Kinemaja për natyrën në liqenin e Viroit!

Kinemaja për natyrën në liqenin e Viroit!

Ndalesa e tretë e kinemasë lëvizëse për natyrën u realizua në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, pranë amfiteatrit të liqenit të Viroit.

 

Të rinj të qytetit, aktivistë, turistë, banorë të zonës, si dhe një grupe vullnetarësh u bënë pjesë e shfaqjes së rradhës të dokumentarit “Untamed Albania”, që në shumë pjesë fokusohet në vlerat natyrore të rrethit të Gjirokastrës, duke përfshirë praninë e kalit të qyqes (Neophron percnopterus), fjetoren më të madhe në Evropë të skifterit kthetraverdhë (Falco naumanni), si dhe folenë e lejlekut (Ciconia ciconia) pranë liqenit të Viroit.
Filmi është një medium efikas për të afruar njerëzit me kauzat e ruajtjes së natyrës. Për ne ishte kënaqësi të shikonim se si vëmendja e të gjithë personave të pranishëm u kap lehtësisht nga bukuritë e natyrës së Shqipërisë, si dhe nga llojet e rrezikuar që ajo strehon, që fatkeqësisht janë duke u kërcënuar nga zhvillimet e paqëndrueshme.
Ekipi ynë së bashku me fondacionin partner Heinrich Böll Stiftung Tirana falenderon përzemërsisht të gjithë të pranishmit, duke përfshirë grupin fantastik të Vullnetarët për Atdhe të Pastër, të rinjtë e Walking the Vjosa,  Green Albania, por dhe Bashkia Gjirokaster, Administrata e Zonave te Mbrojtura Gjirokaster, Stone City Hostel, The Barrels – Te Fuçitë , etj.
Na ndiqni në destinacionin e rradhës!
Postime të ngjashme