Në rrugën drejt anëtarësimit në BE: A është natyra “e mbrojtur” vërtet e mbrojtur në Shqipëri?

Në rrugën drejt anëtarësimit në BE: A është natyra “e mbrojtur” vërtet e mbrojtur në Shqipëri?

Një vit pas hapjes së Kapitullit 27, përparimi në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë duhet të shoqërohet me mbrojtje reale të mjedisit në terren.

Standardet e BE-së kërkojnë parandalimin e dëmeve të pakthyeshme, jo dokumentimin e tyre pasi ato kanë ndodhur.

Revolucioni i Flamingove ka vijuar për më shumë se 105 ditë radhazi dhe protestat vazhdojnë ende.

Radolfzell, Tiranë – Ka kaluar një vit që nga hapja e Kapitullit 27 (Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike) në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Megjithatë, përparimi në përafrimin me acquis-in e BE nuk është shoqëruar me të njëjtin nivel mbrojtjeje të mjedisit në praktikë. Aktivitetet e ndërtimit dhe ndërhyrjet brenda dhe përreth Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, të cilat nxitën të ashtuquajturin Revolucion të Flamingove, janë shndërruar në testin më të dukshëm nëse standardet mjedisore të BE do të parandalojnë dëmet e pakthyeshme ndërsa negociatat e anëtarësimit janë ende në zhvillim.

Punimet e ndërtimit në deltën e Vjosës në maj 2026 nxitën protestat në Shqipëri, të cilat vijojnë ende. © PPNEA

Një model dështimesh në qeverisjen mjedisore

Gjatë viteve të fundit, një sërë vendimmarrjesh lidhur me Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë kanë nxjerrë në pah dobësi të vazhdueshme në planifikimin dhe vendimmarrjen për mjedisin. Ndër to përfshihen ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, mos-përfshirja e grykëderdhjes së Vjosës në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, presionet për zhvillim në Zvërnec dhe, veçanërisht, ndryshimet e diskutueshme të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

“Së bashku, këto nuk janë çështje të izoluara, por një rast studimor i mangësive në qeverisjen mjedisore gjatë procesit të anëtarësimit në BE. Sulmi i ndërtimeve në Nartë ka nxitur Revolucionin e Flamingove, por çështja shkon shumë përtej një kantieri të vetëm ndërtimi. Ajo vë në pikëpyetje vetë besueshmërinë e procesit të zgjerimit. Diskutimi mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis u bë shumë vonë, alternativat nuk po merren në konsideratë dhe pjesëmarrja e publikut mbetet e kufizuar. Nëse këto problematika vazhdojnë gjatë negociatave të anëtarësimit, atëherë kjo bëhet një çështje që prek drejtpërdrejt besueshmërinë e procesit të zgjerimit”, thotë Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.

Për më tepër, qeveria shqiptare ka dështuar në mënyrë të përsëritur t’u përgjigjet rekomandimeve të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, Konventës së Bernës, Konventës për Llojet Shtegtuese (CMS), si dhe shoqërisë civile.

Një numër i madh flamingosh jetojnë në deltën e Vjosës, e cila është një zonë e rëndësishme për pushimin dhe shumimin e shpendëve. © Erika Gambos

Rreziku i dëmeve të pakthyeshme ndaj natyrës

Ajo që e dallon qeverisjen mjedisore nga kapitujt e tjerë të negociatave është fakti se dëmet ekologjike mund të jenë të pakthyeshme. Procedurat dhe legjislacioni mund të korrigjohen më vonë, ndërsa habitatet dhe sistemet ekologjike të shkatërruara mund të mos rikthehen më.

“Kapitulli 27 nuk mund të shndërrohet në një mekanizëm për dokumentimin e dëmeve mjedisore pasi ato kanë ndodhur. Masat mbrojtëse duhet të zbatohen mjaftueshëm herët për të parandaluar që dëmet e pakthyeshme të kthehen në një realitet të ri dhe të qëndrueshëm. Kjo nuk ka të bëjë me ngadalësimin e anëtarësimit të Shqipërisë, por me sigurimin që ky proces të jetë i qëndrueshëm dhe real”, thotë Viktor Berishaj, Oficer Politikash Senior Policy Officer në EuroNatur.

Paradë flamingosh prej kartoni: Për më shumë se 105 ditë, protestuesit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, kanë ushtruar çdo ditë të drejtën e tyre për të protestuar. © Trivet Studio

Revolucioni i Flamingove e sjell Kapitullin 27 në rrugë

Një vit më parë u mor vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Kapitullin 27 dhe u përcaktuan disa standarde dhe objektiva kyç. Tani, në vitin 2026, një numër i madh qytetarësh janë mbledhur çdo ditë në Tiranë për më shumë se 105 ditë radhazi, për të protestuar ndaj ndërhyrjeve që kërcënojnë jo vetëm ekosistemin Vjosë-Nartë, por edhe ekosistemet e tjera në të gjithë vendin.

Njerëzit po ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore, për të shprehur qëndrimin e tyre dhe për të përcjellë shpresën e tyre për t’iu bashkuar së shpejti Bashkimit Evropian. Ata po ngrenë një pyetje më të gjerë dhe thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE: a do të nënkuptojë vërtet “zonë e mbrojtur” mbrojtje?

Viti i dytë: Parandaloni, verifikoni dhe vlerësoni

Rruga përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë duhet të mbështetet në rekomandimet e mëposhtme:

  • Parandaloni dhe rishikoni: Të mos lejohen ndërhyrje të tjera derisa të zgjidhet problemi i kuadrit ligjor për zonat e mbrojtura, i cili lejon zhvillimin e infrastrukturës në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura pa një vlerësim paraprak mjedisor. Në qershor të këtij viti, Parlamenti Evropian bëri thirrje për një moratorium mbi procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të Ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe përafrimin e tij me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.
  • Verifikoni: Traktatet ndërkombëtare dhe rekomandimet që burojnë prej tyre duhet të zbatohen dhe zbatimi i tyre duhet të verifikohet në mënyrë të pavarur, në vend që të zëvendësohet me garanci të mëtejshme. Konventa e Bernës, përfshirë një vlerësim në terren, ofron një mundësi për një vlerësim të pavarur të situatës, duke përfshirë ndikimet që tashmë kanë ndodhur, si dhe provat ekologjike dhe kushtet referuese të nevojshme për vlerësimet e ardhshme mjedisore.
  • Vlerësim i ndërmjetëm: Viti i parë nxjerr në pah nevojën për një vlerësim të ndërmjetëm të qeverisjes mjedisore në kuadër të Kapitullit 27. Përparimi në tryezën e negociatave duhet të shoqërohet me përparim të dukshëm në terren, duke përfshirë zbatimin dhe garantimin efektiv të ligjit, vlerësimet mjedisore, vlerësimin e ndikimeve kumulative, pjesëmarrjen e publikut dhe zbatimin e rekomandimeve ndërkombëtare.

Informacion i mëtejshëm

Në vitin 2024, Shqipëria ndryshoi Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke lejuar aktivitete të caktuara turistike dhe zhvillimore brenda zonave të mbrojtura. Organizatat mjedisore, shkencëtarët dhe institucionet evropiane i kanë kritikuar këto ndryshime.

Më 16 shtator 2025, BE-ja hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë për Grupkapitullin 4, i cili përfshin Kapitullin 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike. Ndërsa ky hap u përshëndet si një moment i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, EuroNatur dhe PPNEA ngritën pikëpyetje mbi kohën dhe besueshmërinë e këtij hapi, duke pasur parasysh regresin e Shqipërisë në mbrojtjen e natyrës.

Në maj 2026, ndërhyrjet fizike të lidhura me zhvillimet turistike brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, konkretisht në Zvërnec, shkaktuan shqetësim të gjerë publik dhe protesta paqësore në të gjithë Shqipërinë. Revolucioni i Flamingove që pasoi ka vijuar tashmë për më shumë se 100 ditë.

Kontakt

Lorena Pyze Xhafaj | PPNEA | [email protected]

Anja Arning | EuroNatur | anja.arning(@euronatur.org

Postime të ngjashme