Lakuriqët e Natës: Një target i ri konservimi për projektin #PrespaNet

Lakuriqët e Natës: Një target i ri konservimi për projektin #PrespaNet
E dini që lakuriqët e natës janë të vetmit gjitarë që mund të fluturojnë? Këta lloje të fshehtë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për ekosistemet, duke kontrolluar popullatat e insekteve dhe mbartësit e sëmundjeve të ndryshme. Në këtë mënyrë, fermerët nuk e kanë të nevojshëm përdorimin e pesticideve, që sjell rritjen e kostove të prodhimit dhe uljen e cilësisë së produkteve. Akoma më tej, lakuriqët ushqehen edhe me nektarin e luleve, duke pjalmuar një numër të konsiderueshëm pemësh frutore.
 
Midis 32 llojeve që gjenden në Shqipëri, 26 mendohet se janë të pranishëm në Parkun Kombëtar të Prespës. Për këtë arsye, ekipi i #PrespaNet ka filluar punën duke përfshirë ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë për monitorimin lakuriqëve dhe identifikimin e masave kryesore ruajtëse.
 
Puna për lakuriqët e natës filloi me organizimin e një trajnimi teorik me pjesëmarrje ndërkufitare, i organizuar nga PPNEA dhe organizata partnere MES, ku morën pjesë përfaqësues të zonave të mbrojtura nga baseni i Prespës, përfaqësues të autoriteteve qeverisëse vendore nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, partnerët e PrespaNet, përfaqësues nga PONT dhe KFW, si dhe studentë e lektorë të Universitetit të Korçës.
 
Trajnimi vazhdoi me një ekspeditë dy ditore në terren, ku u identifikuan disa nga habitatet kryesore të lakuriqëve, si shpellat apo zonat pyjore, si dhe llojet e pranishëm, masat konservuese, etj. Përdorimi i mjeteve si gjurmuesit e lakuriqëve dhe rrjetat për kapjen e tyre ishin disa nga teknikat më të veçanta të zbatuara gjatë këtij monitorimi të cilit iu bashkua edhe stafi i ADZM Korçë.
 
Na ndiqni në vijim, puna për lakuriqët e natës sapo ka filluar!
 
© PPNEA
 
© PPNEA
 
© PPNEA
Postime të ngjashme