Në kuadër të projektit “Eastern Adriatic Monk Seal”, PPNEA gjatë kësaj jave realizoi ekspeditën monitoruese për identifikimin e zonave potenciale të strehimit e të riprodhimit për një nga gjitarët ujor më të rrezikuar në nivel ndërkombëtar, foka e Mesdheut. Ky proces u krye në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, konkretisht në segmentin midis Gjirit të Brisanit dhe Dhermiut.
Ky segment ujor përbëhet nga habitate tepër të përshtatshme për praninë e fokës së Mesdheut, të cilat u eksploruan në detaje nga stafi i PPNEA-s. Gjithashtu, përgjatë ekspeditës u regjistruan koordinatat për të gjitha shpellat potenciale.
Nga diskutimet me peshkatarë të zonës arritëm të sigurojmë informacion se foka e Mesdheut ka qenë vazhdimisht e pranishme përgjatë këtij segmenti.