Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës ndodhet midis dy prej sistemeve ligatinore më të mëdha dhe më të rëndësishme të vendit tonë, Lagunës së Nartës dhe Lagunës së Karavastasë. Në këtë korridor ekologjik, ulen dhe ngrihen mijëra shpendë në ditë, duke shtegtuar në distanca të shkurtra e të gjata për ti përdorur këto zona si vend folezimi, ushqimi dhe pushimi. Por si pasojë e vendndodhjes absurde të këtij objekti, Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, brenda Zonës së Mbrojtur, kjo rrugë shtegtimi për shpendët do të ndërpritet si dhe mund të bëhet rrezik për qytetarët që do të përdorin këtë aeroport. Me afrimin e sezonit të folezimit, kolonia e pelikanit kaçurrel ka nisur grumbullimin për në Lagunën e Karavastasë, vendfolezimin e vetëm të këtij lloji në vendin tonë. Mes tufës që fluturon përgjatë ligatinave të vendit, gjendet edhe një individ rishtazi i pajisur me gjurmues satelitor GPS. Fluturimet e këtij individi të pelikanit kaçurrel, një prej shpendëve më të mëdhenj të vendit tonë, vërteton ndërprerjen në mes të këtij korridori shtegtimi si dhe rrezikun ndaj përplasjeve me avionët në të ardhmen. Studimet e fundit me anë të gjurmuesve satelitor të vendosur tek shpendët me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare në Vjosë-Nartë, faktojnë dita – ditës lëvizjet e shpendëve mbi kantierin e Aeroportit të Vlorës. Studimet paraprake ashtu si dhe vendimmarrja për ndërtimin e këtij projekti janë të pamenduara dhe me pasoja shkatërrimtare në mjedis.