MONITORIMI I PARË I FAUNËS SË EGËR NË TRE ZONA TË MBROJTURA TË QARKUT GJIROKASTËR

MONITORIMI I PARË I FAUNËS SË EGËR NË TRE ZONA TË MBROJTURA TË QARKUT GJIROKASTËR
Për më tepër se dy muaj gjatë periudhës së verës 2021, ekipi i PPNEA në bashkëpunim me AdZM Gjirokastër, monitoruan nëpërmjet 11 kamerave-kurth tre zona të mbrojtura në Qarkun e Gjirokastrës, si Rezervati Strikt Natyror i Kardhiqit, Parku Natyror i Zagorisë dhe Monumenti i Natyrës Bredhi i Sotirës.
 
Gjithashtu, në bashkëpunim me ekspertë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, në zonë u instaluan 50 kuti-kurth për monitorimin e gjitarëve të vegjël, të cilat u pozicionuan në dy lloje habitatesh dhe qëndruan të instaluara për tre ditë me rradhë. Kontrolli i tyre u realizua dy herë për çdo ditë që qëndruan të instaluara.
 
Aplikimi i këtyre dy metodave ndodhi për herë të parë në këto zona të mbrojtura, duke na ofruar të dhëna me rëndësi mbi praninë e llojeve të ndryshëm, që do të përdoren për të përditësuar Atlasin Evropian të Gjitarëve, si dhe për të krijuar një listë të detajuar mbi llojet që gjenden në zonë.
 
Ndër të tjera, në këto zona u vërtetua prania e disa llojeve me rëndësi, si dhia e egër (Rupicapra rupicapra balcanica), ariu i murrmë (Ursus arctos), derri i egër (Sus scrofa), kaprolli (Capreolus capreolus), etj., të dhëna të cilat u gjeneruan për herë të parë nëpërmjet këtij monitorimi.
 
Bashkëpunimi midis organizatave jo-qeveritare, institucioneve publike dhe atyre kërkimore përbën një prej modeleve më të suksesshme të ruajtjes së natyrës, i cili vlen të ndërmeret edhe në zona të tjera të mbrojtura në Shqipëri.
 
Ky monitorim u mbështet nga Fondacioni i Gjitarëve të Evropës dhe ENETWILD.
 
Dhia e egër (Rupicapra rupicapra balcanica)
 
Ariu i murrmë (Ursus arctos)
 
Kaprolli (Capreolus capreolus)
 
Derri i egër (Sus scrofa)
 
© PPNEA
Postime të ngjashme