Menu

Adresimi i çështjes së helmimit

Popullatat e shkabave rrezikohen nga një numër i lartë praktikash njerëzore, si helmimi, elektroshoku, përplasja me strukturat e energjisë elektrike apo degradimi i habitatit. Ndërkohë që numrat e popullatave të shkabave janë duke u ulur me ritme të shpejta, aksione të drejtpërdrejta konservuese nevojiten për të siguruar mbijetesën e tyre. Helmimi përfaqëson praktikën më të rrezikshme që shkabat hasin në të gjithë botën, veçanërisht në vendet e Ballkanit. Kjo praktikë ka shkaktuar luhatje të konsiderueshme në numrat e popullatave të shkabave, si dhe është shkaktari kryesor i zhdukjes së tre llojeve në Shqipëri. Nga katër lloje që kanë folezuar më parë në Shqipëri, në ditët e sotme gjendet vetëm një: shkaba e mrekullueshme, kali i qyqes (Neophron percnopterus).

Organizata jonë për vite me rradhë është duke luftuar ndaj çështjes së helmimit, si dhe ka ndërmarrë aksione konkrete për adresimin e këtij fenomeni në Shqipëri. Ekipi ynë ka ndërtuar dy stacione me ushqim plotësues me qëllim ofrimin e ushqimit të sigurt për kalin e qyqes, pranë territoreve të folezimit, në zonat e mrekullueshme malore të Shqipërisë. Këto stacione të ndërtuara në lartësi të konsiderueshme, furnizohen në mënyrë të rregullt me kërma. Të dhënat tregojnë se këto stacione kanë arritur të ushqejnë rreth 30% të popullatës së kalit të qyqes në Shqipëri.

Një pjesë e konsiderueshme e suksesit të këtyre stacioneve i atribuohet banorëve lokal të cilët i mirëmbajnë ato dhe sigurojnë, në mënyrë të rregullt, ushqim për kalin e qyqes. Dashuria e tyre për këtë specie sa vjen e rritet, ata janë të parët që na informojnë për ardhjen e tij në pranverë apo ikjen në fillim të vjeshtës. Ekipi ynë e admiron dedikimin e tyre ndaj kësaj kauze, për këtë arsye ne kemi krijuar edhe rrjetin “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes”. Ky rrjet është i përbërë nga banorë lokal me profesione si veteriner, mësues, barinj, etj. Ata ndajnë vetëm një të përbashkët, dashurinë për kalin e qyqes. PPNEA i ka dhuruar anëtarëve të këtij grupi dy frigoriferë, 4 kite kundër helmimit, si dhe një numër të lartë materialesh të nëvojshme me siluetën e stampuar të kalit të qyqes.

PPNEA ka ndërmarrë disa aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit apo programe edukimi në afërsi të territoreve të folezimit. Ekipi ynë ka punuar ngushtësisht me barinjtë me qëllim ndërgjegjësimin e tyre mbi evitimin e praktikës së helmimit dhe kërcënimin që ajo paraqet ndaj shkabës së mrekullueshme.

Ekipi ynë është duke implementuar tre projekte lidhur me çështjen e helmimit. Për informacion të mëtejshëm, klikoni link-et më poshtë.

New Hope for the Egyptian Vulture

Adriatic Flyway

BalkanDetox LIFE

  TOP