Falë zhvillimit të teknologjisë dhe studimeve të dedikuara tek shpendët kemi grumbulluar të dhëna tejet fantastike dhe impresionuese, që nga sjelljet, habitatet, rruget e shtegtimit të shpendëve e deri tek detajet më të vogla si shpejtësia apo regjistrimi i lëvizjeve milimetrike të shpendit.
Kohët e fundit, vendin tonë e kanë vizituar disa lloje shpendësh të veçantë, të cilët janë pajisur me gjurmues satelitor GPS. ‘Turisti’ më i fundit është kali i qyqes me emrin Diego, i cili ka çelur në vitin 2018 në qendrën italiane Associazione CERM Centro Rapaci Minacciati dhe lëshuar në vitin 2019 në Parkun Rajonal Murgia Materana, duke u bërë kështu pjesë e natyrës dhe jetës së egër. Më 26 Prill 2021, ky lloj i rrallë kaloi detin Adriatik, duke fluturuar dhe ndaluar përgjatë vendeve të Ballkanit përfshirë edhe Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Prej shtatë ditësh ky individ është duke fluturuar në vendin tonë dhe ka vizituar disa nga parqet kombëtare të vendit, si Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit, Parku Detar Karaburun-Sazan, Parku Kombëtar i Llogarasë dhe ka regjistruar më shumë se 4500 km në total.
Popullata e kalit të qyqes në vendin tonë është ne nivelet më kritike, me vetëm 5 territore të zëna në të gjithë vendin dhe nevoja për mbrojtjen e ruajtjen e këtij lloji është urgjente. Shpresojmë që kali i qyqes Diego, i cili është duke qëndruar ende në vendin tonë, të gjejë ushqim të bollshëm e të sigurt dhe një vendfolezim sa më të qetë.