Unazimi i shpendëve është një proçes që zakonisht kryhet gjatë shtegtimit ose kur zogjtë nuk kanë arritur akoma fazën e largimit nga foleja, duke mundësuar kështu, pas çdo vrojtimi, informacion mbi vendin e lindjes, moshën si dhe vendet e shtegtimit.
Mes shumë shpendëve të unazuar që ekipi i PPNEA ka vrojtuar në vendin tonë, më i veçanti për ne është ky individ i flamingos i unazuar 10 vite më parë në Izmir, Turqi, plot 681 Km larg pikës së vrojtuar në lagunën e Nartës.
Natyra dhe rimëkëmbja e saj kanë qenë në fokusin e mediave botërore së fundmi. Ky fakt ka sjellë Lagunën e Nartës ne vëmendjen e shumë mediave prestigjoze si The Guardian, The Telegraph, Euro News, Yahoo News dhe Channel Asia, por dhe nga vetë Kryeministri Edi Rama, të cilët së fundmi kanë publikuar flamingot për të transmetuar mesazhe pozitive për të ardhmen e duke pasqyruar njësoj si ky vrojtim, rëndësinë që ka ky habitat për flamingot dhe një shumëllojshmëri shpendësh dimërues dhe folezues.
Planet për zhvillimin e investimeve strategjike në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë, siç është ndërtimi i aeroportit apo ndërtimi i resorteve turistike janë një kërcënim serioz ndaj qetësisë dhe vlerave të kësaj lagune. Kjo infrastrukturë do ketë ndikim shkatërrimtar duke ndërprerë përpjekjet shumëvjeçare të folezimit të flamingove në kriporen e Nartës, duke hequr një nga ndalesat më të rëndësishme për shpendët shtegtarë përgjatë Adriatikut lindor si dhe duke hequr mundësinë e folezimit për shumë shpendë të tjerë të listuar në direktivën Europiane.
Tenderat për këto investime janë pezulluar por nuk janë ANULLUAR!
Bëjmë thirrje që këto plane të ANULLOHEN për t’i dhënë mundësi peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë të vazhdojë shërbimin e pazëvendësueshëm ndaj nesh e të mbetet vendi i ditëlindjeve dhe manifestimeve natyrore!