Në kuadër të projektit ‘Jetë e Re Për Kalin e Qyqes’, ekipi i PPNEA-S implementoi paketën e edukimit të Kalit te Qyqes në disa shkolla në rrethin e Gjirokastrës dhe Tepelenës, zona të cilat Kali i Qyqes i viziton apo është i pranishëm.
Nxënësit kaluan një orë të plotë mësimore, ku mësuan rreth Kalit të Qyqes, rëndësinë e tij në territorin tonë, folezimin, shtegtimin, rreziqet që i kanosen këtij shpendi, masat që mund të ndërmerren për mbrojtjen e tij etj.
Të mësojmë duke luajtur është mënyra më e mirë për të kuptuar më shpejt gjithë informacionet e marra.
Pjesë e paketës së edukimit të përshtatur nga PPNEA, ishin edhe lojërat me fokus Kalin e Qyqes,si përshembull Odiseja e Kalit të Qyqes.
Sesionet edukuese janë të rëndësishme pasi njohuritë që fëmijët marrin, u japin atyre mundësinë të shfaqin interes dhe kujdes ndaj këtij lloji të rrezikuar, por edhe ndaj florës, faunës dhe natyrës në përgjithësi.
PPNEA falenderon drejtorët dhe mësuesit e secilës shkollë, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm për nxënësit.