Shpëtimi i ariut të murrmë nga laku në malësinë e Mokrës, pranë fshatit Çezmë, në datën 27 dhjetor, na kujton realitetin e përditshëm të kapjes ilegale të faunës në territorin e vendit tonë. Gjatë shtigjeve për aksionin e shpëtimit të këtij ariu, por dhe punës së përditshme për monitorimin e faunës, PPNEA ka hasur gjithnjë në terren kurthe të panumërta të vendosura posaçërisht për kapjen e llojeve të ndryshme. Vendosja e kurtheve në shtigjet ku kalojnë kafshët e egra ka një impakt të madh negativ jo vetëm në popullatën e ariut dhe por dhe llojeve të tjera.
Fatkeqësisht, kapjet me lak janë nxitur edhe më shumë që nga masa e moratoriumit të gjuetisë dhe janë kthyer në një vrasës masiv të heshtur ndaj faunës në vend. Megjithatë, masat për parandalimin apo eleminimin e tyre mbeten në nivele të ulta, thuajse të papërfillshme, ndërkohë që konsiderohet nga legjislacioni shqiptar si vepër penale.
PPNEA i bën thirrje institucioneve të hetojnë e të vendosin përpara drejtësise autorët e këtij krimi ndaj faunës së egër. Gjithashtu, të shtojnë patrullimet në zonë dhe të marrin masa konkrete në parandalimin e rasteve që të mos përsëriten në të ardhmen, ndërkohë që ndëshkimet ndaj kundravajtësve të ndodhin në mënyrë të rregullt.
Në Shqipëri popullata e ariut të murrmë (Ursus arctos) vlerësohet jo më shumë se 200 individë. Ariu i murrmë është një lloj i mbrojtur me ligj në Shqipëri, i listuar në Listen e Kuqe të florës dhe Faunës me status vulnerabël dhe i mbrojtur nga legjislacioni ndërkombëtar nëpërmjet konventave. Ky ishte një rast për t’u angazhuar në paisjen me GPS, për herë të parë të një ariu të murrmë në Shqipëri. Kjo përfaqëson një arritje të madhe në aspektin shkencor, përmes së cilës do të grumbullohen të dhëna për përmirësimin e njohurive mbi ekologjinë dhe biologjinë e llojit.
PPNEA falenderon organizatën partnere Καλλιστώ , Albanian Wildlife Rescue Team, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Korçë dhe Policinë e Shtetit për ndërhyrjen e përbashkët për shpëtimin e ariut të murrmë.