Thirrje për Ruajtjen Gjithëpërfshirëse dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Deltës së Vjosës

Thirrje për Ruajtjen Gjithëpërfshirëse dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Deltës së Vjosës

Një komunitet ndërkombëtar shkencëtarësh, të cilët kanë studiuar dhe mbështetur ruajtjen e lumit Vjosa dhe deltës së tij, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndërhyrjet e fundit në këtë zonë, përfshirë fillimin e punimeve për ndërtimin e një resorti të madh turistik dhe planet për zhvillime të tjera në deltë.

Gjatë dekadës së fundit, sistemi i lumit Vjosa ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare dhe mbështetje të fortë nga komuniteti shkencor, falë gjendjes së jashtëzakonshme, ende kryesisht të paprekur dhe pranë kushteve natyrore. Në vitin 2023, vlera e tij e veçantë u njoh zyrtarisht nga qeveria shqiptare përmes shpalljes së Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

Megjithatë, rajoni i deltës nuk është përfshirë ende në këtë kuadër mbrojtjeje. Delta e Vjosës, së bashku me lagunën e Nartës, përbën një nga ekosistemet bregdetare më të vyera në Mesdhe. Lagunat, dunat, ligatinat dhe habitatet bregdetare të saj mbështesin një numër të madh llojesh me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës, si dhe ofrojnë shërbime thelbësore të ekosistemit.

Propozimet aktuale për zhvillim të shpejtë dhe në shkallë të gjerë të turizmit luksoz do t’i shkaktonin dëme të pakthyeshme këtij ekosistemi unik dhe, për këtë arsye, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me statusin ligjor të zonës së mbrojtur Pishë-Poro-Nartë.

Në thirrjen e tyre, shkencëtarët nënshkrues paralajmërojnë se zhvillimi i shpejtë dhe në shkallë të gjerë i turizmit në këtë zonë mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme në këtë ekosistem unik. Ata bëjnë thirrje për një qasje të kujdesshme dhe të balancuar ndaj zhvillimit, të mbështetur në qëndrueshmërinë ekologjike dhe në përputhje me mbrojtjen e vlerave të jashtëzakonshme natyrore të zonës.

Komuniteti ndërkombëtar shkencor që mbështet këtë peticion bën thirrje për një strategji zhvillimi të kujdesshme dhe të balancuar, të mbështetur në parimet e qëndrueshmërisë ekologjike, siç është kërkuar së fundmi edhe nga Parlamenti Evropian.

Shkencëtarët nënshkrues i bëjnë thirrje Qeverisë së Shqipërisë që:

  • Të anulojë projektet shkatërruese në Deltën e Vjosës;
  • Të sigurojë mbrojtjen gjithëpërfshirëse të Deltës së Vjosës, duke e integruar atë në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa dhe duke garantuar lidhjen ekologjike ndërmjet lumit, fushës së tij të përmbytjes dhe deltës;
  • Të zhvillojë një ekoturizëm miqësor me natyrën, në përputhje me vlerën e saj të jashtëzakonshme ekologjike. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në zhvillimin e një koncepti të tillë.

Lexoni dokumentin e plotë dhe thirrjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar shkencor më poshtë.

Peticion i komunitetit shkencor për Deltën e Vjosës – i nënshkruar

Postime të ngjashme