Dejka njihet si një nga llojet më të shpejtë të shpendëve të vegjël shtegtarë. Kur ky lloj nuk është duke folezuar, ai më së shumti qëndron në ajër – deri në 10 muaj gjatë një viti. Studiuesit deri më tani mendonin se dejkat fluturonin për rreth 500 km në ditë. Por, një kërkim i ri i publikuar në revistën “iScience” në datën 20 Maj tregon që ky numër është paksa i kursyer.
Sipas studimit në fjalë, dejkat përshkojnë rreth 570 kilometër në një ditë mesatare – por ato mund të përshkojnë edhe më tepër kilometra, e madje në një shpejtësi më të lartë. Distanca maksimale e regjistuar në këtë studim tregon për më tepër se 830 km në ditë, për një periudhë 9 ditore.
“Ne zbuluam që dejkat të cilat folezojnë në pjesën më veriore të Evropës janë po të njëjtat që kanë realizuar fluturimin më të shpejtë të regjistruar deri më tani, duke kapërcyer edhe pritshmëritë tona,” shprehet Susanne Åkesson (@susanne_akesson) nga Universiteti i Lund në Suedi. “Dejkat duket sikur e fitojnë këtë shpejtësi përgjatë distancave të gjata në pranverë duke përdorur një strategji mikse shtegtimi, si marrja e energjive gjatë ndalesave dhe strategjia “fluturo – kërko ushqim”, që do të thotë se dejkat ushqehen dhe pushojnë çdo ditë nga pak.”
Åkesson dhe kolegët e saj përdorën një pajisje të imët gjurmuese për të regjistruar të dhënat mbi dejkat që folezojnë në vendet më veriore të Evropës. Për arsye se këta shpendë janë besnik ndaj vendeve të tyre të folezimit, skuadra e Åkesson arriti t’i mbledhë këto pajisje pas një sezoni të plotë shtegtimi. Siç ishte parashikuar, të dhënat i mbështetën plotësisht pritshmëritë e studiuesve që dejkat të cilat folezojnë më në veri do të arrinin shpejtësi shumë herë më të lartë shtegtimi. Megjithatë ata u habitën nga shpejtësia e jashtëzakonshme me të cilën këta shpendë mund të fluturojnë.
Dejkat e realizuan këtë fluturim të shpejtë duke përdorur strategjinë “fluturo- kërko ushqim”, e cila funksionon më së miri për llojet që e kanë të lehtë të gjejnë ushqim përgjatë rrugës së shtegtimit, në vend që të tejngopen përpara një udhëtimi të gjatë. Dejkat më së tepërmi ushqehen me insekte fluturues.
“Kjo strategji është e vlefshme për arsye se shpendët mund të evitojnë tejngopjen, gjë që do të ndikojë edhe në shpejtësinë e shtegtimit,” shpjegon Åkesson.
Dejkat përdorin edhe një tjetër marifet: keta shpendë duket sikur llogarisin nisjen e tyre për shtegtim pikërisht në kohën që era do të jetë në favorin e tyre.
Kjo do të thotë që dejkat nuk reagojnë vetëm ndaj erës lokale, por edhe ndaj rrymave me të cilat do të përballen gjatë rrugës së shtegtimit,” thotë ajo.
Ende nuk është e qartë se si dejkat mund të parashikojnë drejtimin e erës dhe të marrin vendime bazuar në të. Megjithatë, Akesson sugjeron që ato mbështeten në presionin e ajrit që lidhet me sistemet e motit. Sido që ta realizojnë këtë, strategjia e tyre selektive e nisjes i mundëson 20% më tepër mbështetje nga era gjatë shtegtimit në pranverë, krahasuar me vjeshtën. Përfitimi më i madh lidhet me shpejtësinë për të përshkuar Saharanë dhe Detin Mesdhe.
“Shpejtësia e dejkave nuk është e jashtëzakonshme krahasuar me të tjerë shpendë shtegtarë,” shpjegon Akesson. “Por, këto përshtatje strategjike kontribuojnë në shpejtësinë e përgjithshme të shtegtimit të tyre. Akoma më tej, përdorimi selektiv i erës që fryn nga pas mundëson akoma më tepër shpejtësi, gjë që mund të shpjegojë sesi këta shpendë e tejkaluan parashikimin mbi shpejtësinë maksimale që mendohej se do të arrinin gjatë shtegtimit në pranverë.”
Studiuesit pohojnë se ushqimi i zgjedhur nga dejkat, insektet, mund t’i vendosë ato në rrezik për shkak të përdorimit të gjerë të pesticideve. Ndryshimet klimatike, moti i paqëndrueshëm, ose trajtat e erës mund të kenë ndikime të pazbuluara deri më tani të këta shpendë të shpejtë.
Åkesson shprehet se ekipi i saj do të vazhdojë të studiojë dejkat në vende të ndryshme të botës. Ata shpresojnë se do të mësojnë akoma më tepër mbi përshtatjet fiziologjike që i mundësojnë dejkave një stil jetese kaq të lëvizshëm.
Burimi i historisë:
Materiale të mundësuar nga Cell Press.
© Spring Alive