin e vegjetacionit të ligatinave përreth Prespës së Vogël, rehabilitimin e rrjedhave për shumimin e peshqëve dhe sigurimin e ushqimit për shpendët e ujit, si dhe krijimin e ndalesave për të ulur ndikimin e zjarreve në kolonitë e këtyre shpendëve, ndërkohë që investigohen mënyra të përshtatshme për përdorimin e biomasës së prodhuar nga kallamishtet prej aktorëve lokal. Projekti bashkëfinancohet nga Komisioni Evropian, PONT dhe Fondi i Gjelbërt, si dhe mbështetet me një grant nga Fondacioni Stavros Niarchos.
  2. PrespaNet është një rrjet i përbërë nga organizata të pavarura mjedisore, të cilat punojnë drejt një vizioni të përbashkët: ruajtjen e trashëgimisë natyrore e kulturore të të gjithë basenit të Prespës. Ky rrjet u themelua në vitin 2013 dhe përbëhet prej SPP (Shoqëria për Mbrojtjen e Prespës), me qendër në Agios Germanos, aktive në fushë me mbi 30 vite, MES (Shoqëria Ekologjike Maqedonase), një nga organizatat më të vjetra në shtetin përkatës, me qendër në Shkup dhe me një zyrë lokale në Resen, dhe PPNEA (Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri) me qendër në Tiranë dhe zyrë lokale në Prespë, ku ka punuar me komunitetin lokal që prej viteve 90’.
  3. Projekti i PrespaNet, ”Fuqizimi i Bashkëpunimit të Drejtuar prej OJF-ve në Basenin Ndërkufitar të Prespës” (2018-2021), mbështetet prej PONT dhe Fondacionit Aage V. Jensen (AVJCF), me facilitimin e Ojf-së Gjermane EuroNatur. Ky projekt tre-vjeçar ka si qëllim mbështetjen e ruajtjes së natyrës në basenin e Prespës nëpërmjet një serie aksionesh komunikative dhe edukuese, duke përfshirë edhe këtë shkollë verore, si një ndër tre të menduara në tërësi, si dhe programe kërkimi shkencor, së bashku me aksione konkrete ruajtëse, të ndërmarra me përfshirjen e vullnetarëve lokal. Akoma më tej, projekti ka ndihmuar shoqatat MES dhe PPNEA në themelimin e zyrave lokale në rajonin e Prespës, duke i sjellë të dy këto organizata më afër komunitetit lokal dhe aktorëve ruajtës, në mënyrë që të mbështesin më mirë menaxherët e zonave të mbrojtura në anën përkatëse të Prespës.
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *