PPNEA BËHET ANËTARE E FAMILJES BOTËRORE BIRDLIFE INTERNATIONAL, DUKE PËRFAQËSUAR SHQIPËRINË MES 115+ PARTNERËVE NDËRKOMBËTARË

PPNEA BËHET ANËTARE E FAMILJES BOTËRORE BIRDLIFE INTERNATIONAL, DUKE PËRFAQËSUAR SHQIPËRINË MES 115+ PARTNERËVE NDËRKOMBËTARË

Tiranë, më 28.12.2023 – Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), organizata pioniere e ruajtjes së natyrës në vend, ka kënaqësinë të njoftojë përfshirjen e saj zyrtare në rrjetin e mirënjohur BirdLife International. Ky është një moment i rëndësishëm historik, që përafron PPNEA me mbi 115 organizata kombëtare globale të ruajtjes, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e anëtarësimit në BirdLife.

BirdLife International funksionon si një rrjet bashkëpunimi për vendet në mbarë botën, duke nxitur prioritete, politika dhe programe të përbashkëta të ruajtjes së natyrës. Si përfaqësuese e Shqipërisë në këtë aleancë, PPNEA i bashkohet një familjeje të larmishme prej mbi 115 partnerësh kombëtarë që përfshijnë shtete nga kontinente të ndryshme. Një anëtarësim që tejkalon 13 milionë individë dhe mbështetës, që ndjekin një qasje unike nga niveli kombëtar në atë global me impakt të lartë dhe nisma afatgjata të ruajtjes, ku përfituese është natyra, por edhe shoqëria njerzore. Me një Sekretariat të decentralizuar dhe zyra rajonale të pozicionuara në mënyrë strategjike në Bruksel, Cambridge, Nairobi dhe Quito, BirdLife International qëndron si partneriteti më i madh ndërkombëtar i dedikuar për ruajtjen e natyrës.

Integrimi i PPNEA në BirdLife International ka një rëndësi të veçantë, duke përfaqësuar një nivel të lartë përgjegjësie për organizatën në Shqipëri, pasi vendi aktualisht është në një përplasje gjithnjë në rritje midis zhvillimit të shpejtë dhe të paqëndrueshëm nga njëra anë dhe ruajtjes së trashëgimisë së tij natyrore nga ana tjetër.

“Ky partneritet vjen pas përpjekjeve me dekada, të përkushtuara në ruajtjen e shpendëve dhe natyrës në Shqipëri. Ai nënkupton besimin dhe vendosmërinë në qasjen, vizionin dhe misionin tonë për ruajtjen e natyrës. Me mbështetjen globale të mbi njëqind organizatave, zëri dhe veprimet e PPNEA fitojnë forcë, duke na fuqizuar për të arritur hapa të rëndësishme për natyrën. Njëkohësisht, ajo nënvizon përgjegjësinë për të përforcuar ruajtjen e natyrës dhe për ta integruar atë në etikën e qeverisjes së vendit në të ardhmen. Shqipëria aktualisht po përballet me sfidat më të mëdha për ruajtjen e natyrës, të shtyra nga tendenca aktuale e zhvillimit të paqëndrueshëm, të shpejtë dhe të pistë, pasqyruar në shembuj famëkeq si rasti i ndërtimit të paligjshëm të Aeroportit të Vlorës brenda një Zone të Mbrojtur, një Zone me Rëndësi për Shpendët dhe Biodiversitetin. Nëpërmjet këtij partneriteti, ne do të jemi më të përgatitur për t’u përballur me këto sfida, për të mirën e njerëzve, natyrës dhe shpendëve në vend”.

Dr. Aleksandër Trajçe, Drejtor i PPNEA

Ky anëtarësim përfaqëson një mundësi të vlefshme për rritjen e mbrojtjes së biodiversitetit të Shqipërisë nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe transferimit të shembujve më të mirë nga partnerët në mbarë botën, për jetën e egër dhe habitatet e tyre. Është një mundësi tjetër për të punuar drejt perspektivave të restaurimit të natyrës, të udhëhequr nga parimet më të mira të mbrojtjes së saj së bashku me komunitetet lokale dhe komunitetin shkencor.

Për këtë arritje të rëndësishme, gjejmë rastin të falënderojmë të gjithë donatorët, partnerët, bashkëpunëtorët dhe vullnetarët që na u bashkuan në këtë rrugëtim.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në BirdLife International përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e nismave globale të ruajtjes së natyrës. PPNEA, si përfaqësuese e Shqipërisë, do të kontribuojë në mënyrë aktive në përpjekjet kolektive të partneritetit për të ruajtur biodiversitetin dhe adresuar sfidat mjedisore në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global.

Postime të ngjashme