Laku, vrasësi i heshtur i jetës së egër

Laku, vrasësi i heshtur i jetës së egër

Ditën e sotme, PPNEA mori një njoftim alarmant nga ADZM Korçë: një femër e llojit ari i murrmë ishte kapur në një kurth me leqe në fshatin Trebinjë, përgjatë aksit nacional Qukës–Qafë Plloçë. Ky incident është një kujtesë e dhimbshme se kërcënimet ndaj faunës së egër mbeten të pranishme dhe tejet reale në Shqipëri.

 

Kurthet me leqe, ende të përdorura nga disa banorë, përbëjnë një rrezik serioz për jetën e egër, duke kërcënuar jo vetëm individë të ndjeshëm si ariu i murrmë (Ursus arctos, i mbrojtur me ligj dhe i renditur si “vulnerabël” në Listën e Kuqe), por edhe sigurinë e komuniteteve pranë zonave të mbrojtura. Ky nuk është një rast i izoluar; ngjarje të tilla po shtohen sidomos në këtë periudhë të vitit, duke theksuar nevojën urgjente për monitorim të vazhdueshëm, ndërgjegjësim dhe veprim të koordinuar ndërinstitucional.

 

Menjëherë pas njoftimit, në terren u mobilizua një ekip i specializuar që përfshinte specialistë të PPNEA, AdZM Korçë, Qendra AWRT, Policia e Shtetit dhe banorë të zonës që ndihmuan me njohuritë e tyre lokale.

 

Falë bashkëpunimit dhe reagimit të shpejte, ariu u lirua nga kurthi, iu dha trajtimi veterinar i nevojshëm dhe u transportua në një zonë të largët, të sigurt dhe jashtë vendbanimeve. Për të monitoruar gjendjen e tij dhe për të kuptuar sjelljen në habitatin natyror, u vendos një pajisje GPS, e cila do të ndihmojë në përmirësimin e strategjive të ardhshme të menaxhimit.

 

Kjo ngjarje na rikujton edhe rastin e Maja-s, ariut të murrmë nga Malësia e Mokrës, e cila në dhjetor 2023 u gjet e kapur në një kurth pranë fshatit Çezmë. Ajo u shpëtua dhe, për herë të parë në Shqipëri, u pajis me një gjurmues GPS, duke ofruar të dhëna të çmuara mbi ekologjinë dhe lëvizjet e arinjve të egër.

 

Ndërkohë, një tjetër individ ari i murrmë, i cili prej 7 ditësh kishte mbetur i kapur në një kurth në pyjet e fshatit Memaliaj në Tepelenë, fatkeqësisht ka ngordhur.

 

Ariu i murrmë është një lloj i rrezikuar në Shqipëri, dhe kapja apo vrasja e tij përbën vepër penale. Nëse raste të tilla raportohen në kohë, mundësia për të shpëtuar individë të tillë rritet ndjeshëm.

 

Historitë e Maja-s dhe ariut të shpëtuar në Trebinjë tregojnë qartë se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërgjegjësimi i komuniteteve janë të domosdoshme për mbrojtjen e faunës së egër. Praktika e kurtheve me leqe mbetet një “vrasës i heshtur”, duke kërcënuar rëndë popullatat tashmë të kufizuara të arinjve në Shqipëri (vlerësuar jo më shumë se 200 individë), si dhe shumë lloje të tjera të faunës.

 

PPNEA u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë:

  • ⁠Të hetojnë rastet dhe të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.
  • ⁠Të intensifikojnë patrullimet në zonat e rrezikut dhe të zbatojnë masa parandaluese për të shmangur përsëritjen e incidenteve të ngjashme.
  • ⁠Të sigurojnë që ndëshkimet të jenë të rregullta, të qarta dhe efektive, në mënyrë që praktika e kurtheve me leqe të marrë fund.
  • Të formalizojnë me urgjencë grupin e shpëtimit BET, një kërkesë që PPNEA e ka theksuar vazhdimisht në çdo takim, duke garantuar funksionimin e tij të qëndrueshëm dhe reagimin e shpejtë në terren.
  • ⁠Ministria duhet të ndërmarrë sa më parë hapat institucionale për miratimin dhe funksionalizimin e këtij grupi, ashtu siç është kërkuar prej vitesh.

 

Ky aksion tregon se mbrojtja e ariut të murrmë dhe e biodiversitetit kërkon një qasje të unifikuar, të bazuar në shkencë dhe të qëndrueshme, duke bashkuar ekspertizën dhe angazhimin e të gjithë aktorëve në terren.

Postime të ngjashme