Ambicia e Prespës për t’u bërë Trashëgimi Botërore duhet të çojë përpara mbrojtjen e premtuar tashmë

Ambicia e Prespës për t’u bërë Trashëgimi Botërore duhet të çojë përpara mbrojtjen e premtuar tashmë

PrespaNet bën thirrje që nisma e UNESCO-s të mbështetet në Marrëveshjen e vitit 2010 për Parkun e Prespës, ndërsa bashkëpunimi dhe veprimet për ruajtjen e saj të nisin që tani

Prespë, 12 tetor 20261

Pas takimit të ministrave të kulturës të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, të premten e kaluar në Prespë të Greqisë, PrespaNet mirëpret nismën për të shqyrtuar mundësinë e një kandidimi të përbashkët të rajonit ndërkufitar të Prespës si pasuri natyrore dhe kulturore e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kjo përbën një mundësi të rëndësishme për të tërhequr sërish vëmendjen ndërkombëtare ndaj një peizazhi të përbashkët me biodiversitet të jashtëzakonshëm, trashëgimi kulturore dhe tradita që jetojnë ende, si dhe për të forcuar bashkëpunimin për të ardhmen e tij.

Njohja si pasuri e Trashëgimisë Botërore mund t’i sjellë përfitime të ndjeshme Prespës dhe banorëve të saj. Ajo mund të rrisë profilin ndërkombëtar të rajonit, të forcojë mbështetjen publike dhe politike për mbrojtjen e liqeneve, jetës së egër, monumenteve dhe peizazheve kulturore, si dhe të ndihmojë në mobilizimin e ekspertizës, partneriteteve dhe burimeve për ruajtjen e tyre. Një përcaktim i përbashkët mund të nxisë një qasje të koordinuar ndërkufitare për kërkimin shkencor, monitorimin dhe menaxhimin, ndërsa raportimi dhe shqyrtimi ndërkombëtar mund të forcojnë llogaridhënien për mbrojtjen e vlerave të zonës.

Për komunitetet vendore, njohja mund të krijojë mundësi për zhvillimin e kujdesshëm të turizmit natyror e kulturor, të mbështetur nga interpretimi dhe promovimi i përbashkët i trashëgimisë së rajonit. Ajo mund të forcojë gjithashtu krenarinë për traditat e shumta të Prespës dhe të thellojë lidhjet ndërmjet komuniteteve të të tri vendeve.

Vetë procesi i përgatitjes mund të jetë po aq i vlefshëm. Mbledhja e të dhënave për vlerat natyrore dhe kulturore, përcaktimi i përparësive të ruajtjes dhe krijimi i një sistemi efektiv të përbashkët menaxhimi mund të ndërtojnë besim dhe të përmirësojnë bashkëpunimin shumë kohë përpara se të merret ndonjë vendim për përfshirjen në listë. Përvoja e zonës ndërkufitare të Trashëgimisë Botërore të Detit Wadden, ku bëjnë pjesë Holanda, Gjermania dhe Danimarka, tregon se njohja ndërkombëtare mund të mbështetet në një kuadër të konsoliduar bashkëpunimi ndërmjet vendeve fqinje.

Prespa tashmë ka një kuadër të tillë. Njëzet e gjashtë vjet më parë, më 2 shkurt 2000, kryeministrat e tri shteteve fqinje u angazhuan për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Prespës, duke shpallur krijimin e Parkut Ndërkufitar të Prespës. Në vitin 2010, tri shtetet bregliqenore dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zonës së Parkut të Prespës, e cila hyri në fuqi në vitin 2019. Marrëveshja njeh shprehimisht rëndësinë natyrore dhe kulturore të basenit dhe krijon institucione për veprim të përbashkët.5

Megjithatë, hendeku ndërmjet këtyre angazhimeve dhe zbatimit të tyre mbetet i konsiderueshëm. Pavarësisht punës së bërë kohët e fundit për përditësimin e Planit Strategjik të Veprimit, institucioneve të përbashkëta u mungojnë ende angazhimi i vazhdueshëm i shteteve dhe burimet e nevojshme për t’i kthyer planet në veprime të koordinuara. Thirrjet e përsëritura të PrespaNet për funksionimin efektiv dhe financimin e qëndrueshëm të këtyre institucioneve nuk kanë sjellë përparimin e nevojshëm. Kjo nuk është vetëm pikëpamja e një organizate joqeveritare, por ajo është pasqyruar edhe në rekomandimet që Konventa e Ramsarit u drejtoi tri shteteve në fillim të këtij viti. Ndërkohë, baseni po përballet me presione mjedisore dhe shoqërore në rritje, veçanërisht ato që lidhen me ndryshimet klimatike dhe rënien e nivelit të ujit. Urgjenca për mbrojtjen e Prespës nuk mund të presë afatet e një përcaktimi të ardhshëm.

Udhëzimet Operacionale të UNESCO-s kërkojnë që shtetet që propozojnë një zonë ndërkufitare të krijojnë një komitet të përbashkët menaxhimi ose një organ të ngjashëm, i cili do të mbikëqyrë të gjithë zonën e propozuar për përfshirje në listë. Prandaj, rivënia në funksion dhe pajisja me burimet e duhura e institucioneve të Parkut të Prespës do t’i shërbente si Marrëveshjes ekzistuese, ashtu edhe kandidimit të propozuar për Trashëgiminë Botërore.

PrespaNet u bën thirrje tri qeverive dhe Bashkimit Evropian që ta lidhin shprehimisht nismën e re me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2010. Ministritë përgjegjëse për kulturën dhe mjedisin duhet të bashkëpunojnë përmes kuadrit të Parkut të Prespës, duke përfshirë autoritetet vendore, administratat e zonave të mbrojtura, shkencëtarët, shoqërinë civile dhe banorët. Përparësitë e menjëhershme duhet të përfshijnë mbledhje të rregullta të organeve të përbashkëta, një sekretariat funksional dhe një grup pune për menaxhimin e ujërave, kontribute të qëndrueshme nga palët, si dhe një program masash praktike të dakordësuar bashkërisht, me përgjegjësi e afate të përcaktuara dhe raportim publik mbi ecurinë.

Çdo përcaktim i ardhshëm ndërkombëtar dhe, veçanërisht, procesi i gjatë i përgatitjes për të duhet të mbështetet fort në Marrëveshjen katërpalëshe të vitit 2010 dhe zbatimin e saj. Kandidimi duhet të forcojë institucionet, njohuritë dhe veprimin kolektiv të nevojshëm për mbrojtjen e Prespës që në fillim. Një ambicie e besueshme për Trashëgiminë Botërore nis me përmbushjen e mbrojtjes që tri shtetet u kanë premtuar tashmë këtij baseni të përbashkët dhe banorëve të tij.

PrespaNet bashkon organizatat joqeveritare Organizatën për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (Shqipëri), Shoqëria Ekologjike e Maqedonisë (Maqedonia e Veriut) dhe Shoqata për Mbrojtjen e Prespës (Greqi), në një rrjet për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pellgut ujëmbledhës të Prespës dhe zonave përreth.

Postime të ngjashme