VIZITA STUDIMORE E PPNEA NË TARVISIO, ITALI: FORCIMI I MBROJTJES SË RRËQEBULLIT DHE LUFTËS KUNDËR KRIMIT NDAJ FAUNËS SË EGËR

VIZITA STUDIMORE E PPNEA NË TARVISIO, ITALI: FORCIMI I MBROJTJES SË RRËQEBULLIT DHE LUFTËS KUNDËR KRIMIT NDAJ FAUNËS SË EGËR
VIZITA STUDIMORE E PPNEA NË TARVISIO, ITALI: FORCIMI I MBROJTJES SË RRËQEBULLIT DHE LUFTËS KUNDËR KRIMIT NDAJ FAUNËS SË EGËR
Nga data 28 deri me 31 korrik 2026, PPNEA mori pjesë në një vizitë studimore ndërkombëtare në Tarvisio të Italisë, të organizuar me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me praktikat italiane për mbrojtjen e rrëqebullit euroaziatik dhe luftën kundër krimeve ndaj faunës së egër.
Delegacioni nga Shqipëria përfshinte përfaqësues të PPNEA-së dhe prokurorë nga Shkodra, Kukësi dhe Korça, tre prej rajoneve ku gjendet kryesisht rrëqebulli i Ballkanit. Pjesëmarrja e tyre ishte veçanërisht e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve institucionale në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ndaj llojeve të mbrojtura.
Vizita mblodhi gjithashtu përfaqësues të ministrive të punëve të brendshme dhe të mjedisit, prokurorive, organizatave dhe ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Qëllimi kryesor ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave ndërmjet institucioneve të vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, rritja e kapaciteteve në luftën kundër krimeve mjedisore dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë vizitës studimore, pjesëmarrësit u njohën nga afër edhe me kuadrin ligjor ndërkombëtar për mbrojtjen e rrëqebullit euroaziatik dhe, në veçanti, të nënllojit të rrëqebullit të Ballkanit. Në këtë kuadër u trajtuan dispozitat e Konventës CITES, si dhe të konventave të tjera ndërkombëtare me rëndësi për ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e llojeve të rrezikuara.
Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua përvojës së Karabinierëve Italianë në parandalimin dhe hetimin e krimeve ndaj faunës së egër. U prezantuan metoda për luftimin e gjuetisë së paligjshme, zbulimin e karremave të helmuar dhe punën e njësive të specializuara me qen. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë ta ndiqnin nga afër punën e tyre përmes një demonstrimi në terren.
Në fokus të vizitës ishin edhe përvojat dhe praktikat pozitive të projektit LIFE Lynx (LIFE16 NAT/SI/000634), i zbatuar për të parandaluar zhdukjen e popullatës së rrëqebullit euroaziatik në Dinaride dhe në Alpet Juglindore. Gjatë vizitës u njohëm me masat për përforcimin e kësaj popullate, monitorimin e gjendjes së saj gjenetike dhe demografike, si dhe me qasjet shkencore për menaxhimin afatgjatë të këtij lloji të rrezikuar.
Përvoja e projektit LIFE Lynx lidhet drejtpërdrejt edhe me nismën e Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit për hartimin e një strategjie për forcimin gjenetik të popullatës së rrëqebullit të Ballkanit. Njohuritë e ndara gjatë vizitës përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në diskutimet mbi masat e ardhshme për ruajtjen afatgjatë të këtij nënlloji.
Në kuadër të vizitës u prezantua edhe procesi i përgatitjes së individëve rrëqebull për lëshimin në natyrë, si dhe shtegu edukativ “Shtegu i rrëqebullit – Lynx Trail”. Përmes tabelave informuese dhe përmbajtjeve ndërvepruese, ky shteg e njeh publikun me biologjinë e rrëqebullit, sfidat e mbrojtjes së tij dhe përvojat e projektit LIFE Lynx.
Vizita u organizua dhe u financua në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit – Balkan Lynx Recovery Programme.
Postime të ngjashme