Çfarë duhet të bëni kur hasni raste të dyshuara të helmimit në Ballkan – BalkanDetox LIFE

Çfarë duhet të bëni kur hasni raste të dyshuara të helmimit në Ballkan – BalkanDetox LIFE

Helmimi i kafshëve të egra është një kërcënim serioz në Ballkan, me efekte shkatërruese mbi biodiversitetin, kafshët shtëpiake, madje edhe mbi shëndetin e njerëzve. Për të adresuar këtë çështje urgjente, ne kemi nevojë për bashkëpunim nga të gjitha palët e interesit, përfshirë dhe publikun. Projekti BalkanDetox LIFE ka publikuar video ndërgjegjësuese në 7 gjuhë të Ballkanit për të informuar mbi rreziqet e helmimit dhe për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve që të veprojnë me përgjegjësi nëse ndeshen me karrema helmues ose kafshë të helmuara në rajon.

 

Një krim mjedisor që prek të gjithë

Helmimi i kafshëve të egra është më shumë se thjesht një krim kundër natyrës – është një problem ekologjik dhe social. Karremat helmues, të përdorur zakonisht për të targetuar grabitqarët ose llojet “e padëshiruara” si kafshët e egra, vrasin jo qëllimisht edhe shumë lloje të mbrojtura dhe të rrezikuara.

Shkabat, të cilët luajnë një rol kyç si pastrues në ekosistem, janë veçanërisht të prekshëm pasi shpesh ushqehen me kërma të helmuara. Gjatë dy dekadave të fundit, rreth 2,300 shkaba kanë ngordhur nga helmimi vetëm në Ballkan.

Por problemi nuk përfundon me kaq. Substancat toksike si Carbofuran, një pesticid i ndaluar, janë aq të rrezikshme sa edhe sasi të vogla mund të jenë fatale për njerëzit. Pavarësisht këtyre rreziqeve dhe pengesave ekzistuese ligjore, helmimi i kafshëve të egra vazhdon për shkak të ndërgjegjësimit të ulët, ligjeve të paqarta dhe zbatimit të dobët të tij.

 

Çfarë mund të bëjmë?

Nëse hasni kafshë të ngordhura, karrem helmues ose nëse dyshoni për një incident helmimi, janë tre hapa kritikë që duhet të ndiqni:

  1. Qëndroni të sigurt: Shmangni prekjen ose lëvizjen e kafshëve të ngordhura ose karremeve të dyshimtë – ato mund të jenë shumë toksike dhe të rrezikshme për shëndetin tuaj.
  2. Raportojeni menjëherë: Njoftoni autoritetet lokale që të mund të hetojnë. Helmimi është një krim i rëndë dhe duhet të trajtohet nga profesionistë.
  3. Mos ndërhyni në skenën e krimit: Kafshët dhe karremat helmues janë prova jetike për identifikimin e toksinave dhe vendosjen e kundravajtësve përpara përgjegjësisë.

Këto veprime të drejtpërdrejta mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm, duke ndihmuar në mbrojtjen e natyrës dhe shëndetit publik.

Ja se si mund të veproni në vendet e mëposhtme:

Rreth projektit BalkanDetox LIFE

Projekti BalkanDetox LIFE bashkon 9 organizata nga shtatë vende: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. E bashkëfinancuar nga Programi LIFE i Bashkimit Evropian, kjo nismë pesëvjeçare synon të reduktojë rastet e helmimit të kafshëve të egra me 20%.

Projekti fokusohet në forcimin dhe përmirësimin e autoriteteve që trajtojnë incidentet e helmimit, duke nxitur bashkëpunimin përmes krijimit të rrjeteve kombëtare dhe rajonale që bashkojnë palë të ndryshme të interesit, duke rritur ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet e helmimit të kafshëve të egra dhe duke përmirësuar kuadrin ligjor për të siguruar një zbatim të tij sa më efektiv.

 

Pse ka rëndësi?

Trajtimi i helmimit të kafshëve të egra ka të bëjë më shumë se sa shpëtimi i kafshëve – ka të bëjë me sigurimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të shëndetshme për të gjithë. Projekti BalkanDetox LIFE thekson se ndryshimi kërkon bashkëpunim: vigjilencë publike, veprim institucional dhe mbështetje nga komuniteti.

Hidhni hapin e parë sot. Hidhini një sy videove dhe mësoni se si mund të ndihmoni në luftimin e helmimit të kafshëve të egra në vendin tuaj.

Postime të ngjashme