Për më tepër se një dekadë, organizata PPNEA është duke punuar për ruajtjen e popullatës së kalit të qyqes (Neophron percnopterus) në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve ne kemi dhënë më të mirën tonë, duke ndërmarrë aktivitete si monitorime në terren, fushata për rritjen e ndërgjegjësimit publik, programe edukimi për fëmijët, ndërtimi i një rrjeti mbështetësish në nivel lokal, si dhe aksione parandaluese ndaj rreziqeve që kjo shkabë e mrekullueshme has në zonat e bukura malore të vendit tonë. Puna jonë disa herë është përballur me pengesa, e disa herë të tjera na ka bërë krenarë; Megjithatë, ne kemi akoma shumë për të arritur, siç është adresimi i praktikës së kurtheve me helm.
Helmimi është shkaku kryesor i rënies së numrit të shkabave në botë. Në gadishullin e Ballkanit, ky vrasës i heshtur është duke zhdukur popullatat e shkabave, duke bërë që në vende si Shqipëria, të mbetet vetëm një lloj folezues, krahasuar me katër lloje që kanë ekzistuar më parë. Kjo shkabë e fundit folezuese në vendin tonë është kali i qyqes, një specie tejet e bukur, e ngulitur në folklorin tonë dhe jetën e përditshme të banorëve lokal pranë territoreve të folezimit. Organizata jonë ka ndërmarrë aksione me rëndësi për adresimin e këtij fenomeni, si ndërtimi i dy stacioneve suplementare, krijimi i një rrjeti mbështetësish të quajtur ”Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes”, apo shpërndarja e kiteve kundër helmimit. Akoma më tej, PPNEA ka ndërmarrë një studim mbi përdorimin e produkteve mjekësore veterinare në Shqipëri, me qëllim arritjen e një kuptueshmërie më të lartë mbi legjislacionin rregullues, si dhe identifikimin e alternative më pak të dëmshme ndaj ndaj këtyre medikamenteve me rrezik.
Dy stacionet tona suplementare funksionojnë rregullisht duke ofruar ushqim të sigurt për kalin e qyqes pranë territoreve të folezimit. Të dhënat tregojnë se këto stacione kanë mundur të sigurojnë ushqim për 40% të popullatës së kësaj shkabe në Shqipëri. Megjithatë, këto stacione nuk do të ishin të suksesshme nëse nuk do të mirëmbaheshin nga banorët lokal që i furnizojnë në mënyrë periodike me kërma, të cilat shërbejnë si ushqim për kalin e qyqes. Në mënyrë që mbështetësit tanë të kishin mundësi të ruanin këto kërma, ne i dhuruam dy frigoriferë. Një prej frigoriferëve u dhurua në institucionin e AdZM Gjirokastër, ndërsa tjetri te një prej mbështetësve tanë më të mirë, një banor lokal i Kurveleshit me emrin Mujo.
Akoma më tej, ekipi ynë, në mënyrë që të ndihmojë barinjtë dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi praktikën e gabuar të kurtheve me helm, ka shpërndarë 4 kite kundër helmimit në shërbimin veterinar të Gjirokastrës. Këto kite do të ndihmojnë në adresimin e rasteve të helmimit midis qenve të barinjve, të cilët janë tepër të rëndësishëm për arsye se mbrojnë tufat e bagëtive, që përfaqësojnë burimin e vetëm të të ardhurave për familjet e tyre. Qentë, njësoj si shkabat, bien në kurthin e helmeve, të cilat vendosen për të menaxhuar popullatat e ujqërve në zonat rurale. Këto kite do të ndihmojnë edhe në rritjen e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen negativ, duke ndihmuar në uljen e rasteve të përdorimit të kurtheve me helm.
© PPNEA
© PPNEA
© PPNEA
© PPNEA