Deklaratë Publike | Në mbështetje të qytetarëve të Pogradecit për mbrojtjen e Peizazhit të Mbrojtur “Liqeni i Pogradecit”

Deklaratë Publike | Në mbështetje të qytetarëve të Pogradecit për mbrojtjen e Peizazhit të Mbrojtur “Liqeni i Pogradecit”

Deklaratë Publike

Në mbështetje të qytetarëve të Pogradecit për mbrojtjen e Peizazhit të Mbrojtur “Liqeni i Pogradecit”

Ne, Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri (PPNEA), i bashkohemi qytetarëve të Pogradecit duke mbështetur peticionin ‘STOP ndërtimeve shumëkatëshe në breg të Liqenit të Ohrit’ dhe Letrën e Hapur të dërguar Kryetarit të Bashkisë Pogradec, Këshillit Bashkiak, Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

Liqeni i Pogradecit, pjesë e Liqenit të Ohrit, i cilësuar si liqeni i dytë më i vjetër në botë dhe më i vjetri në Europë, mbart disa klasifikime që e përcaktojnë si një zonë me rëndësi të madhe për biodiversitetin, natyrën, kulturën dhe trashëgiminë e vendit. Në nivel kombëtar, që prej vitit 1999 ky liqen klasifikohet si Peizazh i Mbrojtur (IUCN, kategoria V). Në nivel ndërkombëtar, që prej vitit 2019, pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit ka marrë statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Liqeni i Ohrit nuk është vetëm një pasuri natyrore, por pjesë e historisë, identitetit dhe jetës së përditshme të komunitetit të Pogradecit.

Në këtë moment kritik, projekte me ndikim të madh rrezikojnë një nga ekosistemet më të rralla në Europë. Ndërtimet shumëkatëshe të planifikuara në kuadër të projektit “Pogradec Marina”, përfshirë hotelin me 5-yje të zinxhirit Gran Meliá, mund të dëmtojnë habitatet natyrore, biodiversitetin, peizazhin dhe karakterin historik e kulturor të zonës.

Po ashtu, projekti “Driloni Forests” pranë monumentit natyror të Burimeve të Drilonit tregon rrezikun që paraqesin ndërhyrjet intensive pranë zonave të mbrojtura. Ndërtesat 1–12 katëshe dhe një kat nëntokë kërcënojnë trashëgiminë natyrore dhe mund të krijojnë precedent për degradimin e zonave të mbrojtura. 

Mbrojtja e kësaj zone është një përgjegjësi ligjore, historike dhe morale për brezat e ardhshëm. Hapësirat bregliqenore dhe natyrore të Pogradecit përbëjnë një pasuri të përbashkët për komunitetin dhe vizitorët, duke ofruar mundësi për turizëm të qëndrueshëm, rekreacion dhe aktivitete kulturore apo profesionale. Dëmtimi i tyre përmes zhvillimeve të pakontrolluara rrezikon natyrën, mirëqenien dhe perspektivën ekonomike afatgjatë të komunitetit.

Ne besojmë se zhvillimi i qëndrueshëm i Pogradecit nuk mund të mbështetet në betonizimin e vijës liqenore. Ai duhet të respektojë kufijtë ekologjike, të ruajë trashëgiminë natyrore dhe kulturore dhe të mbështesë modele që forcojnë ekonominë lokale, jo që prioritizojnë përfitimet afatshkurtra.

Për këto arsye, u bashkohemi qytetarëve dhe i kërkojmë insitucioneve përgjegjëse që:

  • Të pezullojnë dhe rishikojnë projektin “Pogradec Marina” dhe çdo projekt tjetër shumëkatësh përgjatë vijës liqenore;
  • Të bëjnë publik dhe të aksesueshëm dokumentacionin e projekteve dhe të respektojnë statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe të zonës së mbrojtur;
  • Të garantojnë ruajtjen e aksesit publik dhe hapësirave të gjelbra;
  • Të përfshijnë komunitetin lokal, ekspertët dhe shoqërinë civile në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes.

Ne qëndrojmë krah qytetarëve të Pogradecit në mbrojtje të liqenit dhe hapësirave publike, si pasuri të përbashkët të gjithë shoqërisë. Zhvillimet që dëmtojnë Liqenin e Ohrit nuk mund të justifikohen si progres; zhvillimi i vërtetë është ai që ruan natyrën dhe përfitimet e saj për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

© Adnand Bego© Adnand BegoImazhi marrë nga publikimet e “ARMAAR Group” SH.P.K. © Adnand Bego© Adnand Bego© Adnand Bego© Adnand Bego© Denisa Kasa
Postime të ngjashme